A doni me u ba të mëdhenj? Natyrisht ju duhet ta bëni të tillë. Kjo asht ajo që u kërkon feja e juaj të baheni. Në të vërtetë, Islami s’asht gjë tjetër veçse një fabrikë për me nxjerr njerës të madhej. Mos u gaboni nga thanie të kota se gjoja kjo jetë nuk ka vleftë. Kjo asht kundra fesë s’onë. Islami asht emni i dytë për madhni. Në se doni mendime të thella e ideale të nalta shikoni në Librin e Islamit. Në qoftë se dëshironi një histori madhështore e fisnike kthehuni në faqet e ngjarjeve islame. Po të doni nji kulturë të saktë, këtë e gjeni n’Islam. Prandaj ju lypset të frymëzoheni prej tij për me u naltsue e deri në kulm.
Mirë po çashtja asht se si me u naltsue. A me u lutë me gojë për me ia mërrijt atij apo me i kërkue të tjerëve për me t’i plotsue nevojat? S’ka shpëtim nga as njena qofshin edhe premtime të sigurta. Këto Zoti nuk i pranon. Ju lypset të përpiqeni vetë për ta fitue shpëtimin.
Shprehja e ma sipërme, “Puntori asht i dashmi i Zotit”, asht plot vërtetsi e mençuri. Ajo flet volume e nuk shterohet. Do të dishrojsha që çdo e re ose i ri musliman t’i shkruante këto fjalë profetike me shkronja të arta e t’i varte për ballë mbi murin e odës së studimit për t’i shërbye si moto në jetën e përditshme.
Porosia profetike e naltpërmendun e ka shtye Poetin t’onë të madh, të ndjerin Naim Frashri, që të shprehë ndjenjat e tij të nalta me strofën e bukur:
Punë, punë nat’e ditë
Që të shohim pakëz dritë.
Këto urdhna të bukura fetare nuk pajtohen kurrë me sjelljet e disa muslimanve të sotshëm, që rrinë duer lidhë tue shpenzue kohën e artë tue sjellë andej këndej.
Profeti i Shenjtë bante çdo lloj pune me dorën e vet. Kur po ngrihesh Xhamija në Medine ai nuk dallohesh as pak prej puntorve të tjerë të thjeshtë. Ai kur udhtonte nuk i lente shokët t’ia pregatisin gjellën, pse nuk deshte të shijonte një ushqim të gatshëm. Ai i ndjente lezet gjellës që bante vetë. Ai kur ishte i lirë nuk rrinte rahat po do të merresh me ndonji lloj pune, pse do të thoshte ai, asht mëkat me ndej kot. Ai punën e quante nder të madh dhe se mburresh ta therritshin punëtor ose rob i Zotit. Ai milte dhitë, delet, arnonte rrobat e veta, qepte këpucët e tij, dhe bile shpesh meshinte edhe dhomën. Ai gëzimin e dëfrimin ma të madh e gjente në punë. Puna pa dyshim asht adhurimi ma i madh dhe se e ambël asht dita që mbaron me djersë.
Punë! Ishte motua e gjithë atyne që erdhën në marrëdhanie me Puntorin më të madh të kohës. Ke puna mvaret nderi dhe naltsija e njeriut. Kur zgjodhë kalif Ebu Bekri ditën e dytë e kishin pamë tue shkue në treg me një denk teshash mbi shpinën e tij mbretnore. “Ç’ka asht kjo, o Kalif?” e pyeti njeni. “Ç’ka do që të jetë”, u përgjigj ai, “më duhet të punoj për të fitue bukën e përditshme”.
Kur u shpërngul Profeti me shokë nga Meqqia mërrijtën në Medine pa nji samtim në xhep. Profeti për të sigurue jetesën e Emigrantëve themeloi nji vllaznim në mes të këtyne e të Ndihmëtarëve (Ensarve). D.m.th. çdo musliman i Medines bani vllamënji me të Meqqes. Ky nuk ishte nji vllaznim, pse Ndihmëtarët përveç që iu banë vend strehimi Emigrantve por edhe i ofruenë gjysmën e prodhimeve bujqësore të veta. Mirë po Emigrantët nuk pranuen një gja të tillë. Ata kërkuenë “punë” pse për ndryshe nuk gjejshin kurrsesi qetsi mendore e shpirtnore. Kështu ata, brenda nji kohe të shkurtë, me djersën e ballit mundën të sigurojnë pasuni të mjaftë, aq sa me iu ardhë në ndihmë edhe të tjerve. Pastaj këta kur u kthyen në Meqqe çka kishin krejt iu a dhuruen familjeve të vorfna e të pandihmë.
Një ditë një person i duel para Pejgamberit e i kërkoj disa të holla. Profeti Muhamed (a.s.) i tha: “dora e sipërme asht ma e nderueme se dora e poshtme”. Kështu ai i dha pak të holla tue e porositun: “bli një litar e një sëpatë e shit dru”. I vorfni veproi simbas urdhrit e brenda një kohe të shkurtë lau borxhin dhe u ba i pasun…”
Pra edhe Bashkija duhet të kujdesohet me u gjetur punë lypësve, që janë t’aftë për të. Kështu që u përmirson edhe moralin atyne.
Puna asht rruga që na çon në pallatin e madhnisë. “Punë, punë” asht zani qiellor. Pa të jeta asht e kotë dhe se Zoti nuk mund të na vijë në ndihmë për deri sa neve të mos përpiqemi me sa fuqi që të kemi. Si ka thanë në nji vjershë edhe Çajupi,
Punoni edhe vetë se Unë do t’ju ndih,
Mos thoni duke ndenjur ndihmona Perëndi;
“Punë, punë nat’e ditë”… duhet të jetë motua e çdo myslimani, i ri ose i vjetër, pse puna me djersë asht ma e dashtun ke Zoti dhe e bekueme prej Tij.
/HAKA/
/“Kultura Islame”, Nanduer-Dhetuer 1941, fq. 94-95/
http://www.dritaislame.al/puntori-asht-i-dashmi-i-zotit-elqasibu-habijbull-llah/