Agjërimi islam – disiplinë morale, shpirtërore, fizike e shoqërore

Ramazan-1
S’ka nxitje më të madhe se ajo e të fikurit të etjes e të rurisë, kur pija dhe ushqimi janë nën zotërimin e çdonjërit prej nesh e urdhërojmë veten, jo vetëm një herë e dy, por përditë e rregulllisht për një muaj të tërë me qëllim për t’iu afruar sa më tepër Qenies Hyjnore.

Agjërimi – bazë e Islamit – Baza a instituti i agjërimit në Islam erdhi mbas atij të lutjes. Agjërimi u bë i detyrueshëm në Medine, në vitin e dytë të Hixhretit. Para kësaj Profeti agjëronte me dëshirën e vet, si një devocion, në të dhjetën ditë të Muharremit dhe i urdhëronte, gjithashtu, ndjekësit e vet ta agjërojnë atë ditë, mbasi kishte një ditë agjërimi edhe për Kurejshët bazuar në një thënie të Aishes (Buhari, kapitulli 30, hadithi 1). Origjina e agjërimit në Islam mund të gjurmohet kështu deri në kohën kur Profeti ishte ende në Mekë, mirëpo sipas Ibni Abbasit ndodhi mbasi emigroi në Medine, ku iu tregua se edhe Musai agjëronte të dhjetën ditë të Muharremit për kujtim të shpëtimit të izraelitëve, dhe myslimanët si më të afërt te Musai… e bënë si rregull ta agjërojnë atë ditë (Buhari 30: 90).

Një institut i përgjithshëm: Subjekti i agjërimit në Kur’an është zhvilluar vetëm në një vend, domethënë në ajetin 28, kapitulli dy, megjithëse agjërimi është përmedur edhe në raste të tjera me qëllim falje të metash personale e disa herë si fidje. Ky ajet fillon me shënimin që instituti i agjërimit është i përgjithshëm, “O besimtarë! Agjërimi u bë i detyrueshëm mbi juve ashtu sikundër ishte i detyrueshëm për ata para jush, kështu që të mund të rueheni nga e keqja” (2: 188). E vërteta e kësaj shprehje – që agjërimi “ishte i detyrueshëm për ata para jush” – dëshmohet edhe nga historia e feve. Ushtrimi i agjërimit ka qenë i njohur pothuaj përgjithësisht në të gjitha fetë e kumtuara, megjithëse e njëjta rëndësi nuk i është dhënë në të gjitha, si dhe format e qëllimet ndryshojnë. “Metodat dhe qëllimet e tyre ndryshojnë shumë simbas klimës, racës, qytetërimit dhe rrethanave të tjera; por kishte për të qenë e vështirë me gjet ndonjë sistem fetar të përmendun që të mos e ketë njohur fare atë.” (Encyklopedia Britanica, Art, Fasting).

Kuptimi i ri i dhënë nga Islami – Cruden-i në Librin e tij, Bible Concordence, thotë se agjërimi, në të gjitha kombet mbahesh “në kohë zie, fatkeqësie ose vdekje”, e kjo provohet me fakte, mirëpo Islami i ka dhanë këtij ushtrimi një kuptim të lartë e të zhvilluar. Ai refuzoi kryekëput idenë e zbutjes të zemërimit të Zotit, ose për të fituar dashurinë e Tij me anë të vuajtjeve vetëdashëse, dhe i zëvendësoi këto me agjërime të rregullta e të vazhdueshme, pa marrë parasysh gjendjen individuale e krahinore, si një mjet për të zhvilluar fakultetet e brendshme të njeriut. Kur’ani flet edhe për agjërime të tjera si për t’u shkarkuar nga shkelja pa dashur e ligjeve Hyjnore megjithatë këto janë krejt të dallueshme nga agjërimi i detyrueshëm i Ramazanit, dhe se janë përmendur si një alternativë ndaj një vepre bamirëse, si p.sh. ushqimi i një të varfri.

Agjërimi në Islam, si një institut, është bërë disiplinë shpirtërore, morale e fizike e urdhrit më të lartë, dhe se kjo është bërë e qartë nga ndërrimi i formës dhe i qëllimit. Duke bërë këtë institut të vazhdueshëm, gjithë idetë e frikës, të fatkeqësisë e të mëkatit janë të përjashtuara, ndërsa qëllimi i tij i vërtetë është treguar qartë duke thënë: që të mund të ruheni (tettekun) nga e keqja”. Fjala itteka, e cila do të thotë, me e rujt një gjë nga gjithçka që e dëmton ose e plagos, ose me e ruejt nga çdo gjë që është frikë se jep përfundime të këqija”. Përveç kësaj fjala është përdorur në Kur’an lirisht në kuptim të përmbushjes të detyrave (4: 1), ku erham (lidhjet fisnore të gjakut) janë quajtur si një objekt i ittekas, ose përgjithësisht si në ittekull-Llahe, ku Zoti është qëllimi i ittekas, e prandaj kuptimi i saj për të gjitha këto raste është një përmbushje e detyrimeve. Në gjuhën e Kur’anit të qenët mutteki, do të thotë, të arrish gradën e zhvillimit më të lartë shpirtëror. “Zoti është miku i Muttekive” (45:19); “Zoti i do Muttekijët” (3: 75); 9: 4, 7); “Zoti është me Muttekiët” (2: 194; 9: 36, 128); “Fundi është i mirë për Muttekiët” (7: 128; 11: 49; 28: 83); Për muttekiët është një vend i shkëlqyer” (38: 49). Këto dhe shumë fraza kësodore dëshmojnë qartë se Mutteki, sipas Kur’anit, është ai njeri që ka arritur shkallën më të lartë të zhvilimit shpirtëror.

Një disiplinë shpirtërore – Agjërimi, sipas Islamit, së pari është një disiplinë shpirtërore (9:112 dhe 66:5).

Kur’ani, duke folur mbi Ramazanin, i referohet veçanërisht afrimit te Zoti, mbërritja e të cilit është një nga qëllimet e agjërimit e pastaj shton: “Kështu ata lypset t’i përgjigjen thirrjes Time (duke agjëruar) e të Më besojnë që kësisoj të mund të gjejnë rrugën për te Mua” (2:186). Në hadithin profetik, gjithashtu, i është dhënë rëndësi e posaçme faktit që, kënaqësia Hyjnore, lypset të jetë qëllimi i fundit në agjërim: “Cilido që agjëron Ramazanin, duhet të ketë besim në Mua e të kërkojë kënaqësinë Time” (Buhari, 2: 28). Profeti tha ”Agjërimi është mburojë, kështu që agjëruesi s’duhet të merret me biseda të kota… sigurisht fryma e një njeriu që agjëron është më e këndshme te Zoti sesa era e myshkut; ai ndalohet nga ushqimi e pija e nga dëshirat e tjera, vetëm e vetëm që të fitojë kënaqësinë Time: agjërimi është vetëm për Mua” (Buhari 80:2).

S’ka nxitje më të madhe se ajo e të fikurit të etjes e të rurisë, kur pija dhe ushqimi janë nën zotërimin e çdonjërit prej nesh e urdhërojmë veten, jo vetëm një herë e dy, por përditë e rregulllisht për një muaj të tërë me qëllim për t’iu afruar sa më tepër Qenies Hyjnore. Njeriu e përdor këtë si perhizin më të mirë e prapë preferon të rrijë i uritur, duke pasur në posedimin e tij pije të ftohta dhe e djeg fyrtin për ujë, dhe këto i bën për hirin e urdhrit të Zotit. Ndër skutat e fshehta të shtëpisë së tij s’ka kush që ta shohë nëse lag fytin e djegur me një gotë ujë të freskët, mirëpo tek ai është zhvilluar ndjenja e afrimit te Zoti në gradë të atillë që nuk don me lag edhe buzën me një pikë ujë. Sa herë që i vjen ndonjë shtytje e keqe ai e mposht, sepse pikërisht në momentin kritik, i thotë një zë nga mbrenda: “Zoti është me ty; Zoti të sheh”.

Një disiplinë morale – Në agjërim gjithashtu shtrihet edhe disiplina morale, sepse është fusha ku njeriut i mësohet morali i lartë i kësaj jete-sprovimi që ai duhet të përballojë për të duruar mundimin më të madh vetëm e vetëm që të mos zhytet në atë që është e lejueshme për të. Ky mësim përsëritet për çdo ditë gjatë një muaji të tërë; dhe pikërisht sikur ushtrimi fizik që zhvillon njeriun fizikisht ashtu edhe ushtrimi moral, me anë të agjërimit e të frenimit, forcon anën morale të jetës së tij. Qëllimit, që çdo gjë e paligjshme lypset të shkelmohet dhe e keqja duhet të urrehet, i mbërrihet vetëm me anë të agjërimit. Një tjetër pikëpamje e zhvillimit moral të njeriut, me anë të këtij mjeti, është se në këtë mënyrë, ai stërvitet për të mposhtur dëshirat e tij fizike dhe lakmitare. Ai ha ushqim në intervale të rregullta, e s’ka dyshim se kjo është e dëshiruar edhe nga rregullat e jetës, për faktin se agjërimi një muaj në vit, i jep atij mësimin më të lartë. Ai në vend që të jetë skllavi i lakmive e i epsheve, bëhet zotërues i tyre e kështu i aftë për të mbajtur rrugën e drejtë në këtë jetë kalimtare. Njeriu, që është bërë i zoti të kontrollojë dëshirat e tij, bën që fuqija e vullnetit të tij të zhvillohet kaq shumë sa mund të urdhërojë lirisht vetveten e kështu t’ia arrijë madhështisë së vërtetë morale.

Vlera shoqërore e agjërimit – Përveç vlerave shpirtërore e morale, agjërimi, siç përshkruhet në Kuran, ka gjithashtu edhe një vlerë shoqërore shumë më efektive se ajo që realizohet me anë të namazit. Në këtë të fundit, i pasuri e i varfri, i madhi e i vogli (në gradë), të gjithë mblidhen në faltore, pesë herë në ditë, me kondita plotësisht të barabarta, e kështu themelohen marrëdhënie të shëndetshme shoqërore. Mirëpo me t’u parë hëna e Ramazanit, është shenjë e një lëvizjeje të përgjithshme drejt barazimit, e cila nuk është e kufizuar vetëm në një pjesë ose krahinë, por përmbledh krejt botën myslimane. Pasaniku e i vobegti mund të rrinë gju më gju në një rresht brenda në xhami, por në shtëpitë e tyre jetojnë në kondita të ndryshme. I pasuri ulet në sofër ose mbi tryezë të mbushur me plot të mira dhe ngop barkun nga 4-5 herë në ditë, ndërsa i varfri nuk mund të gjejë ushqim as sa për të shuar tamam urinë qoftë edhe dy herë në ditë. Ky i fundit ndjen ngërmimin e urisë, gjë që i pari nuk e njeh fare, atëherë si mundet i pasuri të ndjejë e të simpatizojë të papasurin? Kësisoj ekziston një pengesë e madhe në mes të dy klasave në shtëpitë e tyre, dhe se kjo pengesë zhduket vetëm kur i pasuri detyrohet të ndjejë dhimbjen e urisë sikur vëllai i tij më i varfër e të kalojë pa ngrënë gjatë ditës, e se kjo provë do të përshkojë jo vetëm një ditë ose dy, por një muaj plot. Në këtë mënyrë i pasuri i e varfri, në gjithë botën myslimane, vihen në barazi të plotë, në atë që do të hanë vetëm dy herë në 24 orë në ditë, megjithëse gjellët mund të mos jenë njëlloj, por i pasuri së paku detyrohet t’i shkurtojë e të adoptojë thjeshtësinë e ushqimit që bën vëllai i tij i vobegtë. Kjo rrugë ngjall, pa dyshim, një simpati të veçantë në zemrat e pasanikëve ndaj të varfërve, dhe është kjo arsyeja që jemi urdhëruar për t’i ndihmuar më tepër nevojtarët, veçanërisht gjatë Ramazanit.

Vlera fizike e agjërimit – Sado që mund të tingëllojë si paradoks ngelja pa ngrënë gjatë intervaleve të ditës, mirëpo kjo shton shijen e të ngrënit. Pushimi për një muaj i organeve të tjerat u jep atyre fuqi të re porsi një tokë që lihet djerr, e nga pushimi që bën bëhet më prodhuese. Po kështu gjithë organet e trupit janë bërë në mënyrë që vetëm shlodhja u shton aftësinë etyre për punë, e sa me mirë të jetë aftësia e organeve të tretjes, aq më e shëndetshme vjen rritja fizike e njeriut.

Po, agjërimi ka edhe një vlerë tjetër fizike e ndoshta më të rëndësishhme. Njeriu, që nuk mund tëpërballojë vështirësitë e jetës, sikur qëllon shpesh, pa konfortet e zakonshme, nuk mund të thotë se është i përshtatshëm për luftën e kësaj bote. Çasti që njeriu i tillë bien në vështirësi ose mungesë, sikurse mund të ndodhë shpeshherë, fuqia e tij është e pjerrun të dështojë. Pra, në këtë rast, agjërimi e mëson atë të përballojë fatkeqësitë e jetës, i jep një mësim praktik, me të cilin shton fuqitë e tij të qëndrimit drejt atij qëllimi.

Muaji i Ramazanit – Me disa përjashtime që do të përmenden më poshtë, myslimanëve iu duhet të agjërojnë për 29 ose 30 ditët e muajit të Ramazanit. Numri ekzakt varet në pamjen e hënës, e cila mund të duket mbas 29 ose 30 ditësh. Agjërimi fillon me hënën e re të Ramazanit dhe mbaron me dukjen e hënës së re të muajit Shevval. Përcillet se Profeti (a.s.) ka thënë: “Ne jemi një popull që as nuk shkruajmë as nuk mbajmë llogari për sa i përket këtij, pse muaji është kështu e kështu, duke i treguar me gishta nji herë 29 e një herë 30” (Buhari, 30: 13).

Një hadith tjetër thotë: “Profeti kur përmendi Ramazanin tha: mos agjëroni deri sa ta shihni hënën e re, dhe mos e ndërpreni deri sa ta shihni prapë atë, e nëse ka re llogariteni lënien e saj” (Buhari, 30: 11 dhe Muslimi, 13:2). Një tjetër hadith thotë se, në qoftë qielli me re tridhjetë ditë duhet të plotësohen (Buhari, 30:11).

Zgjedhja e Ramazanit – Urdhri i Kur’anit që flet mbi agjërimin në Ramazan është si vijon: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ishte kumtuar Kurani, udhëheqës i njerëzimit e provues i qartë ei udhës e i dallimit; prandaj kushdo prej jush që dëshmon ardhjen e këtij muaji, duhet ta agjërojë atë” (Bekare, 2:185). Siç mund të kuptohet nga fjalët e urdhrit zgjedhja e këtij muaji të posaçëm për agjërim nuk është pa arsye. U zgjodh për shkak se është muaji në të cilin ishte kumtuar Kur’ani. Dihet fare mirë se ky Libër i Shenjtë ishte kumtuar pjesë pjesë gjatë një periudhe prej 23 vitesh, prandaj me zbulimin e tij në muajin e Ramazanit ka qëllim se revelata e tij e parë filloi në atë muaj, dhe se kjo historikisht është e vëretë. Ky është muaji që dëshmon eksperiecën më të madhe shpirtërore të Profetit e në këtë mënyrë ishte konsideruar si muaji më i përshtatshëm për disiplinën shpirtërore të botës myslimane.

Ka shumë arsye për zgjedhjen e një muaji hënor. Ky i fundit viziton të gjithë stinët e se vështrëistë e dobitë pjesëtohen nga krejt bota. Një muaj diellor mund t’i kishte dhënë dobi vetëm një pjese të botës me ditët e shkurtra e me klimën e ftohtë, ndërsa pjesën tjetër do ta ngarkonte me vështirësitë e ditëve më të gjata dhe klimës më të nxehtë. Muaji hënor është më i përshtatshëm me natyrën e përgjithshme të mësimeve islame dhe se gjithë popujve u takon t’i shijojnë avantazhet që mund të rrjedhin nga kjo nga ana tjetër, po të ishte caktuar një kohë e posaçme, disiplina do të kishte humbur krejt vlerën e saj. I detyrohet zgjedhjes të një muaji të caktuar që me ardhjen e tij krej tbota mysliamne vihet në lëvizje, si me thanë, nga një korent prej një skaji e deri në atë më të largëtin. Lëvizja që sjell ardhja e Ramazanit në botën myslimane, është turma më e madhe mbi sipërfaqen e tokës. I pasur e i vafrfi, i nalti e i ulëti, zotëria e shërbëtori, sunduesi e i sundari, i ziu e i bardhi, myslimani i Evropës ose i Lindjes së Largët, nga njëri skaj i dheut në tjetrin, menjëherë ndërrojnë mënyrë e jetesës kur ata e shohin me sy hënë e Ramazanit si drapër i hollë që duket nga ana e përendimit. S’gjendet mbi sipërfaqe të tokës një shembull lëvizjeje e popullit në grup në një shkallë kaq të madhe, dhe kjo i detyrohet specifikimit të muajit të Ramazanit.

(Revista Drita Islame, Korrik 2013)

Leave a Reply