Kumbaro: Kolana “Zani i Nalte”, Monument Kulture

Ministrja e Kulturës Kumbaro: Botimi i kolanës “Zani i Nalte” nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është një Monument Kulture!

“Zani i Naltë, një shekull në shërbim të dijes”

nga Mirela Kumbaro

Ministre e Kulturës

Një revistë – në ndryshim nga librat autorialë –është një tavolinë e rrumbullakët ku elita e një kombi zhvillon apo përplas idetë e mendimet.

Periudha e viteve tridhjetë, apo më mirë të themi nga 1912 deri në 1939, është periudha emendimtarëve idealistë që po projektonin një Shqipërie të re. Nevoja për forcimin e shtetit të ri shqiptar, për përhapje të dijes, për emancipimin e shoqërisë bashkoi elitat në kuvendet e revistave të kohës.

Në Shkodrën e 1913 do të niste botimi i “Hyllit të Dritës” e cila në program do të kishte Fenë, Atdhenë, Familjen dhe Dijen. Dhjetë vjet më vonë do të botohej po në Shkodër “Zani i Naltë”.Dy revista me drejtime të ndryshme fetare, por gati me program të njëjtë: Feja, Atdheu, Familja, Dija.

Në pikën pesë të programit të “Zani i Naltë” shkruhet: Revista sipas statutit do të plotësojëVllaznimin midis të gjithë elementëve në Shqipëri e të ndihmojë për forcimin e themeleve të njëpolitike të shëndoshë kombëtare.

Mjafton veҫ kjo pikë për të dokumentuar mendimin elitar mysliman mbi tolerancën fetare – aq e domosdoshme për t’u theksuar në ditët e sotme.

Për këtë arsye nuk të gëzon vetëm fakti që po sillet në vëmendje, po kujtohet një revistë me vlera të qënësishme njerëzore, me pasuri studimesh filozofike, sociologjike, historike.

Por është me rëndësi fakti që po rimerret dhe po vazhdohet sot një program idealist i lënë përgjysëm gati shtatë dekada më parë, ka mëse tre vjet, që revista “Zani i Naltë”, ashtu si simotra e saj “Hylli i dritës” ka nisur sërish të botohet, si për të dëshmuar pas ҫdo tronditjeje e humbje orientimi, një shoqëri ka nevojë të mbështetet në përvojën e traditën e mirë.

Më vjen natyrshëm ti vë bashkë këto dy revista të vyera të mendimit elitar shqiptar për të kuptuar se në Shqipëri nuk jemi kujtuar sot për të folur për tolerancë, sot kur perëndimi po përballet me krizën e lindjes, sot kur kjo temë është bërë kryefjala e debatit të historianëve, sociologëve, filozofëve, politikanëve të kohës:

Tolerancën fetare e kemi pasur jo vetëm të provuar në komunitetet tona me shembuj jete nga më të ndryshmet, por edhe të përpunuar e shprehur qartazi në mendimin më të përparuar të elitave të gati një shekulli më parë. Kjo është vlerë jo e paktë të cilën duhet të dimë ta ruajmë.

Vlerë për komunitetin jo vetëm por edhe vlerë për kulturën shqipe, për studjuesit dhe për ardhmërine.

Ndjehem e nderuar të jem e pranishme në promovimin e risjelljen në vëmendjen e publikut të një prej themeleve të mendimit shqiptar.

ZANI I NALTË  lindi një shekull më parë, në fillim të shtetit shqiptar dhe rikthehet sot në këtë formë monumentale për të treguar se veprat e mira nuk vdesin kurrë.*

* Fjala e mbajtur në konferencën shkencore “Zani i Naltë një shekull në shërbim të dijes”, më 16 shkurt 2016 në ambientet e Universitetit Bedër, organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.


Leave a Reply