Një delegacion i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i kryesuar nga nënkryetari Gazmend Aga, kancelari Ali Zaimi dhe Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, ishte për një vizitë pune në Turqi në datat 4-10 nëntor 2013, mundësuar nga Diyaneti i Turqisë dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA).
Gjatë qëndrimit njëjavor, delegacioni u prit në një takim të veçantë nga Kryetari i Diyanetit të Turqisë, Mehmet Görmez. Në fjalën e tij dr. Görmez e vuri theksin te marrëdhëniet e shkëlqyera që karakterizojnë dy popujt tanë. “Ne asnjëherë nuk e kemi ndarë veten nga ju. Kemi një histori të përbashkët dhe prej saj kemi shumë gjëra që mund t’ia transmetojmë brezave të së ardhmes”, u shpreh dr. Görmez, duke premtuar në vijim se shtrirja e dorës së ndihmës ndaj KMSH-së dhe myslimanëve shqiptarë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Takime u zhvilluan gjithashtu me drejtues të Vakfit të Diyanetit, strukturë që vepron nën Diyanetin e Turqisë dhe që ka një kontribut të madh në vende të ndryshme të botës si dhe me drejtues të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA), me qendër në Ankara, duke pasur si synim, njohjen nga afër me veprimtarinë e tyre shumëplanëshe.
Nën kujdesin z. Shaban Ishlek, përfaqësues i Diyanetit të Turqisë në Shqipëri, anëtarëve të delegacionit iu krijua mundësia të bashkëbisedojnë me myftinj, imamë, akademikë, dekanë, drejtues medresesh, të cilët, përveçse i njohën me historikun e veprimtarinë e institucioneve që drejtojnë, nuk përtuan për asnjë çast t’i përgjigjen pyetjeve të tyre, madje dëgjuan me interes e morën informacion edhe për ritmet e zhvillimit të Islamit dhe aktivitetin e institucioneve islame në vendin tonë.
Për t’u veçuar ishin takimet me myftiun e Konias, z. Şükrü Özbuğday. Në bisedën e zhvilluar me delegacionin ai paraqiti respektin dhe vlerësimin e tij për shqiptarët, duke i cilësuar si njerëz që e duan dhe e jetojnë besimin e tyre. Gjatë bisedës me miqtë nga Shqipëria, myftiu Özbuğday u shpreh: “Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të hapur për çdo lloj bashkëpunimi”.
Gjatë qëndrimit në Konia, delegacioni vizitoi Qendrën e Specializimit të Kuadrit Fetar, ku u njoh me kontributin e këtij institucioni dhe punën e tij domethënëse në kuadër të përgatitjes dhe kualifikimit të punonjësve të fesë. Bisedat e ngrohta dhe fjalët dashamirëse në adresë të njëri-tjetrit, treguan edhe një herë lidhjen e fortë dhe vëllazërore mes njëri-tjetrit, si vëllezër në besim dhe si njerëz me histori dhe të kaluar të përbashkët.
Kjo vizitë shërbeu në të njëjtën kohë edhe si përvojë njohëse me institucionet fetare dhe objektet e trashëgimisë historike e kulturore, në mesin e tyre vizita në xhaminë Koxhatepe, xhaminë Haxhi Bajram, në Ankara; xhaminë dhe kompleksin e Xhelaludin Rumiut në Konia, të cilat e bënë edhe më tërheqës këtë udhëtim.
Mikpritja e vëllezërve turq la mbresa të pashlyera në kujtesën e anëtarëve të grupit. Kjo pasi atje gjetën mikpritjen, respektin, dashurinë, vullnetin e mirë për të ndihmuar pa u kursyer në fushën e zhvillimit e të ndryshimit në çdo aspekt.
Vlerësimi dhe respekti i Kryetarit të Diyanetit, i kryetarit të Vakfit të Dyanetit, i përfaqësuesve të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (TIKA), i myftiut të Konias, shoqërimi dhe drekat e darkat e shtruara për nder të delegacionit, qenë simbol i asaj mikpritjeje që shumë prej tyre e kishin dëgjuar, por që tani po e preknin dhe vetë.
Nënkryetari Gazmend Aga, në cilësinë e kryetarit të delegacionit, falënderoi në emër të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça të gjithë mikpritësit, për këtë ftesë bujare, e cila, siç u shpreh ai, kristalizon edhe më fort bindjen se miqësia dhe vëllazëria e dy popujve tanë nuk njeh kufij.
Po ashtu ai u shpreh: “E ndjejmë të domosdoshme të falënderojmë dy shoqëruesit tanë, z. Shaban Ishlek dhe z. Emin Yilmaz, punonjës të Diyanetit, për koordinimin e kësaj vizite dhe insistimin e tyre që ne të përfitojmë sa më shumë prej eksperiencës shumëvjeçare të një vendi si Turqia, në fushën e shërbimeve fetare, përvojë e cila kam bindjen do na vlejë në punën tonë në vazhdim”.
www.dritaislame.al