Jemeni njeh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës


PRISHTINE – Qeveria e Republikës së Jemenit ka njoftuar njohjen zyrtare të Kosovës, si shtet të pavarur dhe sovran. Njoftimi është publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Jemenit, transmeton Agjencia e Lajmeve e Jemenit, Saba.

“Qeveria e Republikës së Jemenit do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kosovës me qëllim të fuqizimit të marrëdhënieve bilaterale dhe asaj që i shërben marrëdhënieve të përbashkëta midis dy popujve e vendeve miq në të gjitha fushat”.

Qeveria e Jemenit shpreh aspiratën që Republika e Kosovës të luajë rolin e saj aktiv si anëtar i ri në komunitetin ndërkombëtar, duke i shërbyer sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë.

Gjithashtu në kumtesë shprehet dëshira e këtij shteti që marrëdhëniet e mira dhe respekti i ndërsjellë të mbizotërojë midis dy vendeve fqinje, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me qëllim të prosperitetit të dy popujve, sigurisë e stabilitetit në rajon dhe punës për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura midis tyre sipas të drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së.

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj me 28 prill 2013 ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Jemen, ku ishte pritur nga homologu jemenas, Abu-Bakr Al-Qirbi.

Gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës, me ç’rast pati marrë premtimin e ministrit Abu-Bakr Al-Qirbi për njohjen e shpejt të Kosovës.

Ministri Hoxhaj edhe gjatë një vizite në Egjipt, në kuadër të lobimit për njohjen e Kosovës nga shtetet arabe, pati zhvilluar një takim me homologun jemenas, Abu-Bakr Al-Qirbi.

Jemeni, është shtet arab në pjesën perëndimore të Azisë, në jugperëndim të Gadishullit Arabik. Jemeni konsiderohet një ndër qendrat më të vjetra të civilizimit në lindjen e afërt.

(er.nu/tg/BalkanWeb)

Leave a Reply