Zhvillohet konferenca shkencore “Zani i Naltë, një shekull në shërbim të dijes”

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, organizoi konferencën shkencore “Zani i Naltë, një shekull në shërbim të dijes”.

Të pranishëm në këtë konferencë shkencore ishin krerët e bashkësive islame të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, kryetari i KMSH-së H. Skender Bruçaj, Myftiu i Kosovës H. Naim ef. Tërnava, kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë H. Sulejman ef. Rexhepi, ministrja e Kulturës znj. Mirela Kumbaro, Kryegjyshi i Bektashinjve H. Dede Edmond Brahimaj, Rektori i Universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana, zv/ministrja e Arsimit znj. Nora Malaj, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Prof. Dr. Persida Asllani, drejtues të institucioneve të rëndësishme, studiues dhe përfaqësues nga bota akademike, intelektualë, myfti, imamë, etj.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Skender Bruçaj u shpreh se edhe pse ka kaluar gati një shekull nga themelimi i vet, artikujt e revistës “Zani i Naltë” mbeten sa aktualë, aq edhe edukues dhe me mjaft vlera kulturore e arsimore, duke u bërë kështu një tribunë e trashëgimisë intelektuale te shqiptarët.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Skender Bruçaj u shpreh se edhe pse ka kaluar gati një shekull nga themelimi i vet, artikujt e revistës “Zani i Naltë” mbeten sa aktualë, aq edhe edukues dhe me mjaft vlera kulturore e arsimore, duke u bërë kështu një tribunë e trashëgimisë intelektuale te shqiptarët.

“Zani i Naltë është revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman, ajo ka një rëndësi shumë të veçantë për vetë faktin se ka shërbyer për vite me radhë si një tribunë e mendimit islam. Intelektualët myslimanë të asaj kohe kanë paraqitur edhe receta ndaj problemeve sociale. Është një dëshmi e qartë që tregon qartazi se shqiptarët e kanë kuptuar ashtu siç duhet Islamin dhe e kanë jetuar atë. Unë shpresoj që revista “Zani i Naltë” të vazhdojë me misionin e saj dhe t’i shërbejë shoqërisë shqiptare në promovimin e vlerave të Islamit dhe atyre universale”, tha kreu Bruçaj.

Ndërsa Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, tha se revista “Zani i Naltë” është një vlerë për komunitetin dhe se veprat e mira nuk harrohen sepse ato flasin me zë të lartë.

“Zani i Naltë është një vlerë për komunitetin, gjuhën shqipe dhe një prej themeleve të mendimit shqiptar. Ajo lindi një shekull më parë dhe rikthehet e plotë. Edhe sot ne vazhdojmë të flasim për tolerancën fetare, dhe e kemi pasur jo vetëm të provuar në komunitetet tona,  në shembuj jete nga më të ndryshmet, por edhe të përpunuar e të shprehur qartazi në mendimin më të përparuar të elitave të gati një shekulli më parë”, tha më tej znj. Kumbaro.

Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, Kreu i Bashkësisë Islame të Maqedonisë Sulejman Rexhepi, Kryegjyshi i Bektashinjve Edmond Brahimaj si dhe Rektori i Universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana, të cilët vlerësuan rolin e pazëvendësueshëm të revistës “Zani i Naltë” në fomësimin e vetëdijes kulturore, kombëtare dhe asaj fetare.

Dr. Genti Kruja, drejtor i Kulturës në Komunitetin Mysliman, i cili ishte edhe moderator i seancës së hapjes theksoi se, “Tashmë “Zani i Naltë” është një traditë që vazhdon dhe lexuesi shqiptar, kudo qoftë, prej afro 4 vitesh, ka mundësinë të ndjekë dhe lexojë revistën “Zani i Naltë”, e rithemeluar nga KMSH, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, si një revistë shkencore, duke lidhur kështu hallkën e zinxhirit të këputur dekada më parë, për të ndjekur kështu gjurmët e të parëve tanë, dijedashës e atdhetar, gjurmë të sigurta, që të çojnë në drejtim të dijes dhe zhvillimit intelektual fetar dhe kombëtar me një redaksi akademikësh nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.”

“Me rastin e botimit të Kolanës “Zani i Naltë”, ne shprehim nderimin, vlerësimin dhe mirënjohjen për drejtuesit e bashkëpunëtorët, për të gjithë ata që kanë kontribuar për krijimin, përhapjen e zhvillimin e publicistikës islame në gjuhën shqipe, si dhe urojmë që organet e tanishme kudo që botohen në trevat shqiptare të ndjekin traditën e krijuar e ta pasurojnë atë me arritje të reja për të mirën e të gjithë shoqërisë sonë”, tha z. Kruja.

Pas përshëndetjeve konferenca ka vijuar me dy seancat shkencore ku studiues të shquar kanë nxjerrë në pah rolin dhe vlerat mbarëkombëtare të kësaj reviste.

Në seancën e parë moderuar nga nënkryetari z. Ali Zaimi referuan studiues të njohur me tema të larmishme si, publicisti dhe shkrimtari z.  Besnik Mustafaj (President i Forumit Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve) me temë “Dimensioni laik në revistën Zani i Naltë”,  Prof. Dr. Ferit Duka (Universiteti Europian i Tiranës) me temë “Islami dhe përparimi shoqëror në Shqipërinë e viteve 1923-1928 (debatet në “Zanin e Naltë”), Prof. Dr. Rahim Ombashi (Universiteti Bedër) me temë “Homazh i vonuar njeriut gurqemer i urës shqiptare (Lumo Skëndoja te Zani i Naltë)”,  H. Resul Rexhepi (Bashkësia Islame e Kosovës) me temë “Zani i Naltë-revistë e mendimit dhe emancipimit fetar e kombëtar”, Dr. Qani Nesimi (Myfti i Tetovës) me temë “Zani i Naltë-një vazhdimësi e traditës religjioze primordiale” dhe Dr. Ramadan Çipuri (Universiteti Bedër) me temë“Raporti fe-komb në revistën Zani i Naltë”.

Ndërsa në seancën e dytë moderuar nga z. Ramadan Shkodra (drejtor i Kulturës në Bashkësinë Islame e Kosovës) kanë referuar studiues të tillë si, shkrimtari z.  Xhahid Bushati, me temë “Zani i Naltë – revistë qytetëruese dhe civilizuese”,  Prof. Dr. Valentina Duka (Universiteti i Tiranës) me temë “Roli i Zanit të Naltë në edukimin patriotik të shqiptarëve”, Prof. Asoc. Dr. Mark Marku (Universiteti i Tiranës) me temë “Marrëdhëniet kulturë-besim në Shqipëri” dhe Dr. Agron Tufa (Universiteti Bedër) me temë “Vizioni edukativ letrat e kulturologjik i revistës Zani i Naltë 1923-1939”.

Kumtesat shkencore të mbajtura në këtë konferencë do të vijnë më vonë në një botim special të përmbledhura në një libër.

Vlen të theksohet se revista “Zani i Naltë”, është organi i parë zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, themeluar më 1923, e cila prej tetorit të vitit 2012 ka filluar ribotimin si një revistë e cila përmban artikuj të mirëfilltë shkencorë në fushat e shkencave të ndryshme islame dhe sociale.

16 shkurt 2015 

 

 

Leave a Reply