Haxhi është një ndër kushtet themelore të Islamit. Ai nënkupton vizitën e Qabes e cila gjendet në Mekë dhe e vendeve të bekuara përreth saj, brenda një afati të caktuar si dhe në formën e caktuar. Haxhi është shtylla e fundit dhe një ndër institucionet e fesë islame. Kryerja e tij është obligim së paku një herë në jetën e njeriut, e kjo vlen për çdo mysliman dhe myslimane.
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Tij të Shenjtë: “Zoti e ka bërë detyrim haxhin, për njerëzit që kanë mundësi…” (Al-Imran, 97). Këtë obligim e gjejmë edhe në traditën profetike: “Islami është i ngritur mbi pesë shtylla…ku njëri prej tyre është kryerja e haxhit për atë që ka mundësi.”
Haxhi është prej adhurimeve që kryhen në të njëjtën kohë me shpirt dhe trup. Ai është një akt i pasurimit shpirtëror dhe përmirësimit të pajisjes morale, është vazhdim i devocionit të intensifikuar dhe e një përvoje disipline, është një tërësi e interesave humane dhe diturisë inspiruese.
Faltorja e shenjtë në Mekë, është tempulli i parë i themeluar dhe i kushtuar për adhurimin e Zotit në tokë. Pastrimi nga të gjitha mbeturinat e idhujtarisë ishte shenja e ngadhënjimit të njëshmërisë së Zotit. Ata që u morën me ndërtimin e saj ishin dy prej profetëve më të mëdhenj të Allahut, Ibrahimi (a.s.) dhe Ismaili (a.s. Këta të dy të përkushtuar krejtësisht vetëm ndaj Zotit, morën nismën për ndërtimin e faltores të njohur me emrin Qabe. “Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke ngritur themelet e shtëpisë (Qabes) luteshin: Zoti ynë, pranoje prej nesh, se në të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di!” (Bekare, 127)
E pra, Zoti dëshiroi që ta drejtonte të gjithë bashkësinë islame në një drejtim apo kible. Për këtë, thotë: “Ngado që të shkosh, ktheje fytyrën tënde nga ana e xhamisë së shenjtë (Qabes), kjo është e vërtetë nga Zoti yt. Allahu përcjell gjithçka veproni ju.” (Bekare, 149)
Një domethënie të madhe ka koha e caktuar e kryerjes së Haxhit. Haxhi mund të kryhej edhe duke i caktuar çdo shteti një periudhë të veçantë, por duhej që myslimanët, nga të katër anët e botës të lëvizin njëkohësisht për të treguar që janë një trup i vetëm. Dhe kjo për të shtuar dashurinë në mes tyre, për të larguar ndjenjat e racizmit dhe fanatizmit, në këtë mënyrë, paraqitet forma më e plotë e vëllazërimit dhe e barazisë.
Për hir të këtyre lidhjeve historike e shpirtërore, Zoti e bëri të obligueshme kryerjen e Haxhit në Faltoren e Shenjtë, një herë në vit.
Ritet e kësaj vizite gjallërojnë ndjenjat e besimit dhe bindjes, si dhe forcojnë edhe më shumë ndjenjat e përkushtimit ndaj Allahut, Krijuesit.
Mjaft domethënëse e kuptimplote janë edhe fjalët e thëna (telbija) nga çdo pelegrin, kur ai afrohet Shtëpisë së Zotit: “Të përgjigjem Ty o Zot, të përgjigjem Ty, nuk ka Zot tjetër veç Teje, lavdia dhe mirësitë të kushtohen vetëm Ty, Ti je zotëruesi i gjithçkaje, nuk ka Zot tjetër veç Teje!”
Kjo telbije, është ndoshta përgjigja ndaj thirrjes së Ibrahimit (a.s.), jehona e së cilës vazhdon edhe sot e që nuk është dobësuar apo venitur aspak nga kalimi i shekujve. “Përkujtoje kur Ne e udhëzuam Ibrahimin për në vendin e shtëpisë (Qabes): të mos më përshkruaj Mua shok, pastroje shtëpinë Time për ata që e vizitojnë (tavafi), që qëndrojnë në këmbë duke u falur, përkulur dhe që bëjnë sexhde. Dhe thirr ndër njerëz për Haxhin…” (Haxh, 26-27)
Kësaj thirrjeje të përsëritur pa pushim nga pelegrinët, i bashkëngjiten të gjithë adhuruesit në tokë, gjë që e tregon qartë fjala e profetit Muhamed (a.s.): “Kur një pelegrin thotë telbijen, çdo gur, pemë apo guralec, në të djathtë të tij flet bashkë me të.”
Haxhi është bekim shpirtëror dhe pasqyron formën më të lartë të bindjes ndaj urdhrave të Zotit. Ai është i lidhur ngushtë me moralin. Për këtë, Allahu thotë në Kur’anin e Shenjtë: “Haxhi është në muajt e mirënjohur dhe kush dëshiron të kryejë Haxhin, nuk duhet të veprojë vepra që ndalohen në Haxh, duhet të largohet nga gjynahet dhe të mos bëjë padrejtësi.” (Bekare, 197)
Si çdo adhurim tjetër edhe Haxhi ka qëllimet e tij:
– Ai nënkupton dorëzim të plotë ndaj urdhrave të Zotit të Lartësuar.
– Është konferenca më e madhe e paqes që njihet në historinë e njerëzimit, që ka si kryefjalë “Paqen”; paqe me Zotin, me veten, me njerëzit madje edhe me kafshët e deri tek insektet.
– Ai është demonstrim i përgjithshëm i universalitetit të fesë islame dhe një fakt i gjallë për vëllazërimin dhe barazinë e jetës nga të gjitha rangjet e klasat nga çdo vend i rruzullit tokësor. Pjesëmarrësit në të janë një, jo vetëm në fe, por edhe në mënyrën e jetesës, në rrobat që veshin e në lutjet që përsërisin, nuk ka aristokraci, por vetëm përulësi e dashuri.
– Ai tregon përkushtimin e myslimanëve ndaj Zotit, e në të njëjtën kohë dhe gatishmërinë e tyre për të sakrifikuar interesat materiale në shërbim të Tij.
– Ai bëhet për të njohur rrethin shpirtëror dhe historik të profetit Muhamed (a.s.), që të mund të nxjerrim inspirime të ngrohta e të forcojmë besimin.
– Bëhet me qëllim të përkufizimit të ritualeve hyjnore që i kanë bërë Ibrahimi dhe Ismaili (a.s.), të cilët kanë qenë vizituesit e parë të shtëpisë së Zotit në tokë (Qabe).
– Haxhi është përkujtuesi i Mbledhjes së Madhe në Ditën e Gjykimit, ditë kur njerëzit do të qëndrojnë të barabartë para Zotit. Sepse në të këto dy raste ka shumë njerëz, të cilët janë të nënshtruar ndaj vullnetit të Krijuesit, e ata shfaqin nevojën e tyre ndaj Zotit. Gjë që e shohim të konkretizuar në Kur’anin e Shenjtë në suren Haxh, e cila fillon me përkujtimin e Ditës së Gjykimit: “O ju njerëz, kijeni frikë Zotin tuaj dhe jini të bindur ndaj Tij, vërtetë tronditja e orës së Gjykimit është gjë e tmerrshme…” (Haxh, 1)
E pra, Haxhi, gjithnjë duhet të jetë koha dhe vendtakimi i të gjithë myslimanëve dhe njëherazi edhe pikëmbështetja e tyre kryesore.
(Revista Drita Islame, Shtator 2013)