Sot, në mbarë vendin, medresetë, ashtu si gjithë institucionet e tjera arsimore çelën zyrtarisht vitin e ri shkollor 2025-2026, duke hapur dyert për qindra nxënës të rinj që nisin rrugëtimin e dijes dhe edukimit.
Në Medresenë e Tiranës, në ceremoninë e organizuar me këtë rast, të pranishëm ishin Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli, si dhe Drejtori i Arsimit në KMSH, z. Elton Karaj. Ata përshëndetën nxënësit, mësuesit dhe prindërit, duke theksuar se medreseja mbetet një institucion unik që kombinon formimin shkencor me edukimin moral e fetar.
Po ashtu, në Medresenë e Elbasanit, Nënkryetari i KMSH-së, z. Tauland Bica, mori pjesë në hapjen e vitit të ri shkollor, duke uruar mbarësi dhe suksese për të gjithë nxënësit. Ai theksoi se medresetë kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të çmuar në përgatitjen e brezave të rinj të ditur, të përgjegjshëm dhe me vlera të forta morale dhe etike.
Ceremoni hapëse u zhvilluan gjithashtu edhe në Medresenë e Shkodrës “H. Sheh Shamia”, dhe Medresenë e Durrësit “Mustafa Varoshi”,, ku drejtuesit e institucioneve, së bashku me stafet pedagogjike, i uruan nxënësit për një vit të mbarë dhe të suksesshëm.
Drejtorët e medreseve shprehën mirënjohje për prindërit që u besojnë fëmijët e tyre këtij rrugëtimi, duke theksuar përkushtimin e stafit mësimor për të ofruar arsim cilësor dhe edukim të shëndetshëm shpirtëror.
Ky vit i ri shkollor pritet të jetë një tjetër kapitull i rëndësishëm për medresetë e Shqipërisë, të cilat prej dekadash vazhdojnë të jenë qendra dije, kulture dhe përgatitjeje të brezave që kontribuojnë me dinjitet në shoqëri.
Burimi: kmsh.al