Prof. dr. Bajram XHAFA (Universiteti i Shkodrës)
Klerikët myslimanë të Pukës në mbrojtje të çështjes kombëtare
Gjatë Rilindjes kombëtare, kohë kur shqiptarët dolën në skenën e historisë si komb më vete në shekullin XIX pas një sundimi të gjatë osman, Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878 – 1881 përbën pikën kulmore në historinë e saj. Në luftën e saj për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga rreziku i aneksimit sllav (serbë, malazezë e bullgarë) dhe për krijimin e një Shqipërie autonome, Puka dha ndihmesën e saj me luftëtarë dhe me personalitete. Ndër emrat më të njohuri në kohën e Lidhjes janë: Ismail agë Kryeziu dhe Musa Dizdari, alias Hoxhë Puka.
Për veprimtarinë e tyre na njohin dy dokumente të akteve osmane: I pari mban datën 19 gusht 1881 dhe i dyti, 14 nëntor 1881. Dokumentet janë akte gjyqësore në kohën kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit po shpërndahej nga ndërhyrja e ushtrisë osmane. Konkretisht është një vendim i Gjykatës së Jashtëzakonshme të Shkodrës e cila zhvilloi procesin gjyqësor kundër Ismailit, birit të Saliut, nga fshati Kabash i kazasë së Pukës, vilajeti i Shkodrës, ish – kajmekam i kësaj kazaje, dhe kundër Musait, birit të Ethemit, nga Puka, imam i xhamisë së Pukës.
Nga procesverbali i gjyqit rezulton se Haxhi Omeri (është fjala për myderriz Haxhi Ymer Efendi Prizrenin, kryetar i Komitetit të Lidhjes së Prizrenit), nga Prizreni, në kohën kur po arrestoheshin personat që kishin marrë pjesë dhe kishin përkrahur kryengritjen që ndodhi në anët e Prizrenit, kur doli urdhëri për kapjen e tij dhe kur pa se godina e kryengritjes që kishte themeluar dhe kishte përgatitur ai u shemb dhe u shkatërrua, u arratis si tradhtar e frikacak, shkruan procesverbali. Pikërisht në këtë kohë, Ismail aga, nën pretekstin e rindërtimit të Urës së Vezirit, dhe gjoja për të lehtësuar kalimin e nëpunësve të shtetit, pa pasur ndonjë urdhër të posaçëm dhe pa ndonjë autorizim, u nis nga qendra e kazasë (së Pukës) dhe shkoi tek qendra e larpërmendur…Nën maskën e kryerjes së detyrës dhe të sherbimit të vet ai organizoi një veprim antishtetëror, lehtësoi arratisjen (e Haxhi Omerit), me ndërmjetësinë e djalit të hoxhës së Pukës, Ethemit, që ishte edhe kapteri i policisë, ai guxoi të kalojë fshehurazi Haxhi Omer efendiun (Ymer Prizrenin).
Duhet theksuar në mënyrë të veçantë, thotë dokumenti, se Haxhi Omeri nga Malësia e Gjakovës ka shkuar dhe ka rënë në shtëpinë e Mahmut efendiut, që ishte imam i fshatit Bytyç dhe dhëndër i Ismail agait. Në atë kohë ndodhej atje edhe i biri i hoxhës së Pukës, Ethemi, i cili e ndihmoi të arratisej.
Kur ndodhej në Shkodër, gjatë arratisjes së tij, Haxhi Omeri bujti dhe u strehua për gjashtë netë me radhë në shtëpinë e Jusuf efendi Golemit nga Shkodra, i cili tani është atje kryetar i bashkisë.
Në këtë mënyrë, duke qenë nëpunës i Perandorisë Osmane, i ngarkuar me detyrën themelore dhe të shenjtë të ruajtjes së qetësisë dhe mirëqenies së vendit, (Isamil aga) ka guxuar të nxisë veprimet kryengritëse e antishtetërore të cilat, mos e dhëntë zoti, që veçanërisht në një situatë të tillë, të bëheshin shkak që të shtoheshin edhe më tepër telashet e Perandorisë Osmane. Kjo ishte një sjellje e zakonshme ndër shqiptarët, të cilët, në vëllazëri e solidaritet me njëri tjetrin sakrifikojnë gjithçka në raport me sundimtarin, qoftë edhe duke qenë nëpunës të aparatit shtetëror të Perandorisë apo imamë e hoxhallarë.
Për këtë arsye, vazhdon dokumenti, Ismail aga dhe Hoxhë Musai u gjykuan sipas nenit të katërt të ligjit mbi gjendjen e jashtëzakonshme (ushtarake); në bazë të nenit 57 të kapitullit të dytë të Kodit Penal Perandorak u vendos që ata të largohen e të internohen jashtë vendit të tyre[1].
Më tej dokumentet osmane (nr. 128) bëjnë fjalë për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës pas miratimit nga Madhëria e Tij perandorake, dhe nisjen e personave në fjalë me rrugën e Selanikut e të Aleksandrisë për në Merash (vendi i internimit në Siri). Ndërsa Ymer Prizreni (Haxhi Omer efendiu), ndër krerët më të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me ndihmën e miqve të Pukës e të Shkodrës mundi të arratiset e përfundimisht në Ulqinin shqiptar, tashmë aneksuar nga Mali i Zi, ku dhe e mbylli jetën në internim në vendin armik.
Për këtë ngjarje ka shkruar edhe prof. Xhemal Meçi, Mjeshtër i Madh i Punës, në librin e tij “Puka që në lashtësi”, GEER, Tiranë, 2003, f. 85 – 88, vëllimi i parë i kolanës së tij 10 vëllimshe).
Lidhja Shqiptare e Prizrenit erdhi pas Luftës Ruso-Osmane dhe Serbo e Malazezo-Osmane 1977 – 1878. Ajo luftë pati edhe karakterin e kryqëzatë antimyslimane.
Kur ushtria serbe po përparonte drejt jugut në tokat shqiptare, Princi i Serbisë Milan Obrenoviçi bёnte thirrje: “tё pastrohet toka prej atyre qё nuk i besojnё kryqit” (është fjala për kryqin serb të Shën – Savës) dhe kërkonte zbatimin e metodave barbare duke marrë si shembull “kohёn e artё” e perandorisё sё Stefan Dushanit në shek. XIV që konvertimin fetar e bënte duke i damkosur shqiptarët katolikë me hekur tё skuqur në ballë[2]. Viktimat e para tё pansllavizmit rus kanё qenё myslimanёt e Ballkanit. Më 1877 – 1878 u shpёrngulёn dhe u kthyen nё refugjatё (muhaxhirё) mbi 1 milion myslimanё.
Në rastin e mësipërm si pjesëmarrës aktivë shohim dy hoxhallarë, klerikë myslimanë. Eqrem bej Vlora shkruan në “Kujtime” se “kleri mysliman i përfshirë në këtë lëvizje nuk kurseu asgjë për lëvizjen kombëtare” (Kujtime I, f. 171). Kjo pjesëmarrje e përgjithshme për klerin mysliman nuk është e rastit kur dihet karakteri i luftës që bënin sllavët kundrejt shqiptarëve.
30 vjet më vonë, nën të këtë frymë u përshkuan edhe Luftat Ballkanike më 1912 -1913. Nё raportin e vitit 1913 të Komisionit Hetimor të Fondacionit Karnexhi shkruhet: “Refugjatёt myslimanё janё elementi mё tragjik i kёtij eksodi tё detyruar”[3].
Problemi mysliman duhet “thjeshtuar”, deklaronin serbët dhe malazezët. “Kur toka tё bёhet jona”, mё thuhej herё pas here, shkruan Edith Durham, “nuk do tё ketё mё problem mysliman”…Qёllimi i hapur i serbёve dhe i malazezve ishte shfarosja e krejt racёs shqiptare[4].
Ishte ky karakter i këtyre luftave në vazhdim që i bënte klerikët myslimanë elementin më të ndërgjegjësuar e më të zjarrtë në këtë luftë. Ata ishin më të shkolluarit dhe më aktivët në qëndresën për mbrojtjen të tokave shqiptare. Ishin, në kuptimin modernizues të fjalës, “komisarët” e qendresës dhe patriotët më të vetëdijshëm dhe, si moto në propagandën dhe në veprën e tyre luftarake kishin devizën: Imani – Vatani dmth, besimi – atdheu.
Gjatë Luftës Ballkanike 1912 – 1913, në rrugën e divizioneve serbe nga Gjakova dhe Prizreni për të dalë në Lezhë e Shëngjin, tradita popullore ruan shumё kujtime e këngë (të rapsodit Prendush Gega) qё pasqyrojnё qendresën e fshatarёsisё tё krahinёs sё Malёziut (banuar thuajse tërësisht me popullsi myslimane si Va-Spasi, Pista, Gdheshi, Mgulla, Fleti etj.) pёr mbrojtjen nga rrebeshi i ushtrisë serbe.
“ Kush e nisi luftën ma i pari?
– E kan nis dy hoxhallar’,
Hoxhallart e Malit t’Zi [5]
Sadik Hoxha ‘i djal i ri,
Osman Hoxha trim dai,
Sall n’ni prru kan vra ni mij,
Sall n’ni prru ni mij serbjan…” (f. 89).
Kush ja vuni pushkën serbit,
Osman Hoxha pastë rahmet [6].
Shembulli i parë i vetmohimit luftarak është hoxha. Pёr shkak të qendresës ndaj ushtrisë serbe, krahina u dogj plotёsisht. Nё Gdhesh u therёn 72 gra, pleq e fёmijё qё ranё nё duart e serbёve. Nё fshatin Flet me 15 nёntor serbёt humbёn edhe reparte tё tёra. Bashkё me ta luftuan banorёt e fshatrave tё tjera si Dardha, Truni, Sakati, Xathi, qё bashёpunonin me ata tё Qafёs sё Malit, Fushё-Arsit e deri nё Pukё[7]
Kumtesë e mbajtur në Pukë me datë 15 maj 2016 në veprimtarinë e organizuar nga Myftinija e Pukës me rastin e 25 vjetorit të ringritjes së besimit fetar dhe institucioneve të tyre.
Kishin ardhur përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nga myfrinija e Shkodrës, Prizrenit etj.
V/O: Kumtese e botuar edhe ne Drita Islame, Viti XXV/Nr.07/Korrik 2016/fq.14
_____________
[1] Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878 – 1881”, Tiranë, 1978, dokumenti 120, f. 228.
[2] Jovan Haxhivasiljeviç, Arbanska kongra, Beograd, 1909. B. Xhafa, Politika antishqiptare e pushtuesve serbё e malazezё nё vitet 1877-1878, “Konferenca Kombёtare pёr Lidhjen Shqiptare tё Prizrenit 1878-1881, I” (12 – 28 qershor 1978), Tiranё, 1979, f. 119 – 129.
[3] Luftёrat e tjera ballkanike, “Onufri”, f. 108.
[4] E. Durham, vepёr e cituar, f. 174-176.
[5] Eshtë fjala për Malin e Zi të Pukës nga kaloi ushtria serbe në marshimin drejt Shkodrës e Lezhës..
[6] Hoxha i fshatit (Osman Hoxha i Fletit) dhe Bajram Haziri e nisën të parët pushkën kundër ushtrisë serbe dhe pas tyre u ngrit e gjithë zona e Malëziut të Pukës. Hoxha u plagos rëndë dhe pas disa ditësh vdiq nga plagët.
[7] Th. Murzaku, “Politika…”, f. 147 – 148. Edith Durham shkruan: “Duke pёrjashtuar Fletin, ku fshatarёt myslimanё u bёnё atyre njё qёndresё prej tre ditёsh nё njё grykё tё ngushtё, ata e pёrshkuan tёrё vendin pa vёshtirёsi, meqenёse mirditorёt kishin kaq pak armatime, saqё abati i tyre i bindi se lufta vetёm do tё shkaktonte masakra” (“Lufta pёr Shkodrёn”, Shkodёr, 2005, f. 187. Edhe Swire shkruan se “me përjashtim të Fletit, ku ata u bllokuan për tri ditë, gati nuk ndeshën në qëndresë…Prenga (Doçi-abati i Mirditës) planifikonte një kompromis me serbët” (J. Swire, “Shqipëria…” f. 127).