Ngazëllim në përkujtim të Krenarisë së Njerëzimit, Profetit Muhamed

Mijëra qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e më gjerë, u bënë pjesë e rogramit festiv në përkujtim të Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të), organizuar për të dhjetin vit radhazi nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Fondacioni Kulturor e Arsimor “Sema”.PROGRAMI-FESTIV-2015-1

Mijëra besimtarë, pjesa më e madhe të rinj e të reja, mbushën paraditen e sotme sallën e Pallatit të Kongreseve në nderim e vlerësim të njeriut që i Madhi Zot e zgjodhi shembull të përsosmërisë.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, duke folur për personalitetin që la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e historisë njerëzore, u shpreh se në çdo vend ku përmendet emri i tij, mbushet plotë dritë, mëshirë e dashuri dhe se përkujtime të tilla nuk janë ditë të thata përkujtimi, por janë ditë prove të moralit tonë individual dhe shoqëror përballë moralit të Profetit tonë, Muhamedit (a.s).

“Sot jemi mbledhur të gjithë së bashku nën çatinë shpirtërore të më të dashurit të Zotit dhe të gjithë universit, jemi mbledhur nën atmosferën shpirtërore të përvjetorit të lindjes së Profetit Muhamed, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të! Ne besojmë se çdo vend ku përmendet emri i tij, mbushet plotë dritë, plot mëshirë e plot dashuri”, tha Kryetari Bruçaj.

Ai bëri thirrje për paqe e dashuri dhe tha se dashuritë e mëdha kërkojnë shpirtra të përkushtuar dhe i Dërguari i Zotit ishte shpirti më i përkushtuar.

“I Dërguari i Zotit na fton të jetojmë dhe të dhurojmë jetë. Na thërret të gjallërojmë njeriun dhe njerëzimin. Mesazhi i profetëve është jeta, të jetosh dhe t’i bësh të tjerët të jetojnë. Por fatkeqësisht, sot në botë, në shumë vende shohim vetëm grindje, përleshje, dhunë e mizori. Dhuna nuk është rruga jonë. Ekstremizmi nuk është rruga jonë. Radikalizmi nuk është rruga jonë.  Kjo nuk është rruga jonë, kjo nuk është as rruga e Zotit, dhe as e  të Dërguarit të Zotit. Profeti predikoi vetëm paqe dhe dashuri, rruga e tij është rruga e jetës, e dashurisë; rruga drejt unitetit për një jetë të paqtë dhe në harmoni me njëri-tjetrin, ndaj le të respektojmë kujtimin e Profetit (a.s), e të ringjallim mes nesh dhembshurinë, mëshirën dhe respektin”, nënvizoi z. Bruçaj.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe kreu i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili i shpreh se ne kemi një trashëgimi të vyer si ajo që na la Profeti Muhamed.PROGRAMI-FESTIV-2015-5

“Për profetin tonë janë shkruar miliona faqe dhe vazhdojnë të shkruhen miliona të tjera. Kur e cilësojnë atë si “Krenaria e Njerëzimit”, kemi parasysh se çdo veti e vyer e tij është trashëgimi e çmuar jo vetëm e gjenezës sonë, por edhe e brezave të sotëm dhe atyre të nesërm myslimanë”, theksoi z. Brahimaj.

Kur’ani, ilahitë dhe pjesët e zgjedhura poetike të përcjella me mjeshtëri nga emrat e njohur të skenës dhe ekranit: Reshat Arbana, Dritan Boriçi, Sokol Angjeli, Adriana Tolka, Sidrit Bejleri, Kastriot Tusha, Olta Boka, Marsela Shahu, Memela Alia, Aulona Hadroj, Era Domi, Gabriel Uku, Xhana Ahmetaj, Marsela Shahu, Selma Fejzullahu, Ingrit Jushi, shoqëruar nga kori i bashkuar i medreseve, ngritën peshë zemrat e të pranishmëve, të cilët nuk i kursyen për asnjë çast duartrokitjet e tyre të ngrohta.

Programi, i realizuar për të 10-tin vit radhazi, erdhi si zakonisht nën regjinë e z. Agron Hoxha dhe udhëheqësit artistik, mjeshtrit të merituar, Kujtim Alia.

Respekti e nderimi i manifestuar në këtë program, shpalosën edhe një herë dashurinë për Mëshirën e Dhuruar, një ndjenjë e pastër e ngulitur thellë në zemrat e në shpirtrat e myslimanëve shqiptarë.

Pjesë e programit ishte edhe një  panair me produkte të ndryshme si: ushqime, libra, punime artistike, etj., të ardhurat e të cilit do të shkojnë në ndihmë të familjeve në nevojë, si dhe një ekspozitë me foto të personaliteteve të shquara shqiptare të kulturës islame, si dhe foto të vjetra të dy vendeve të shenjta, Meke dhe Medine.PROGRAMI-FESTIV-2015-7

Në këtë organizim festiv morën pjesë Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, Ministri i Mirëqenies Sociale, z. Erjon Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, kreu i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Ilir Hoxholli, Prefekti i Tiranës, z. Sadi Vorpsi, deputetë, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, ambasadorë të akredituar në Tiranë, akademikë, shkrimtarë, artistë dhe të përfaqësues të botës së artit dhe kulturës nga Shqipëria dhe hapësira mbarëshqiptare.

Programi i plotë do të transmetohet në orën 18:30 në RTSH.

 

25 Prill 2015

Leave a Reply