Pavarësisht dimensioneve të njësisë etnike, Islami themeloi umetin si të vetmen formë të shëndetshme të bashkëveprimit njerëzor; lloji i vetëm i grupimit vullnetar, i dobishëm për njerëzimin.
Si komunitet besimtar
Umeti është një shoqëri e hapur, e përbërë nga myslimanë. Anëtarësia në umet arrihet nga një rrëfim solemn besimi: “Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij.” Në bazë të ligjeve islame, mjafton kjo dëshmi për të provuar pranimin e Islamit. Më pas, të gjitha të drejtat dhe privilegjet, detyrat dhe udhëresat e Islamit bien mbi autorin e dëshmisë, që është në moshë përgjegjësie. Dëshmia anëtarëson në umet de facto dhe de jure, dhe askush nuk mund t’i ndalojë pasojat e kësaj anëtarësie. Kështu që, çdo mysliman në botë, nëse thotë dëshminë, është pjesëtar i umetit.
Çdokush është i mirëseardhur të bëjë pjesë në ummet prej cilësdo nga dy mënyrat: të lartpërmendurës dëshmi të besimit, ose marrëveshjes së paqes. Kjo e fundit kupton qëndrimin e paqtë brenda kufijve të umetit; ose, nëse pala që i intereson të jetë nën mbrojtjen e umetit është një grup, marrëveshja konsiston në rënien dakord që umeti të zgjerojë kufijtë e tij, në mënyrë që t’i përfshijë ata dhe territorin e tyre.[1] Këtu është fjala për jomyslimanët që nuk duan të pranojnë besimin islam dhe të bashkëjetojnë me umetin. Asnjë person nuk mund të përjashtohet, përveç rasteve kur hyrja ose përpjekja për të hyrë është maskim për veprime armiqësore ndaj umetit.
Çdo gjykatë islame vepron nën ligjet e sheriatit për të shqyrtuar ankesat e secilit aplikant për qëndrim, qoftë mysliman ose jomysliman. Gjithashtu, sikurse për çdo veprim juridik islam, edhe kërkesa për të vënë në lëvizje gjykatën është pa pagesë. Paragjykimi ndaj shtetësisë, origjinës, fesë ose kulturës së aplikantit rrëzohet nga ligji, dhe mekanizmi për ta braktisur një paragjykim të tillë është gjithnjë i gatshëm dhe i disponueshëm. Gjithashtu, nuk ka asnjë taksë për të nënshkruar marrëveshjen e paqes, dhe si rrjedhim, as për t’u bërë pjesë e umetit.
Pra, umeti është vërtet një shoqëri e hapur par excellence. Të gjitha tentativat ligjore të huaja për të neutralizuar dhe nënshtruar shtetet myslimane sot ose për të imituar legjislacionin dhe praktikat perëndimore, janë lënë pas qysh nga kohët e kolonializmit. Pa asnjë dyshim, ligji islam i dënon të gjitha këto. Nëse ndonjë shtet perëndimor do të përvetësonte kushtetutën ose sistemin e vërtetë ligjor islam, ato ligje do të shfuqizoheshin në çast. Në këndvështrimin e sheriatit, këto ligje nuk kanë asnjë fije justifikimi.
Jeta e myslimanëve të umetit rregullohet sipas të vetmit ligj: sheriatit, përveç kur kolonializmi ose kukullat e tij kanë ndërhyrë në të. Ende është në fuqi i njëjti ligj në të gjithë vendet myslimane, nga Irani në Marok. Ai ka lënë trashëgimi në fushën penale, në fushën administrative dhe ligjet tregtare, të cilat qeveritë myslimane i kanë mbajtur në fuqi pas shpalljes së pavarësisë me kërkesën e popujve të tyre. Shkaku i riveprimit të sheriatit si një kod i plotë ligjor është ende i shëndoshë dhe i gjallë në të gjithë vendet ku ka shumicë myslimane. Sidoqoftë, edhe në zonat që janë të veçuara, në ligjet e sheriatit kanë ndërhyrë shumë pak. Këto ligje janë ende të njëjta kudo, dhe myslimanët ia nënshtrojnë vetes.
Kultura e komuniteteve myslimane përqark botës është e përcaktuar gjërësisht nga Islami. I tërë Kur’ani me idetë e tij, me vlerat, format e ligjërimit, fjalitë kaligrafike, muzikalitetin, ezanin dhe namazin, me shpirtin e ramazanit, me mirëpritjen dhe përcjelljen e pelegrinëve, me mësimin përmendësh të Kur’anit nga ana e fëmijëve – të gjitha këto i kanë rezistuar suksesshëm rrymave të kolonializmit, modernizmit, misionit të krishterë e shekullarizmit, dhe ato vazhdojnë të theksojnë, të ngjyrosin, të zbukurojnë, të orientojnë dhe t’i japin kuptim jetës së njerëzve. Asnjë shtet ose perandori, asnjë komunitet ose vëllazëri nuk ka patur asnjëherë kaq përbërje të larmishme etnike sesa umeti i Islamit. Islami pastroi etnicitetin nga besnikëria ndaj ekzagjerimeve dhe paragjykimeve, dhe i pasuroi ato me kategoritë, vlerat, fjalorin dhe format e veta. Nga dialektet e fiseve, Islami zgjeroi gjuhët që lulëzuan letërsinë dhe poezinë malaje, persiane, turke, urdu etj.
Brenda umetit, një nga Uzbekistani mund të trashëgojë nga një tunizian; një maroken nga një malajzian, një kinez nga një prej Damasku ose nga Kajroja; një jugosllav nga një afro-amerikan, dhe të gjitha tëhuajësimet shuhen me es-selāmu alejkum ue rrahmetullāh. Edhe pse i zoti i shtëpisë me të ftuarin mund të komunikojnë me të njëjtën gjuhë, vëllazëria ku ata bëjnë pjesë mund t’i mundësojë ata të martohen me familjen e njëri-tjetrit, ashtu sikurse u mundëson të sillen konform rregullave politike dhe juridike të shtetit ose komunitetit mikëpritës.
Edhe pse në kuptimin perëndimor besimi islam nuk është vetëm një shqetësim fetar, por edhe logjik, ligjor, metafizik, aksiologjik, shoqëror, gjuhësor, estetik, politik dhe ekonomik, Islami i sjell të dyja këndvështrimet si pasurim të etniciteteve të ndryshme, sikurse edhe homogjenizues për to. Në umet, akulturalizimi vullnetar për të rendur pas Islamit zbatohet nga të gjithë, secili duke shprehur fuqinë e tij. Por të gjithë orvaten pas idealit islam. Si pasojë, umeti është shndërruar në një zinxhir konsensusi për vizionin ndaj realitetit (të botës, njeriut, jetës dhe fatit), ndaj vendosmërisë (së zemrës), respektimi i të cilave ndaj sheriatit dhe kulturës islame është pajtuar me dëshirën për prespektivë. Dhe, së treti, vizion ndaj armës (luftimit). Dy nivelet e para të konsensunsit i kanë shndërruar myslimanët në model shoqëror, dhe kudo që ata jetuan i bëri të jenë prototipi më i përafërt ‘i umetit’.
Pavarësisht sundimtarëve të vrerosur dhe të gjithë fragmentarizimeve përgjatë shekujve, umeti ka shijuar solidaritet të pamasë. Përveç gjithçkaje që mund të flasë të kundërtën, lidhja e suksesshme që krijoi Islami mes përkrahësve të tij ishte kaq e fortë, saqë i rezistoi testit të kohëve. Ata që panë zmbrapsjen që shkaktoi braktisja e kalifatit në kohën e Mustafa Kemal Ataturkut në nënkontinentin indian dhe Azinë Jugore, nën zjarrin e të cilave digjeshin dhe ngjarjet e 30 viteve të fundit në Palestinë, të njohura si “fragmentarizimi” i umetit, ndonëse domethënëse, në shumë kuptime ishin vetëm sipërfaqësore. Nën të fshihet thëngjilli, i cili mund të shpërthejë në flakë prej gërvishjes më të vogël.
Si komunitet botëror
Gjithsesi, solidariteti i mrekullueshëm i umetit nuk është rezultat i strukturës homogjene. Umeti nuk është një institucion që i përket vetëm myslimanëve. Në fakt, myslimanët mund të mos jenë pjesë dërrmuese në popuj. Për disa breza, umeti është në çdo vend përveç Arabisë, ku përfshihen një pjesë e madhe jomyslimanësh. Në ditën e parë të Hixhretit, Profeti Muhamed (paqja qoftë me të!) i dha shtetit mysliman kushtetutën e tij, parimet e së cilës kanë qenë bazë për formimin e çdo shteti tjetër mysliman. Ajo kushtetutë përkufizoi umetin me përbërje myslimane dhe çifute. Tetë vjet më vonë, fill pas futjes së Mekës në Islam, Profeti (paqja qoftë me të!) mirëpriti të krishterët e Nexhranit si komunitet brenda umetit.
Duke ndjekur hapat e tij, myslimanët mirëpritën zoroastrianët, nën pushtimin e Persisë në vitin 14 h./636, si dhe hindutë dhe budistët e Indisë në vitin 92 h./711.
Këto vendime bazoheshin në parimin themeltar të Islamit, që besimi duhet të jetë gjithnjë i hapur për të gjithë.
“S’ka dhunë/detyrim në fe”, na mëson Kur’ani, “sepse tashmë është dalluar e vërteta nga e pavërteta! Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe i beson Allahut, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu di dhe dëgjon gjithçka!” (Bekare, 256) Umeti është mjaftueshëm i gjerë për të përfshirë myslimanë dhe jomyslimanë. Si ideal shoqëror, umeti është zotuar për paqe dhe siguri për të gjithë, për besimet e ndryshme, fiset dhe kombet e ndryshme; për bashkëpunim dhe solidaritet. Pajtueshmëria dhe besueshmëria ndaj këtyre vlerave nuk është armiqësore për Islamin. Në këtë mënyrë, të krishterët dhe çifutët, hindutë, budistët dhe zoroastrainët kanë vazhduar të bashkëveprojnë me umetin dhe pjesëtarët e tij përgjatë 14 shekujve të historisë islame. Jomyslimanët shpesh kanë mirëpritur ardhjen e myslimanëve si çlirues nga zgjedha e huaj. Tashmë ata preferonin dhe zgjidhnin anëtarësinë në umet, dhe jo kolonializmin dhe imperializmin romak. Nëse grupime të mëdha jomyslimanësh kanë përfunduar në minoritete përgjatë shekujve për shkak të konvertimit në islam, kjo ishte rrjedhojë e vendimit të lirë individual të tyre.
Islami e përcakton njeriun sipas ideologjisë që ai mbështet, e jo sipas ngjyrës ose racës, gjuhës apo kulturës. Ai e respekton dhe e nderon atë si të tillë. Jo vetëm kaq, por ai identifikon forcën e umetit me përpjekjen e tij për të parandaluar, zhvilluar dhe mbështetur fenë apo idelogjinë e tij. U pranua që jomyslimanët kishin të drejtën për të jetuar sipas fesë së tyre, për të patur e për të mirëmbajtur institucionet e veta fetare dhe kulturore; ta përçojnë fenë e tyre tek pasardhësit. Kjo lloj tolerance nuk është aspak si ajo e Perëndimit sot. Kjo e fundit është e bazuar në shekullarizëm, këndvështrim i cili e sheh fenë tek njeriu vetëm në përjetimet të tij të brendshme me Zotin. Toleranca e shekullaristëve është përbuzëse. Ata e mendojnë fenë jodomethënëse, dhe në çdo rast më pak të rëndësishme se këndvështrimet mbi politikën dhe ekonominë. Islami e njeh fenë si gjithpërfshirëse në jetën e njeriut, si kuptimin e të gjithë aktiviteteve të tij, dhe akoma është i gatshëm t’i njohë de jure feve të tjera faktorët legjitimues sipas të cilëve anëtarët përkatës e organizojnë jetën e tyre në të gjitha aspektet. Nën udhëheqjen e plotfuqishme të Zotit të Vetëm, të gjithë besimtarët e feve të ndryshme janë bashkëudhëtarë që kërkojnë të adhurojnë dhe t’i shërbejnë Atij, sipas bindjes vetjake për të cilën janë porositur.
Si shtet botëror dhe rend ndërkombëtar
Në kuadër të umetit si komunitet botëror, Islami urdhëroi Profetin (paqja qoftë me të!) dhe ndjekësit e tij të ftonin jomyslimanët për t’u bashkuar rreth një parimi fisnik e të përbashkët në të gjitha fetë, që adhurimi dhe shërbimi të jenë ekskluzivisht për Zotin, dhe që të mos ketë varësi mes njerëzve përderisa të gjithë i janë nënshtruar një Zoti të vetëm.[2] Ai i ndaloi myslimanët të spiunonin, të shkatërronin e të grindeshin me jomyslimanët. Por, urdhëroi gjithashtu që ata të bisedonin për fenë me mendjemprehtësi, me etikë, urtësi dhe fisnikëri.[3] Islami i lavdëroi të krishterët për durimin e tyre, për mëshirën dhe përuljen[4], dhe i risiguroi Parajsën çdo jomyslimani nëse ka besuar në Zot dhe ka kryer vepra të mira.[5] Në veçanti Kur’ani ka ndaluar çdo poshtërim ndaj tjetrit dhe konkurrencën mes njerëzve për prestigj.[6] Ai ka ndëshkuar krenarinë e rreme dhe urdhëroi për bashkëpunim mes të gjithëve për të mirën e përbashkët.[7] Sikur Islami të kishte bërë vetëm kaq, do të kishte qenë përgjegjës për të ndërtuar një komunitet botëror në të cilin komunitetet fetare do të kishin bashkëpunuar dhe ndërvepruar me njëra-tjetrën brenda disa kufijve moralë miqësie dhe vëllazërie. Por, në të vërtetë, Islami ka bërë më shumë.
Në kërkim të një vëllazërie më të konsoliduar besimesh universale, Islami shkriu komunitetin botëror me shtetin botëror në një institucion të vetëm. Komuniteti botëror udhëhiqet nga ideale etike të cilat përkojnë me autoritetin moral, kurse shteti botëror autorizohet t’i implementojë idealet në ligje dhe institucione; ndreq dhunën e tyre me ashpërsi dhe sanksione ligjore. Ky transformim u soll për të përkthyer idealet morale në objektiva të sanksionuara në ligj dhe në proces juridiksional. Umeti nuk ishte formuar vetëm për të qëndruar si komunitet botëror, sado që u bashkua me solidaritet prej idealeve morale. Ai u shndërrua në një shtet botëror, në një rend të ri botëror. Ligjet islame referonin në procedura dhe procese juridiksionale, të cilat rregullonin praktikat fetare, statusin vetjak, kontratat, një segment të gjatë të kodit penal islam, të gjitha të zbritura për t’u aplikuar nga myslimanët. Jomyslimanët kishin ligjet e tyre, çdo komunitet fetar ligjet e veta. Gjyqtarët jomyslimanë, të autorizuar nga tradita përkatëse komunitare, do të gjykonin në gjykata, verdiktet e të cilave kishin fuqi shtetërore detyruese. Këtyre gjykatave jomyslimane iu derivonte juridiksioni nga sheriati, ose nga ligji islam, nga kushtetuta e umetit si shtet botëror. Sipas kësaj të fundit, ai jomysliman që shpërfill gjykatën e fesë së tij, ka dhunuar kushtetutën shtetërore. Duke gjykuar se interpretuesit më të mirë të një tradite janë vetë pjesëtarët e asaj tradite, sheriati disponon një gjykatë të një shkalle më të lartë për shqyrtimin e mëtejshëm të çështjes së apeluar, duke pranuar se vendimi i fundit është përfundimtari. Aty ku siguria, rendi publik ose morali publik i umetit botëror cenohet, gjykatat islame kanë juridiksion shtesë, sipas të cilit prokurori mund të përfaqësojë shkelësin, nëse tradita e tij nuk ia siguron këtë. Gjithashtu, aty ku myslimanët kanë të bëjnë me jomyslimanët, ligjet e paditësit dhe të paditurit përzihen për t’u bërë një gjykim sa më i drejtë, përveç në rastin kur të dy ata kërkojnë të gjykohen sipas ligjeve të sheriatit. Pra, jomyslimani në shtetin botëror islam është i sigurt në ligjin dhe traditën fetare islame po aq sa do ishte në grupin ose vendin e tij të origjinës.
Së këndejmi, shteti botëror islam është një shoqëri e hapur me disa sisteme ligjore që zbatohen në të njëjtën kohë. Si asnjë shtet mbi tokë, ose në histori, shteti botëror islam i ka dhënë njerëzimit sistemin politik që toleron pluralizmin ligjor, por në të njëjtën kohë ndalon luftën dhe izolimin mes komuniteteve fetare. Dhe meqë asnjë ligj nuk mund të interpretohet ose të ndryshohet nga vetë njerëzit që e zbatojnë atë, shteti botëror islam garanton sigurinë dhe integritetin që etnocentrizmi dhe nacionalizmi kërkon. Pluralizmi ligjor shkon përtej çdo tolerance, i bazuar në mirësjellje, traktat ose konventë, në varësi të gjendjes së personit që interesohet. Kur toleranca është e parashikuar në një traktat, mund të neglizhohet ose të dhunohet nga një tjetër traktat përmes kushteve të ndryshme që mund të diktojë.
Në shtetin botëror islam, myslimanët dhe jomyslimanët janë qytetarë të barabartë. Të gjithë mund të shfrytëzojnë shërbimet që shteti ofron, dhe të gjitha pranohen nga zyra e shërbimeve publike. Të gjithë nëpunësit e shtetit janë të hapur ndaj qytetarëve, përveç gjyqësorit, që i është besuar forcimi i ligjeve të traditave fetare, Komandës së Lartë të Forcave Mbrojtëse dhe kalifit, kryetarit të shtetit, funksioni i të cilit është përmbushja e vizionit shoqëror të Islamit. Në këtë kontekst, jomyslimanët nuk mund të rekrutohen për të shërbyer në forcat mbrojtëse të shtetit islam, por ata janë të mirëpritur dhe të shpërblyer nëse nënshkruhen vullnetarisht. Ata janë të përjashtuar përgjithmonë nga pagesa e zekatit, 2.5% e pasurisë së tyre vjetore. Institucionet e tyre shoqërore-ekonomike dhe politike kanë garantuar lirinë e tyre në përjetësinë e ligjit islam.
Shteti islam garanton jo vetëm të drejtat dhe privilegjet e jomyslimanëve, qytetarë të shtetit islam, por edhe të personave ose grupeve që nuk bëjnë pjesë në këtë shtet, por që duan të hyjnë në marrëveshjen e paqes. Këta quhen mustaʿminūn (literalisht, kërkues të sigurisë). Sapo ata të hyjnë në marrëveshje, shteti islam hap mantelin e mbrojtjes dhe sigurisë mbi ta, duke i garantuar gëzimin e të drejtave të njëjta dhe privilegje, ashtu si qytetarëve jomyslimanë. Në këtë kuptim, shteti islam zgjerohet për të mbuluar të gjithë botën dhe çdokush është i ftuar të marrë vendimin për t’u bërë pjesë e marrëveshjes së paqes. Mesa duket, nëpërmjet kësaj konvente nuk ka humbur asgjë përveç etnocentrizimit, që pretendon se njësia etnike është metri i çdo gjëje. Slogani i vjetër 14 shekullor Kombet e Bashkuara pati shumë vështirësi për të implementuar vendimet e saj dhe organizimi i tij ndoqi ardhjen e Luftës së Dytë Botërore. Kontradiktat në kushtetutën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e bënë këtë organ ndërkombëtar të pafuqishëm për të bashkuar e pajtuar vendet, një institucion që duhet të mbikëqyrte barazinë dhe të drejtat e atyre që kërkonin ndihmë për të fituar diplomaci dhe që kishin presion ekonomik për të zotëruar të drejtat e tyre. Përveç kësaj, anëtarësia në Kombet e Bashkuara është e hapur vetëm për shtetet-kombe, dhe jo për grupe dhe persona si te shteti botëror islam. Shteti botëror islam është një pax mundi universal, ku nuk mund të ketë luftë, shkelje mbi lirinë e lëvizjes së njeriut, familjes dhe pasurisë së tij, dhe zhvendosjen në çdo cep të botës. Nuk mund të ketë shkelje mbi lirinë e punësimit, mbi lirinë e zgjedhjes së jetës sipas ideologjisë tradicionale ashtu sikurse e percepton individi.
Si shtet botëror dhe rend ndërkombëtar, umeti ka 14 shekuj që mbijeton shkëlqyeshëm në diversitet të gjërë etnik brenda një shteti të vetëm. Kjo qëndrueshmëri është falë faktit që ligji islam është rrënjosur në zemrat dhe mendësinë e njerëzve, në besimin që është ligj i ardhur nga Zoti dhe është i pandryshueshëm. Kjo është garancia më e mirë e mundshme kundër revolucionit dhe braktisjes. Është më shumë çështje besimi se ideologji e rendit botëror. Umeti mundet dhe ka për detyrë të ndërhyjë në çështjet e jo-umetit (përfshirë atë të banorëve të hënës), derisa t’u disponojë njerëzve përmbushjen e misionit të mëkëmbësit të Zotit. Për shkak se Zoti është Një i Vetëm, të gjitha krijesat e Tij, të barabarta në krijimin e tyre, janë të emëruar ashtu siç janë edhe të detyruar të ndërmarrin dhe të përmbushin rolin e tyre kozmik. Çdo rend njerëzor duhet të mbrojë çdo individualitet në këtë përpjekje, dhe ta garantojë nga padrejtësitë dhe agresionet e individëve apo grupeve të tjera.
Nga: ISMAIL RAXHI EL-FARUKI
Përktheu: Nejona Kadzadej
[1] Këtu autori ka kapërcyer kuptimin që i ka dhënë umetit, duke nënkuptuar me ummeh një shtet tashmë. Pra, e ka fjalën për ato shtete që qeverisen sipas sheriatit (shën. i përkth.).
[2] Kurani, 2/163; 4/170; 5/76; 6/19; 18/111; 37/4. Në një pjesë shumë tërheqëse Zoti udhëroi Profetin (paqja qoftë me të!) dhe ndjekësit e tij me këto fjalë: “Thuaj: ‘O Ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin në vend të Allahut!’ Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: ‘Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut’!” (Kurani, 3/64)
[3] Kurani, 16/125.
[4] Kurani, 5/85.
[5] Kurani, 2/62.
[6] Kurani, 49/11.
[7] Po aty, 31/18; 57/23; 5/3.
(Revista Drita Islame, Mars 2013)