
Nuk mjafton të thuhet vetëm me gojë se unë e dua Pejgamberin a.s, por. Pas këtij pohimi kërkohet edhe shkuarja pas mësimeve të tij dhe praktikimi i tyre. Allahu xh.sh. thotë: “Thuaj! Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t’ju falë gjynahet tuaja. Allahu falë dhe mëshiron shumë”. (Ali Imran, 31)
Sehl ibën Abdullah ka thënë: “Shenjë e dashurisë së Allahut është të duash Kuranin. Shenjë e dashurisë së Kuranit është të duash pejgamberin. Shenjë e dashurisë së Pejgamberit është të duash sunetin e tij.
Enes ibn Maliku r.a. tregon se një njeri e ka pyetur Pejgamberin a.s. se kur do të ndodhë Dita e gjykimit. Pejgamberi a.s. e pyeti se çfarë kishte përgatitur ai për Ditën e gjykimit. Personi iu përgjigj: Për Ditën e gjykimit nuk kam përgatitur shumë gjëra me përjashtim të obligimeve, por e dua Allahun dhe Pejgamberin e Tij. Pejgamberi a.s. i tha: Ti do të jesh në botën tjetër sëbashku me atë që e do. (Buhari)
Dashuria është baza e çdo vepre në këtë jetë. Çdo vepër në botë buron nga dashuria dhe dëshira. (Kaide fil mehabbe, Ibën Tejmijje 2/ 193 dhe 202)
Në një hadith të transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi Pejgamberi a.s. ka thënë: “Asnjëri nuk ka besuar plotësisht përderisa të mos më dojë mua më shumë se baban, fëmijët e tij, veten dhe njerëzit mbarë”.
Në lufën e Uhudit një gruaje muslimane nga fisi Beni Dinar, i vdiqën në luftë burri, vëllai dhe i ati. Kur e lajmëruan dhe u përpoqën që ta ngushëllonin, ajo u tha njerëzve që e rrethonin: çfarë i ka ndodhur Pejgamberit a.s.? I thanë: Ai është gjallë. Tha: Ma tregoni që ta shoh. Kur e pa se ai ishte i gjallë tha: çdo fatkeqësi është e parëndësishme përpara fatkeqsisë së humbjes tënde”. (Siretu Ibn Is’hak, 2, 99).
Omer ibën Hattabi r.a. një herë i tha Pejgamberit a.s. : “O i Dërguar i Allahut, vërtet unë të dua më shumë se çdo gjë, përveç vetes time! Pejgamberi a.s. tha: Jo, pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, ti nuk më don mua me të vërtetë nëqoftëse e don veten tënde më shumë se mua. Omeri r.a. tha: Pas këtij çasti, pasha Allahun, ti je më i dashur për mua se vetja ime. Pejgamberi a.s. tha: Tani po, o Omer.” (Buhariu)
Dashuria ndaj Pejgamberit a.s. bën të mundur që besimtari të shijojë ëmbëlsinë e (imanit) besimit. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Enesi r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush i zotëron tri gjëra ai do ta shijojë ëmbëlsinë e besimit: njëra prej tyre është ta duash Allahun dhe të dërguarin e Tij me shumë se çdo gjë tjetër “.
Hubejb ibni Adijjin, e zënë rob pas kurthit që i ngritën muslimanëve disa fise politeist, mushrikët e pyetën pak përpara momentit të ekzekutimit: A do të dëshiroje që në këtë çast, në vendin tënd të ishte Muhammedi a.s.? Dhe përgjigjja e tij ishte e prerë dhe e qartë: Jo, Vallahi nuk do të pranoja që, në këmbim të shpëtimit tim, atij t’i ngulej qoftë edhe një gjemb në këmbë. Pastaj mushrikët, armiqtë e Allahut dhe të pejgamberit, vendosën ta ekzekutojnë. Hubejb ibni Adijj r.a i ngrit duart nga qielli e tha: O Allah nuk mund ta përshëndes për të fundit herë, të dashurin Tënd a.s., prandaj dërgoja Ti përshëndetjen time atje ku ndodhet. Muhammedi a.s. gjendej me shokët e tij kur ata dëgjuan se ai tha: Të përshëndes edhe unë ty o Hubejb. Të habitur ashabët e pyetën të dërguarin e Allahut se ç’kishte? Ai me lot në sy u tha: Hubejbi ra shehid, por në çastin e fundit të jetës nuk harroi të më dërgonte selame. Allahumme sal-li ala Muhammedin ue ala ali Muhammed.
E lusim Allahun xh.sh. që edhe ne të edukohemi me dashurinë që kishin sahabët për Pejgamberin a.s.