KMSH dhe Bashkia Bajram Pasha e Stambollit shtrojnë iftar madhështor në Tiranë

Në kuadër të organizimit të iftareve gjatë muajit të Ramazanit dhe nën moton “Vëllazëria pa kufi”, mbrëmë më 18 Korrik 2013, në Tiranë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë së bashku me Bashkinë Bajram Pasha në Stamboll, shtruan një iftar të hapur për besimtarët dhe qytetarët e kryeqytetit në pedonalen “Murat Toptani”.
Sofrat e iftarit janë një organizim i përditshëm i Komunitetit Mysliman gjatë Ramazanit, ku shtresa të ndryshme të shoqërisë çelin iftarin së bashku. Ndërkohë që për çdo vit Bashkia Bajram Pasha nis të ashtuquajturën “autokolona e bereqetit”, në të gjithë Ballkanin, ku shtrohen iftare të tilla masive me rastin e muajit të Ramazanit, ndalesa e radhës ishte Tirana.


Në këtë organizim morën pjesë: Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu, Myftiu i Tiranës Ylli Gurra, Ministri i Shëndetësisë së Shqipërisë Halim Kosova, Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Mehmet Müezzinoglu, Kryetari i Bashkisë Bajram Pasha i Stambollit, Atila Aydiner, etj. Në fjalët e tyre ata vlerësuan rolin e këtyre sofrave të iftareve të cilat siç u shprehën ata, bashkojnë zemrat e njerëzve.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu, u shpreh se Komuniteti Mysliman ka shtruar dhe do të vazhdojë të shtrojë iftare të shumta me rastin e këtij muaji të begatë, muajit të agjërimit, në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm me synim që muaji i Ramazanit të përjetohet ashtu siç duhet nga të gjithë.

Iftari u shoqëria nga një program me lexim Kurani dhe Ilahi.

Muaji Ramazan është muaj në të cilin shtohen sofrat e iftarit, si shenjë e vëllazërisë, harmonisë dhe bashkëpunimit në mesin e myslimanëve dhe pjestarëve të shoqërisë ku ata jetojnë.

/Drita Islame/

Leave a Reply