Dhjetë sëmundjet që shëron agjërimi

Përfundimet e eksperimenteve për efektet e tij kuruese. Agjërimi mbron zemrën dhe kuron sëmundjet e saj

Shkenca e sotme ka zbuluar se agjërimi forcon sistemin imunitar tek agjëruesi, për t’u bërë ballë shumë sëmundjeve. Agjërimi është një adhurim i veçantë tek Allahu i Lartësuar. Ai është një prej detyrimeve me të cilat nuk u veçua vetëm yqmeti mysliman, por Allahu ia detyroi atë edhe popujve të tjerë para nesh, e kjo tregon rëndësinë e tij. Më poshtëë do të njiheni me rolin e agjërimit në shërimin e shumë sëmundjeve, të paraqitura nëpërmjet eksperimenteve reale.
Operacioni
Agjërimi kryen funksionin e kirurgut duke eliminuar qelizat e shkatërruara e të dobëta prej trupit. Uria që shoqëron agjërimin vë në lëvizje aparatet e brendshme të trupit duke konsumuar qelizat e dobëta për të përballur këtë uri, kështu që trupit i jepet rasti i volitshëm të rikthejë gjallërinë dhe aktivitetin e tij. Gjithashtu, agjërimi është mbrojtje për trupin prej shumë tepricave të dëmshme si për shembull: gurët, shtesat e mishit, gjëndrat dhjamore, madje edhe vetë plagët në fillimin e formimit të tyre.
Sëmundjet e lëkurës
Agjërimi është i dobishëm në kurimin e sëmundjeve të lëkurës pasi ai pakëson përqindjen e ujit në gjak. Pakësimi i tij në lëkurë sjell forcimin e imunitetit të lëkurës dhe rezistimin ndaj mikrobeve dhe sëmundjeve epidemike, pakësimin e sëmundjeve të lëkurës, të cilat përhapen në sipërfaqe të mëdha të trupit, pakësimin e sëmundjeve alergjike duke i vënë kufi problemeve të lëkurës së yndyrtë. Me agjërimin pakësohen sekrecionet helmuese të zorrëve dhe zvogëlohet përqindja e thartimit që shkakton puçrra të vazhdueshme.
Dhimbjet e kyçeve
Kjo është një sëmundje shumë e përhapur, sidomos në moshat 30-50 vjeç. Problemi i vërtetë është se mjekësia e sotme ende nuk ka arritur në ndonjë mjekim për këtë sëmundje. Eksperimentet praktike në Rusi kanë vërtetuar se agjërimi gjatë tri javëve të njëpasnjëshme, ndihmon trupin që të shkarkojë mbeturinat dhe lëndët helmuese, të cilat janë shkaktare të kësaj sëmundjeje. Këto eksperimente janë bërë mbi një grup të sëmurësh dhe rezultatet kanë qenë të kënaqshme.
Tromboza
Agjërimi ka ndikim të madh në mbrojtjen prej trombozës së zemrës dhe trurit. Shumë studiues shkencorë e mjekësorë kanë vërtetuar se agjërimi zvogëlon përqindjen e yndyrave në trup, duke zvogëluar kështu kolesterolin. Kjo lëndë ngjitet në muret e damarëve duke sjellë rritjen e përqindjes së tij dhe rritjen e yndyrave në trup, si rrjedhim çon në ngrirjen e damarëve duke shkaktuar edhe hollimin e damarëve të zemrës dhe trurit.
Diabeti
Agjërimi është një rast i mirë për të zvogëluar përqindjen e sheqerit në gjak në pikën më të ulët të tij. Ai i jep gjëndrave të pankreasit një rast të mirë për pushim, sepse detyra e tij është të prodhojë insulinë, e cila e shndërron sheqerin në yndyra që depozitohen në inde. Kur ushqimi e kalon masën e insulinës së sekretuar, pankreasi lodhet dhe, si rrjedhojë, e ndërpret aktivitetin e tij, kështu sheqeri grumbullohet në gjak duke rritur përqindjen e tij gradualisht, derisa shfaqen simptomat e sëmundjes. Për këtë arsye, klinikat e ndryshme kuruese, në tërë botën, praktikuan agjërimin si metodë kurimi për të sëmurët me diabet, në periudha të ndryshme kohe, në varësi të gjendjes shëndetësore të tyre. Kjo metodë ka pasur rezultate dhe sukses të kënaqshëm pa përdorur ilaçe të tjera.
Përdhesi
Sëmundja e mbretërve, ndryshe quhet edhe “përdhesi”, i cili krijohet nga ngrënia e tepërt, sidomos e mishit. Shkaku është defekti që ndodh në grumbullimin e proteinave të gjendura në mishra, sidomos në mishin e kuq, gjë që çon në grumbullimin e acidit të urinës, sidomos në nyjën e gishtit të madh të këmbës. Gjatë prekjes së nyjës me këtë sëmundje ajo ënjtet dhe skuqet duke u shoqëruar me dhimbje të mëdha. Ndoshta masa e kripërave në urinë mund të rritet e pastaj të grumbullohet në veshka duke formuar gurë. Pakësimi i masës së ushqimit është kurimi kryesor i kësaj sëmundjeje shumë të përhapur.
Infeksionet
Dobia e agjërimit shfaqet në mënyrë të hapur tek të sëmurët me infeksionet periodike të tretjes e në krye të tyre janë: infeksioni periodik i stomakut, vështirësia e tretjes dhe trazimi i zorrëve. Agjërimi i jep këtyre organeve mundësinë e pushimit për më se një muaj. Gjithashtu, ai ka ndikim të madh edhe në kurimin e tyre, madje edhe të sëmurët me kolonë përfitojnë shumë prej agjërimit. Të të sëmurët me alergji, agjërimi dhe racionalizimi i ushqimit ndihmojnë të largohen shumë sëmundje alergjike. Pushimi i aparatit tretës është i domosdoshëm për të shëruar shpejt disa sëmundje.
Sëmundjet e zemrës
Agjërimi ka një vlerë të madhe për shumë sëmundje të zemrës, pasi 10 për qind e gjakut të pompuar nga zemra shkon në aparatin tretës gjatë procesit të tretjes. Kjo sasi zvogëlohet gjatë agjërimit, sepse nuk kemi proces tretjeje gjatë ditës. Kjo do të thotë më pak lodhje dhe më shumë qetësi për muskujt e zemrës.
Dhjamosja
Agjërimi, pa e tepruar, është mjeku më i aftë dhe më i lirë. Ai çon në uljen e peshës, me kusht që ta shoqërojë normaliteti në sasinë e ushqimit në kohën e iftarit dhe njeriu të mos e fryjë stomakun me ushqim e lëngje pas agjërimit. Vetë profeti (a.s) e fillonte iftarin me disa kokrra hurma ose më pak ujë e pastaj ngrihej dhe falte namazin e akshamit. Kjo është tradita dhe metoda më e mirë për atë që agjëron, që ndërpritet nga ushqimi e lëngjet për orë të tëra. Sheqeri i gjendur në hurma i sjell njeriut ndjesi ngopjeje, pasi gjaku atë e thith shumë shpejt e në të njëjtën kohë i jep trupit energjinë e nevojshme për të vazhduar aktivitetin e mëtejshëm. Por nëse e fillon ngrënien pas një urie të gjatë duke ngrënë mish e bukë, atëherë tërë këto ushqime duan një kohë të gjatë të tretën e një pjesë e tyre të shndërrohet në sheqerna e si rrjedhim njeriu ndien ngopje. Kështu njeriu vazhdon të mbushë stomakun e tij mbi masë, duke menduar se ai akoma është i uritur. Rrjedhimisht agjërimi e ka humbur specifikën e tij në sjelljen e shëndetit dhe elegancës, duke u kthyer në fatkeqësi për njeriun, sepse i shtohet më tepër shëndeti dhe dhjami.

Box
Kurim psikologjik
Agjërimi nuk shëron vetëm sëmundjet e trupit, por ai është edhe një kurim i mirë psikologjik. Më poshtëë po paraqesim mendimin e një personi që ka provuar të agjërojë pa pasur asnjë lidhje me islamin. Tom Bernez, student në shkollën “Kolumbia”, dega gazetari, thotë: “Unë e konsideroj agjërimin më shumë si një eksperiencë të thellë shpirtërore sesa trupore. Megjithëse fillova të agjëroj për të ulur peshën e tepërt, e kuptova që ai është shumë i dobishëm edhe për aktivitetin e trurit. Agjërimi ndihmon si në mënyrën e të menduarit, në lindjen e ideve të reja, ashtu edhe në përqendrimin e ndjenjave. Nuk kishin kaluar shumë ditë nga fillimi i agjërimit në strehimin shëndetësor “Bulling”, kur ndjeva që po kaloja një gjendje lartësimi shpirtëror të paimagjinueshme. Tani e bëj një gjë të tillë disa herë e në periudha kohore nga një deri në gjashtë ditë. Në fillim qëllimi ishte të pastroja trupin nga shëndeti i tepërt, por tani agjëroj për të pastruar edhe shpirtin tim nga tërë të metat që kanë ngecur në të gjatë jetës sime, sidomos pasi shëtita nëpër botë për disa muaj dhe pashë padrejtësitë në të cilën jetojnë shumë njerëz. Ndiej sikur jam përgjegjës në një mënyrë apo tjetër për atë që u ndodh atyre, kështu që agjëroj si falje për këtë. Kur agjëroj më ikën tërë dëshira për ushqim e tërë trupi ndien një rehati të madhe. Ndiej që shpirti im largohet nga kapriçot dhe ndjenjat e këqija si: lakmia, xhelozia, dëshira për sundim. Gjithashtu, ndiej të largohen edhe disa gjëra që më ndjekin pas si: frika, luhatja, ndjenja e mërzisë. Tërë këto nuk i ndiej të ndikojnë tek unë gjatë agjërimit dhe gjej një mirëkuptim të mrekullueshëm me tërë njerëzit gjatë tij”.

Studim mbi vlerat kuruese të agjërimit
Në një studim të paraqitur në konferencën e sëmundjeve të zemrës në Arabinë Saudite në shkurt të 1998, janë eksperimentuar mbi 86 të sëmurë me sëmundje të ndryshme të zemrës si, damarët apo valvulat e zemrës. 86 për qind e tyre arritën të agjëronin tërë muajin e Ramazanit dhe vetëm 10 për qind e tyre u detyruan ta ndërprisnin atë disa ditë dhe në përfundimin e muajit, 78 për qind e tyre ndjenë përmirësim të gjendjes shëndetësore, kurse 11 për qind e tyre ndjenë të shtoheshin simptomat nga të cilat ankoheshin. Agjërimi ndihmon në kurimin e tensionit të lartë të gjakut, sepse ulja e peshës që shoqëron agjërimin, ul gjithashtu edhe tensionin e gjakut në mënyrë të dukshme, si edhe lëvizjet fizike në namazin e teravisë ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut. D. Shahid Et’har në një hulumtim të botuar në revistën amerikane “Jirir” përcakton se personi gjatë namazit të teravisë konsumon 200 kalori. Kështu, nëse agjëruesi i përmbahet një ushqimi normal, duke evituar teprimin në yndyra dhe sheqerna, do të gjejë tek Ramazani mbrojtje për zemrën e tij dhe kurim për sëmundjen e saj.

Përgatiti: JONIDA TASHI Gazeta Albania

Leave a Reply