Adhurimet më të spikatura gjatë Ramazanit


Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai i cili falet gjatë netëve të Ramazanit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, i falen të gjitha mëkatet e kaluara.”[1]

Shpjegimi i hadithit

Ky hadith profetik flet për faljen e namazit gjatë netëve të muajit Ramazan dhe se falja gjatë netëve të Ramazanit është shkak për shlyerjen e mëkateve. Ai i cili gjatë muajit të Ramazanit e fal namazin e teravive ashtu siç duhet, ai në të vërtetë ia ka arritur qëllimit. Që atij t’i falen mëkatet duhet që të plotësojë kushtin: “me besim dhe duke shpresuar shpërblimin”.

“Me besim” do të thotë: në momentin që ai po falet, beson Allahun dhe të Dërguarin e Tij, beson në atë që Allahu ka premtuar, beson në vlerën që ka falja dhe beson në shpërblimin e madh që i jep Allahu i Lartësuar.

“Duke shpresuar shpërblimin” do të thotë: ai shpreson se do të shpërblehet nga Allahu për këtë që po vepron. Dhe në të njëjtën kohë nuk ka asnjë synim tjetër, si p.sh. të falet sa për sy e faqe të të tjerëve.

Ebu Hurejra trregon se përmes kësaj porosie Profeti (a.s.) i ka nxitur shokët e tij që të falin namazin e teravive, sepse edhe shpërblimi i tij është shumë i madh.

Myslimani duhet që ta falë namazin e teravisë dhe nuk duhet të neglizhojë aspak. Ai duhet të falet bashkë me imamin deri në fund sado që të jetë numri i rekateve që fal imami, sepse Profeti (a.s.) thotë: “Ai i cili falet me imamin derisa ai të largohet, i quhet sikur ka falur tërë natën.”[2] Prandaj besimtari i mençur i shfrytëzon këto netë në maksimum, pasi këto netë janë të numëruara dhe mbarojnë shumë shpejt. Është pyetur imam Ahmedi rreth atij personi që dëshiron t’i falë teravitë në pjesën e fundit të natës. Jo – është përgjigjur ai, unë preferoj që të ndjek sunetin e myslimanëve.

Nëse myslimani dëshiron që të falet në kohën e syfyrit, atëherë ai nuk e fal vitrin përsëri, sepse e ka falur një herë vitrin me imamin në namazin e teravive, ngaqë profeti (a.s.) ka thënë: “Njeriu nuk mund të falë dy namaze të vitrit në një natë.”[3]

Në një hadith profetik (a.s.) qëndron: “Namazi i fundit që duhet të falë njeriu natën është namazi i vitrit”[4] Ky hadith flet për atë person që dëshiron të falet në pjesën e fundit të natës, kështu që nuk ka përse ta falë namazin e vitrit në pjesën e parë të natës. Gjithsesi falja e namazit të vitrit në pjesën e fundit të natës konsiderohet sunet dhe jo obligim. Imam Ahmedi ka thënë: “Ai i cili e ka falur namazin e vitrit në pjesën e parë të natës, pastaj zgjohet në pjesën e fundit të natës për të falë namazin e natës dy e nga dy, nuk duhet ta falë më namazin e vitrit.

Imami duhet të jetë sa më i përkushtuar në faljen e namazit të teravive, duhet të lexojë Kuran sa më qartë dhe me rregulla, në ruku dhe në sexhde duhet të jetë sa më i qetë. Ai duhet të bëjë shumë kujdes që në asnjë mënyrë të mos nxitojë, sepse kështu i humb vlera qetësisë dhe përkushtimit gjatë faljes së namazit. Po ashtu ai duhet të ketë kujdes që të mos bëhet i mërzitshëm dhe të mos e lodhë xhematin, sepse pjesë e xhematit janë të thyerit në moshë, të sëmurët dhe njerëzit e pafuqishëm.

Të gjitha obligimet që vijnë nga Allahu dhe profeti Muhamed (a.s.), nuk kanë për qëllim diçka tjetër përpos unitetin dhe bashkimin e radhëve tona rreth çështjeve më parësore – bindjen se Allahu është Një dhe Ai meriton adhurimin; ta dëshmojmë Atë me gjuhë. Namazi dhe të gjitha adhurimet e tjera të detyruara, nuk janë diçka tjetër përveçse forcim për radhët tona dhe tolerancë ndërnjerëzore.

/Elton Harxhi-Drita Islame/

[1] Transmetojnë imam Buhari dhe imam Muslimi.

[2] Transmetojnë imam Ebu Daudi, imam En Nesai dhe imam Et Tirmidhiu. Imam Et Tirmidhi ka thënë: hadithi është hasen i saktë.

[3] Transmetojnë imam Ebu Daudi, imam Et Tirmidhi, En Nesai dhe imam Ahmedi. Hadithi është i saktë.

[4] Transmetojnë imam Buhari dhe imam Muslimi.

Leave a Reply