Punët ndahen në të lehta ose të vështira, për të cilat shpërblimin e merr në vlerë monetare dhe kaq, por ka edhe punë të cilat, për disa mund të jenë të lehta e për disa të tjerë të vështira, por që më në fund ofrojnë një shpërblim shumë më të madh sesa ai monetar, si dhe një kënaqë si dhe gëzim të paparë, në momentin që i përfundon. Një prej tyre është edhe maratona e muajit të Ramazanit, e cila mbyllet me ditën e parë të Fitër Bajramit.
Ditën e Bajramit, besimtari gëzohet që arriti të intensifikojë për një muaj të plotë adhurimet e shumta dhe të larmishme ndaj Krijuesit të tij – Allahut të Lartësuar. Gëzohet, sepse u përpoq të arrijë kënaqësinë e Zotit, duke iu përgjigjur thirrjes dhe urdhrit të Tij për agjërim. Gëzohet, sepse arriti të nxjerrë në pah fuqinë e tij të besimit, nëpërmjet frenimit të egos dhe epsheve të tij, si dhe duke u distancuar edhe prej disa begative për një kohë të caktuar. Gëzohet, pasi arriti të lexojë të plotë Librin e Allahut – Kur’anin Fisnik, në këtë muaj të zbritjes së tij. Gëzohet, pasi ishte njëri prej hallkave të rreshtave si rruaza të namazit ekskluziv të këtij muaji-namazit të teravive; arriti t’i japë përparësi shpirtërores para trupores, hyjnores para materiales, Ahiretit para Dynjasë, Zotit para vetes.
Dita e Bajramit është edhe ditë meditimi, në të cilën konstaton se edhe me dy vakte ushqimi në ditë, mund t’ia dalësh; se edhe me dy orë gjumë më pak, mund t’ia dalësh; se dhe duke ndihmuar nevojtarët dhe të vobektët, nuk të ç’ekuilibrohet ekonomia; se edhe një orë më shumë adhurim dhe përkushtim ndaj Zotit, nuk të largon nga kjo botë dhe nga preokupimet e tua personale.
Dita e Bajramit është edhe dita ku vë re ndryshimet te vetja. Sheh se si të është dobësuar ndoshta fiziku, por sheh, gjithashtu, se si të është kalitur shpirti. Sheh se tani je më i durueshëm, pasi në Ramazan ti durove etjen dhe urinë, ndoshta dhe fjalët jo të hijshme nga të tjerët, por prapë se prapë u përmbajte. Sheh se tani je më bujar dhe më dorëdhënës, pasi Ramazani të mësoi se dora që jep është më e mirë se ajo që merr. Sheh se tani je më pranë Zotit dhe më i devotshëm, pasi Ramazani e forcoi lidhjen tënde me Zotin, nëpërmjet leximit të Kur’anit – Fjalës së Tij, nëpërmjet bindjes absolute ndaj çdo porosie të Tij, pasi u vetëdijësove se çdo urdhër i Tij është në të mirën tënde.
Tani, ti ua dimë shumë vlerën mirësive dhe begative të Zotit. Me përfundimin e Ramazanit, ti e di se sa i nevojshëm ka qenë uji për ty, ndërkohë që agjëroje në temperatura të larta dhe për një kohë të gjatë. Tani ua di më shumë se kurrë vlerën ushqimeve të ndryshme, të cilat me aromën, hijeshinë dhe shijen e tyre tërheqëse, të ftonin gjatë agjërimit për t’i konsumuar, ndërsa ti nga përkushtimi i refuzoje, por vetëdija jote për rëndësinë e tyre sa vinte dhe shtohej.
Tashmë ti e di që nuk duhen shpërdoruar, pasi Allahu nuk i do shpërdoruesit.
Ramazani është një shkollë për këdo, e cila ofron një transformim pozitiv të dukshëm tek individi që e përjeton. Nëse në fund të Ramazanit sheh se nuk ke ndryshuar në karakterin tënd, në moralin tënd, në komunikimin dhe lidhjen tënde me të tjerët, dhe më e rëndësishmja në lidhjen tënde me Krijuesin, dije se ti vetëm sa je regjistruar në shkollën e Ramazanit dhe nuk ke marrë pjesë në mësim.
Ramazani është një shkollë, e cila nuk kërkon shumë kritere për regjistrim. Ajo të pranon në gjirin e saj, qofsh i ri, apo i vjetër, qofsh burrë apo grua, qofsh nga Shqipëria apo nga secili vend i botës, qofsh i bardhë apo i zi në lëkurë. Këtu e kupton se ky është muaji i barazisë, që ofron terapinë e tij intensive për këdo që ka nevojë të shijojë ilaçin e Ramazanit.
Në fund të Ramazanit, ti vetë e kupton nëse ke përfituar nga kjo shkollë; nëse meriton të vlerësohesh negativisht apo pozitivisht dhe se çfarë note meriton.
Ramazani kur vjen, sjell me vete mëshirën e Zotit, faljen, si dhe amnistinë e Tij nga zjarri i Xhehenemit, për besimtarët e përkushtuar agjërues, por gjithashtu, gjatë qëndrimit të tij në mesin tonë, Ramazani merr edhe prej nesh, për t’i dërguar më pas në të shtatin qiell dhe për t’i depozituar atje në arkivin qendror deri në Ditën e Gjykimit. A kemi menduar vallë se çfarë i kemi dhënë? A i kemi dhënë punë të mira, namaze, këndim Kur’ani, lëmoshë dhe fjalë të mira, apo gjumë letargjik, punë të këqija, thashetheme e zënka e fjalë jo të hijshme?
Ashtu siç i bëjmë makinës sonë kolaudimin për t’u siguruar për gjendjen e saj teknike dhe motorike, ashtu edhe Ramazani është kolaudim për trupin tonë, për zemrën tonë, pasi ne e dimë thënien profetike: “Në trup ndodhet një copë mishi, nëse ajo është në rregull, i gjithë trupi është në rregull, dhe nëse ajo është e prishur, i gjithë trupi është i prishur, ajo është zemra”.
Tani mund ta konstatojmë, nëse jemi në gjendje fizike dhe shpirtërore për të vijuar denjësisht rolin që na besoi Zoti – “Mëkëmbës të Tij në tokë” për 11 muajt e tjerë, derisa të ritakohemi në Ramazanin e ardhshëm.
Tanimë, kur jemi në fund të Ramazanit, shumë pyetje rrotullohen në mendjen tonë, por më kryesorja ndër to është: A na e pranoi Allahu agjërimin dhe adhurimet gjatë këtij muaji të begatë? Besimtarët bashkëkohës të Profetit Muhamed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), duke filluar menjëherë pas Ramazanit e për gjashtë muaj me radhë, e lusnin Zotin që t’ua pranonte agjërimin me gjithë adhurime bashkë. Kjo nxjerr në pah dallimin dhe veçimin e këtij adhurimi në krahasim me të tjerët.
Kur filloi Ramazani, shumëkush pyeste veten: si do t’ia bëj në Ramazan? Si do të duroj pa bukë e pa ujë gjatë ditëve të gjata të tij? Ndërsa tani, të gjithë pyesim veten: Si do t’ia bëjmë pa Ramazanin? Ramazani u bë pjesë e jona dhe ne pjesë e tij. Do të na marrë malli për kohën e iftarit, për kohën e syfyrit, edhe pse mund të agjërojmë edhe pas Ramazanit, iftari dhe syfyri i tij është i veçantë. Do të na marrë malli për namazin e teravive; do të na marrë malli për të gjithë atmosferën e këndshme, pjesë e së cilës u bëmë për një muaj të plotë.
Tani, në fund të Ramazanit, pyesim veten: A ishim nga ata që na mbuloi mëshira e Mëshiruesit në këtë Muaj të Mëshirës?
A ishim nga ata që i përfshiu falja e Falësit Suprem në këtë Muaj të Faljes? A ishim nga ata që na u shënua emri në listën e banorëve të Xhenetit në këtë muaj, ku u hapën të gjithë dyert e Xhenetit? A ishim nga ata që përfituan nga amnistia hyjnore, duke u ç’regjistruar emri njëherë e përgjithmonë nga lista banorëve të Xhehenemit? A ishim vigjilentë ndaj Natës së Kadrit, oferta e së cilës ishte e papërsëritshme dhe sfiduese ndaj çdo oferte dhe okazioni tjetër, ku gjithçka që bëmë gjatë kësaj nate deri në mëngjes, shumëzohet me 83 vjet; ku çdo adhurim shumëzohet me 1000 muaj? Por ekziston edhe ana tjetër e monedhës, që nëse kemi bërë vepra të dënuara nga Ligjvënësi ynë, edhe ato shumëzohen po me aq.
Si çdo punëtor, i cili në fund të muajit pret rrogën nga punëdhënësi i tij, ashtu edhe agjëruesi pret shpërblimin nga më Bujari i bujarëve. Por, a mund të krahasohet shpërblimi i agjëruesit me pagën mujore të një punëtori, kurrsesi jo.
Shembulli më i lartë i takon të Lartmadhërishmit Allah. Vjen dita e Bajramit, në të cilën shpërblehen vepërmirët në këtë botë, por shpërblimi më i madh akordohet për në botën tjetër. Fitër Bajrami shënon edhe kohën kur hiqen kufizimet nga disa prej dhuntive dhe begative, që për një muaj ishin të ndaluara për një kohë të caktuar gjatë ditës, ndërsa tashmë do t’i rikthehemi normalitetit, edhe pse do ishte më mirë që normaliteti ynë të ishte ajo kohë e veçantë që jetuam në Ramazan, e cila të zgjaste pafundësisht.
Allahu, që solli muajin Ramazan, është edhe Zoti i muajve të tjerë, kështuqë le të mos humbasë intensiteti ynë në adhurime dhe le të mos zbehet lidhja jonë me Krijuesin.
Le të jetojmë me kujtimet e këtij Ramazani derisa të vijë tjetri vitin e ardhshëm, në qofshim gjallë.
Qani Sulku
/Revista Drita Islame – Korrik 2015/