Hap pas hapi me “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”


Me iniciativën e Drejtorisë së Kulturës në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ditën e shtunë, më 15 qershor 2013, në ambientet e kinema “Millenium”, Shkodër, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Myftinia Shkodër, ka organizuar aktivitetin fetaro-shkencor: Hap pas hapi me “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”, në nderim të jetës dhe veprës së hoxhallarëve të nderuar të Shkodrës, të përfshirë në veprën: “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”, botim i KMSh.

Aktiviteti ka nisur me leximin e një pjese kur’anore nga teologu Nadi Braqi dhe këndimin e himnit të flamurit kombëtar.

Me shumë emocion është ndjekur dokumentari: “90 vjet Komuniteti Mysliman Shqiptar”, kushtuar aktivitetit dhe veprimtarisë së KMSh, në periudhën pas ngritjes së flamurit kombëtar, më 1912.

Në fjalën e tij të rastit, Imam Muhamed Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, ka vlerësuar kontributin dhe gjurmët e hoxhallarëve shqiptarë në edukimin e brezave me dashuri për All-llahun, njëri-tjetrin dhe vullnetin për t’i shërbyer atdheut dhe kombit shqiptar.

Më pas, në fjalën e tij përshëndetëse, Hirësia e Tij, H. Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ka vlerësuar rolin e hoxhallarëve shqiptar ndër shekuj, për nxitjen e harmonisë, tolerancës dhe paqes në shoqëri. Ndër të tjera ka thënë: “Brezat e ri, kanë një motiv më shumë për t’u ndjerë krenarë me jetën dhe veprën e intelektualëve të nderuar dhe hoxhallarëve të shquar të Shkodrës, të cilët punuan dhe vepruan gjatë gjithë jetës për të mbjellë harmoni, dije, përkushtim, kulturë, qytetari dhe mbi të gjitha paqe në shoqëri. Këto cilësi dhe virtyte, për të cilat punuan dhe vepruan, bënë që shqiptarët të jenë më të lidhur dhe më të afruar me njëri-tjetrin, më solidarë me nevojtarin, më bashkëpunues, pavarësisht përkatësisë fetare.”

Aktiviteti ka vijuar me referatin me temë: “Kontributi i prijësve myslimanë shqiptarë në formësimin e vetëdijes kombëtare”, mbajtur nga Drejtori i Kulturës në KMSh, z. Genti Kruja. Gjatë fjalës së tij, z. Kruja ka nxjerë në pah vlerën dhe kontributin e shquar të elitës së hoxhallarëve shqiptarë, në formësimin e vetëdijes kombëtare dhe nxitjen e dijes, kulturës së harmonisë dhe dialogut.

Me shumë emocion është ndjekur recitimi i disa vargjeve të Sheh Ahmed Shkodrës, nga aktori i mirënjohur, z. Bujar Asqeriu, nëpërmjet të cilave bëhet thirrje për besim në Zotin, dhe harmoni e vëllazëri kombëtare.

Një moment shumë i veçantë i këtij aktiviteti ka qenë edhe dorëzimi i titujve: “Qytetar Nderi”, nga Këshilli i Bashkisë Shkodër, për 20 personalitete të kulturës islame në Shkodër.

Titujt i janë shpërndarë familjarëve të hoxhallarëve të nderuar nga Kryetari i Këshillit të Bashkisë Shkodër, z. Bardhyl Lohja dhe nën/kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu.

Në përfundim të aktivitetit, familjarët e hoxhallarëve, janë përshëndetur me drejtuesit e lartë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Myftinisë Shkodër dhe kanë shprehur mirënjohjen dhe falënderimet për nderimin që u është bërë të afërmve të tyre.
/Myftinia Shkoder/

Leave a Reply