Feja islame e mbështet zhvillimin dhe përparimin e njerëzimit në dituri. Pikërisht për këtë në Kur’an i madhi Allah vlerëson të mësuarit, diturinë. I pari ajeti kur’anor që iu komunikua profetit Muhamed a.s. ishte: “Lexo në emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë)”. Është e qartë se mesazhi i Allahut xh.sh. për njerëzit është të mësuarit dhe kjo për të gjithë myslimanët pa dallim, për femrat dhe meshkujt. Duke u nisur nga porositë e të madhit Zot, myslimanët e kohës së Profetit dhe ata që erdhën më pas u dhanë me mish e me shpirt për të përvetësuar diturinë, shkencën. Ata u përpoqën me të gjitha aftësitë e tyre që dijet t’i vënë në shërbim të njerëzimit, duke u përpjekur që mesazhet e Kur’anit t’i provojnë nëpërmjet eksperimentit dhe filozofisë së mendimit të lirë, nëpërmjet debatit dhe zbulimeve që ata arritën në fshehtësinë e natyrës.
Myslimanët, të mbështetur në mësimet e Kur’anit, nuk gjenin asnjë pengesë që të studiojnë çdo lloj shkence, pavarësisht se në cilin vend ishte zhvilluar, ose nga cili fizozof a shkencëtar ishte shkruar. Profeti ynë, Muhamedi a.s., i porosiste myslimanët: “Kërkimi i diturisë është detyrë e çdo myslimani e myslimaneje”. Në këtë mënyrë, Profeti a.s. i nxiste që të studionin gjithçka të trashëguar në shkencë, filozofi e çdo kulturë tjetër nga popujt e zhvilluar para se të vinte Islami. Dijetarët myslimanë, të nxitur nga mësimet e Kur’anit dhe porositë e Profetit të tyre, u njohën me kulturën greke e romake dhe me kulturën e vjetër të shumë popujve të tjerë, duke e çuar atë shumë më përpara e duke i dhënë një zhvillim të paparë dijes e shkencës.
Është një e vërtetë e padiskutueshme se kur Evropa gjëmonte nën tiraninë e paditurisë dhe në mes të Romës kullosnin derrat, në botën islame ndriçonte dija dhe shkenca. Universitetet myslimane në Kordobë të Spanjës, në Kajro, në Bagdad e gjetkë u bënë qendrat e dijes e të shkencës. Njerëzit atje bënin një jetë të kulturuar dhe jetonin me shumë komoditete. Të gjithë këtë përparim në shkencë e dituri që Islami arriti t’ua sillte popujve të botës në një kohë të shkurtër, bota para islame s’e kishte arritur për shekuj të tërë.
Në kohën e Profetit a.s. u zhvillua një punë e paparë në historinë botërore kundër paditurisë dhe injorancës. Aq e vërtetë është kjo, saqë edhe robërve të luftës, që kishin njëfarë kulture, u garantohej liria po t’i mësonin 10 personave shkrim e këndim. Beteja për të luftuar injorancën zhvillohej në mënyrë paralele, si për burrat ashtu edhe për gratë: “Sa të mira janë gratë e ensarëve, që merren me përhapjen e mësimeve të Kur’anit”, shprehet profeti Muhamed a.s. në një hadith të tij.
Duke pasur parasysh se me përqafimin e diturisë, bota islame i la një trashëgimi të madhe njerëzimit në zhvillimin e të gjitha shkencave, për çka Evropa dhe tërë bota ia ka borxh mirënjohjen, të vjen keq kur sot shikon se sa prapa kanë mbetur myslimanët në shkencë e përgjithësisht në dituri, në krahasim me Evropën dhe Amerikën. Bota islame, duke pasur parasysh mesazhet e Kur’anit e duke qenë e bindur se në çdo mesazh ka të vërteta të padiskutueshme, duhej të thellohej në studimet shkencore për t’i provuar me anë të eksperimentit ose të provave konkrete; për të krijuar bindje në ekzistencën e Një Zoti, Krijues e rregullator i gjithë rruzullit. Këtë e bënë jomyslimanët dhe për këtë duhen përgëzuar. A nuk u dilte domosdoshmëri dijetarëve e shkencëtarëve myslimanë që të zhvillonin shkencën për të studiuar dhe gjetur galaktikat dhe hapësirat qiellore?! Kështu, në një ajet të Kur’anit thuhet: “Në krijimin e qiellit dhe të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës ka shenja për ata që mendojnë…” Sa e sa mesazhe ka në Kur’an që shkenca duhet t’i provojë dhe që shumë prej tyre i ka provuar, por fatkeqësisht dijetarët myslimanë as që janë marrë me këto probleme. Ata mjaftohen duke shkruar se shkenca ka provuar këtë ose atë të vërtetë që e thotë Kur’ani. Kur’ani s’ka asnjë dyshim se me mesazhet e veta vërteton fshehtësinë e botës sonë, fshehtësitë e vetë organizmit tonë si dhe ato të gjithë rruzullit. Detyra e dijetarëve është që këto mesazhe t’ua provojnë masave me anë të provave dhe eksperimenteve, me argumente shkencore, etj. Vetëm kështu do të provojmë madhështinë e Kur’anit si Fjalë e Zotit dhe do t’i bënim të ndërgjegjshme masat në njohjen dhe besimin në një Zot.
Në Kur’an thuhet: “O Zot, na gëzo me të mirat e kësaj bote dhe ato të botës tjetër”. A ka mesazh më të qartë se ky ajet kuranor?! Të gëzosh të mirat e kësaj bote, duhet ditur shkencë që të shfrytëzosh tokën dhe nëntokën, por krahas kësaj të mos harrosh dhe formimin me moral të njeriut për të siguruar harmoninë, dashurinë ndërmjet njerëzve. Kjo pa dyshim kërkon zbulimin e ligjeve sociale, gjë që bëhet vetëm me dituri, të mbështetur në Kur’anin e Madhnueshëm. Vetëm kështu dijetarët myslimanë e kryejnë detyrën e tyre karshi Zotit, duke i bërë njerëzit të aftë për këtë jetë e duke i përgatitur njëkohësisht edhe për jetën tjetër.
Sikur dijetarët myslimanë të zbatonin mësimet e Kur’anit dhe me njohuritë e tyre të porosisnin masat se vetëm Fjala e Allahut e çon shoqërinë përpara, duke vënë në lëvizje mendjen (dhurata më e çmuar që i ka dhënë Zoti njeriut) Islami pa dyshim do të kishte sunduar botën. Është më se e vërtetë se Evropa dhe Amerika kanë bërë hapa të mëdha në zbulimet shkencore, por nuk arritën dhe nuk do të arrijnë asnjëherë të zgjidhin problemet sociale për të vetmen arsye, se ata nuk e njohin Kur’anin (Fjalën e Allahut). Ata nuk njohin ligjet sociale të shoqërisë, siç porosit Allahu në Kur’an.
Dijetari i madh anglez Xhorxh Bernard Shou parashikon që shekulli në të cilin jetojmë do të jetë shekulli i Islamit. Kjo do të vërtetohet nëse dijetarët myslimanë, ashtu si dikur, të mbështetur në mësimet e Kur’anit, duke i zbërthyer ato shkencërisht, do t’u bëjnë të ditur masave ligjet sociale të Kur’anit, duke u paraprirë edhe masave organizative të ndërtimit të shoqërisë. Kjo bëhet sigurisht vetëm me dituri.
Sefer Bajraktari
Marr nga: https://dritaislame.al/