“Haxhi – udhëtimi i jetës”, mbahet edhe në Durrës


Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Myftinia Durrës, organizuan pasditen e 31 Gushtit 2013, simpoziumin: “Haxhi, udhëtimi i jetës”.

Në këtë simpozium ishin të pranishëm përfaqësues të Komunitetit Mysliman: Kancelari i KMSH – së Ali Zaimi, Përgjegjësi i Zyrës së Haxhit në KMSH Hamdi Çurri, si dhe Myftiu i Durrësit Redin Quku.

Programi u hap me këndimin e vargjeve të shenjta të Kuranit Famëlartë. Më pas myftiu z. Quku, mbajti fjalën përshëndetëse, i cili pasi falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre dhe Komunitetin Mysliman për organizimin e një aktiviteti të tillë, foli mbi domosdoshmërinë e kryerjes së Haxhit duke u mbështetur në Fjalën e Zotit, Kuranin dhe fjalët profetike, pasi ashtu siç edhe theksoi ai Haxhi është farz, është një detyrim për çdo mysliman, të paktën një herë në jetë.
Ndërsa Kancelari i Komunitetit Mysliman Ali Zaimi foli mbi vlerat e haxhit, e këtij udhëtimi të jetës. Ai përmendi vlerat vetjake dhe ato shoqërore që ka ky udhëtim.

“Haxhi mundëson që individit t’i falen mëkatet dhe zemra e tij të pastrohet prej gjynaheve. Vlerat e besimtarëve që kryejnë haxhin, në vështrimin e Allahut janë të mëdha. Profeti ynë i nderuar e ka shprehur këtë të vërtetë duke pohuar se: ‘Ata që kryejnë haxhin dhe umren janë mysafirët e Allahut. Nëse i drejtohen Allahut me lutje, Ai ua pranon. Në iu drejtofshin me pendesë, Ai i fal.’ Ndërsa përsa i përket vlerave shoqërore, pa marrë parasysh ndarje në baza ngjyre, gjuhe, race, kombësie, kulture, pozite shoqërore e posti politik, bashkon me një qëllim të vetëm miliona myslimanë, duke u bërë shkak për krijimin e një tabloje fort të gjallë të barazisë e të vëllazërisë. Të gjithë haxhinjtë të pasur e të varfër, të fuqishëm e të dobët, të veshur njëlloj, duke ndjekur të njëjtat rregulla, duke iu nënshtruar të njëjtave vështirësi, duke lëvizur në të njëjtat kushte, kalojnë nëpër një edukim të barazisë fizike e të vëllazërisë”, u shpreh zoti Zaimi.

Ai gjithashtu shtoi se “në të vërtetë një nga misionet e Haxhit është pikërisht ky: për të treguar se ndonëse të ndryshëm, mundemi lehtësisht të jemi bashkëpunues, mundemi të njohim njëri – tjetrin përtej perdes së paragjykimit, mundemi të jemi udhëheqës drejt drejtësisë si dhe ndërtues të vlerave më të mira.”

Ndërsa Përgjegjësi i Zyrës së Haxhit në KMSH Hamdi Çurri foli mbi ritualet e haxhit me mënyrën se si duhet të realizohet ky obligim sipas rregullave të përcaktuara në Kuran dhe në hadithet e profetit Muhamed a.s. Ai gjithashtu theksoi se haxhinjtë duhet të kenë kujdes pasi bëhen gabime. “Me të vërtetë Qabja është shtëpia e Zotit por ne nuk adhurojmë objekte por vetëm një Zot dhe ai është Allahu xh.sh. i Vetëm dhe i pashoq”, nënvizoi z. Çurri.

Në përfundim të simpoziumit dhjetëra të pranishmëve iu dhurua nga një kopje e revistës Drita Islame.

Haxhi, ky udhëtim i jetës, e pastron egon e njeriut prej mëkateve, e bën atë të dëlirë, e pajis me një kthjelltësi besimi, i çel dyert e një jete të re, përforcon jetën shpirtërore, konsolidon besimin që ai ndien kundrejt mëshirës dhe faljes hyjnore, ndihmon në ripërtëritjen e besës së dhënë Allahut, çon drejt asaj pendese të fuqishme që nuk shkelet lehtë, pastron krejtësisht shpirtin duke rafinuar ndjenjat dhe thuajse i jep krahë atij.

/Drita Islame/

Leave a Reply