Ramazanin, muajin e nëntë të kalendarit hixhri (vite lunare që llogariten prej hixhres -emigrimit të Pejgamberit prej vendlindjes së tij Mekë për në Medine) myslimanët kudo në botë e presin si muaj të mëshirës, të begatisë dhe të faljes.
Në këtë muaj, në të cilin filloi edhe shpallja e Kuranit, myslimanët obligohen me kryerjen e njërit prej pesë kushteve të Islamit – agjërimin, por edhe shpeshtojnë thënien e dy dëshmive, kryerjen e namazit duke falur edhe teravitë përskaj pesë kohëve të obliguara. Po i shtuam kësaj edhe përgatitjet që bëhen nga disa për kryerjen e haxhit, kushtit të fundit të Islamit do të kuptojmë se pse ky muaj u bë muaji qendror nga i cili njiheshin myslimanët gjatë tërë historisë.
Muaji i Ramazanit dhe jetësimi i tij nga ana e besimtarëve gjatë tërë historisë ishte inspirim për letërsi të bujshme te popujt myslimanë, të cilët në rastin e letërsisë së vjetër osmane kanë përmbledhje të tëra letrare, tani të emërtuar nga studiuesit si “ramazaniat”, të cilat në vetvete ngërthejnë ilahi, kaside, rrëfime për ndejet pas teravive etj.
Për muajin e Ramazanit shkruanin edhe fqinjët që kanë bashkëjetuar me myslimanët kudo në botë.
Shkruanin edhe fqinjët tanë që prej Branislav Nushiqit, i cili shkruante për larminë e netëve të Ramazanit deri te këngët e “Bjelo Dugmes” ku pranohej se “është paksa zymtë” gjatë Ramazanit pasi harenë dhe sevdanë zakonisht e organizonin myslimanët, por gjithmonë jashta këtij muaji.
“30 dit’ e Ramazanit…” është fillimi i vargut të një kënge shumë të njohur qytetare dhe vetëm njëra prej këngëve të shumta të cilat si bazë tematike kanë Ramazanin, shumë nga këto janë të ngulitura në memorie, por fatkeqësisht s’i gjejmë dot si të shkruara.
Ndoshta cinikët do të tallen me emërtimin e artikullit, por edhe me vete guximin për shkrim… por … nëse e qëllojmë, ajo është prej Zotit kurse nëse gabojmë diç është prej meje dhe cytje e djallit. E porosia më e mirë dhe fjalët më të përmbledhura janë të vetë Pejgamberit ku ai në një hytbe në fund të muajit Shaban (muaji para Ramazanit) porositi popullin ashtu siç na tregon Selman Farisiu: “O ju njerëz, u ka ardhur juve një muaj i madhëruar dhe i bekuar, në këtë muaj ka një natë që është më e vlefshme se një mijë muaj. E bëri Zoti agjërimin e ditëve të tij obligim dhe faljen e natës në të të vlefshme. Kush shton gjatë muajit ndonjë të mirë prej veprave të mira, është sikur obligimi i kryer gjatë muajve tjerë. Kush kryen një farz (obligim) në këtë muaj, është sikur ai që kryen shtatëdhjetë obligime gjatë muajve të tjerë, dhe ky është muaji i sabrit (durimit), kurse shpërblimi i sabrit është xheneti. Është muaj në të cilin shtohet rizku (furnizimi) i besimtarit. Ai që i jep iftar një agjëruesi është shpagim për mëkatet që ka bërë dhe largon nga ai zjarrin e xhehenemit dhe e ka shpërblimin e njëjtë me agjëruesin, pa u zvogëluar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit.
Njerëzit thane: O i Dërguari i Allahut, nuk ka çdonjëri prej neve nga pasuria aq sa të ushqente agjëruesit? I dërguari i Zotit tha: Allahu ia jep këtë shpërblim edhe atij i cili jep për iftar agjëruesit vetëm një hurmë, një gëllënkë uji apo qumështi. Dhe ky është muaj, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi-falje e gjynaheve, kurse fundi i tij mbrojtje nga zjarri i xhehenemit.”
Muaji i agjërimit
“As s’kam hangër, as s’kam pie…”
Ramazani vjen papritmas, edhe pse është muaji më i pritur. Gjithmonë mbetet edhe diç pa kryer, edhe diçka tjetër për t’u përgatitur. Por, çdo afat kohor vjen ashtu në këtë botë. Muaji i mëshirës dhe i solidaritetit vëllazëror vjen duke përkujtuar urinë të pasurve, sëmundjen të shëndoshëve, vendlindjen mërgimtarëve dhe të gjithëve durimin. Çdo njeri lutet për shpresat që ka e loti u jep edhe më shumë durimtarëve. Atyre që kanë kuptuar se durimi i myslimanit është durim aktiv, insistimi në punë për realizimin e të shpresuarës, dhe jo të dëshiruarit e kotë.
Këto fjalë nga kënga që përdorëm për emërtimin e këtij artikulli, ku do të mundohemi të sqarojmë disa nga rregullat e agjërimit, janë pjesë e definicionit për agjërimin, i cili është: “Të përmbajturit nga ngrënia, pirja, marrëdhëniet bashkëshortore dhe të vjellit me vetëdije, me qëllim për adhurim, nga agimi i ditës, deri në perëndimin e diellit.” Nga ky definicion mund të kuptojmë se aktet e theksuara e prishin agjërimin nëse bëhen me vetëdije.
Agjërimi i Ramazanit është një prej kushteve të Islamit dhe obligim për çdo mysliman të moshës së rritur, të shëndoshë, që nuk është në udhëtim, kurse myslimania plus këtyre duhet të mos jetë me menstruacione e as në ditët e lehonisë.
Agjërimi në forma të ndryshme ka qenë obligim edhe për popujt dhe civilizimet e mëhershme. Ajo që ka mbijetuar deri në ditët e sotme te disa pjesëtarë të feve qiellore, në formë të përkufizimit të disa llojeve të ushqimit, na e vërteton këtë. Po patëm parasysh edhe etimologjinë e disa fjalëve, si p.sh. Breakfast (mëngjesi) në gjuhën angleze, që nuk është pos “to break a fast” -ndërprerje e agjërimit, atëherë do të kemi dituri të plota për të kuptuar në tërësi ajetin e sures “Bekare”: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim, sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”
Agjërimi ka kushtet e tij, të cilat duhet t’i plotësojë çdo mysliman që e ka obligim kryerjen e kësaj shtylle të Islamit. Kushti i parë është nijeti (njeriu të ketë për qëllim ibadetin si dhe ta kryejë atë me vullnetin e vet, jo nën presion apo për zakon) dhe ky është njëri prej dy kushteve esenciale i çdo vepre fetare.
Agjërimi i vërtetë nuk është vetëm përmbajtje nga ngrënia dhe pirja, por është largim dhe zmbrapsje nga fjalët e punët e kota si gënjeshtra, spiunimi, përgojimi dhe vese të tjera. Bile, nëse dikush e ngacmon apo sillet ashpër me të, agjëruesi, sipas porosi së Pejgamberit, duhet t’ia kthejë vetëm me: “Unë po agjëroj, unë po agjëroj!”
Gazaliu në veprën e tij agjërimin e ndan në tri lloje, ku heqjen dorë nga ushqimi dhe pirja e emërton si agjërim të përgjithshëm, lënien e fjalëve dhe veprave të shëmtuara si agjërim të posaçëm dhe na tregon për llojin e tretë ende më të posaçëm të agjërimit: lënien e veseve të këqija të zemrës dhe pastrimin e saj nga mëkatet. Lloji i fundit i agjërimit kërkon mund të madh në përsosje të moralit dhe sjelljes së individit, por myslimani duhet së paku të tentojë në këtë.
Agjërimi po ashtu përbëhet nga “gëzimi i parë i agjëruesit” Iftari, i cili duhet pritur dhe kryer me kohë.
Për hajër na qoftë ky muaj i mëshirës dhe le të mos harrojmë se lutja e agjëruesit është njëra nga tri lutjet që janë të pranueshme nga Zoti dhe t’i lutemi Atij që të pasurojë të varfrit tanë, të shërojë të sëmurët tanë dhe t’i kthejë të siguruar ata që i kemi larg. Amin.
“Bashkë me lalën shkojm n’xhamie…”
Çdokush ndien nostalgji në këtë muaj. Secili kërkon kohën e tij të humbur dhe përkujton momentin më të mirë duke mos ditur se ndoshta fjala më e mirë ende nuk është thënë dhe se çasti më i bukur ende nuk është jetuar. Duke rikujtuar fëmijërinë mu si kemi kujtuar këtë këngë së cilës nga shkaqet thjesht tematike ia ndërruam vargjet na kujtohet të gjithëve lala ynë. Me lalë në gjuhën tonë emërtohet babai, vëllai më i madh ose xhaxhai më i vogël, por edhe guri. Në gjuhën e vjetër turke lal është mësuesi i posaçëm nga ata që mësonin fëmijët e vezirëve dhe të sulltanëve. Gjithë kujtojmë lalën tonë i cili ishte zakonisht xhaxhai i vogël që na mësonte dynjanë. Kujtojmë heroin e fëmijërisë dhe qëndresën prej guri që ka pasur ai duke mbrojtur dhe mësuar nipin. Ndoshta njëri nga heronjtë e rrallë jomyslimanë të myslimanëve Ebu Talibi – xhaxhai i Pejgamberit, që deri në fund të jetës së tij e mbrojti atë është i pari kujtim i përbashkët për lalën. Lala na mësoi shumë për jetën, por ishte i pari që na mori me vete në xhami e na mësoi si merret avdesi dhe si falet namazi.
Xhamia, si objekti qendror i jetës fetare është vendi ku më shumë vërehet gjallëria që sjell Ramazani. Zakonisht gjatë këtij muaji organizohen ligjërata fetare me tema të ndryshme që kryesisht zhvillohen para namazit të teravisë, por edhe në kohët e namazeve të tjera ditore. Nëpër vende të ndryshme organizohen edhe ndeje të posaçme në mbrëmje kurse si zakonisht shpeshtohet edhe leximi i Kuranit Fisnik.
Namazi i posaçëm gjatë këtij muajit të bekuar quhet namaz i teravisë nga fjala teravih që në arabisht d.m.th. pushim. Vlerën e kësaj lutjeje të posaçme e kuptojmë duke pasur parasysh porosinë e të Dërguarit të Allahut: “Kush ngrihet për t’u falur në muajin e Ramazanit me besim dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahutt i falen mëkatet që i ka bërë më parë”. Ky është namaz vullnetar, në dallim të pesë lutjeve obligative ditore që janë një prej kushteve të Islamit bile edhe shtyllë e tij.
Gjithsesi ata që këtë Ramazan nuk e presin nëpër shtëpitë e veta janë ende të shumtë dhe mu ata mallëngjehen më së tepërmit, por është detyrë e çdo myslimani të ndihmojë me aq sa mundet në këtë muaj të solidaritetit gjithë ata që kanë nevojë. Kjo është edhe esenca e gjithë atij altruizmi që na mësoi një lal nga ata të mëparshmit, të cilët “nuk e kthenin nevojtarin pa i dhuruar gjë” Seidit djali i Asit. Ai i ushqente njerëzit gjatë Ramazanit. Pasi që njerëzit u ndanë një djalosh fisnik ende mbeti tek ai. Seidi pyeti: Mendoj se ke nevojë pasi që u ndale? Tha: Po, Allahu e përmirësoftë gjendjen e pushtetarit! Seidi goditi qiriun me mëngë dhe e fiku. Pastaj tha: Për çka ke nevojë? Shkruaji kryetarit se kam borxh dhe kam nevojë për shtëpi. Tha: Sa e ke borxhin? Tha: Dymijë dinarë dhe tregoi sa kushton një shtëpi. Seidi i tha: Mos u lodh të udhëtosh, eja nesër merri prej nesh. Njerëzit thoshin: Fikja e qiriut ishte më e mirë sesa vetë dhënia e ndihmës që mos t’ia shohë fytyrën të mposhtur nga lypja.
Muaji i agjërimit – Jo “seç m’ka zënë Ramazani…”
Në pikat e mëparshme tërthorazi përmendëm se çka e përbën agjërimin dhe rregullat e tij, kurse më tepër u munduam të sqarojmë se agjërimi kërkon fisnikërimin e sjelljes sonë. Por, ne shpesh vërejmë se disa agjërues sillen në mënyrë të pakuptimtë, sidomos nëse kemi parasysh se ndodhen në një adhurim të vazhdueshëm që zgjat tërë ditën, gjë që nga çdo agjërues kërkon që gjatë tërë kohës të jetë i vetëdijshëm për veprën që kryen.
Kontradikta më e madhe që vërejmë në këtë muaj është arsyetimi i përdorur për disa gabime, aq shpesh i përsëritur nga njerëzit, saqë ka zënë vend në fjalorin tonë të përditshmërisë si shprehje e njohur për të gjithë. Shprehja sa autentike, aq edhe e keqpërdorur është ajo e njohura “m’ka zënë Ramazani”.
Çdokush që ka dashur ta përktheje ose, thjesht, ta sqarojë këtë shprehje në ndonjë gjuhë tjetër ka hasur në vështirësi të mëdha rreth autencititetit të saj, gjithmonë duke dështuar në përkthim. Hoxhallarët vazhdimisht kanë tërhequr vërejtjen që kjo shprehje të mos përdoret, andaj mendojmë se nuk ka nevojë për përsëritje, por do të ndalemi më shumë në ato gabime që i shtyjnë disa ta përdorin këtë shprehje “unikale”.
Kushti i parë dhe kryesor i agjërimit është qëllimi i sinqertë dhe kjo është të përmbajturit nga ngrënia dhe pija me synim adhurimi, jo nga tradita apo presioni kolektiv i shoqërisë. Kur ky kusht mungon, ne kemi të bëjmë me një uri së cilës nuk i dihet shkaku, e aq më pak urtësinë që ai e ngërthen në vetvete. Manifestime që shfaqen nga kjo uri pa nijet, janë të njëjtat që do t’i vërenim në çdo eksperimentim të kryer me metodën e privimit nga pija dhe ngrënia.
Një gabim tjetër është kryerja e vetëm këtij ibadeti, duke lënë mangët adhurimet e preferuara siç janë, leximi i Kur’anit Fisnik, madhërimi dhe përmendja e Zotit, bile edhe kryerja e namazeve obligative ditore. Kësisoj, agjërimi nuk është pos një lule e bukur, por e vetmuar dhe qëndron në një ambient armiqësor, duke mos përjetuar rehatinë dhe harmoninë e një jetese në lulishte.
Një prej gabimeve paksa më të fshehura është krenimi me kryerjen e këtij kushti të fesë, kështu që ekziston rreziku që ky krenim ta shtijë atë në mëkate të mëdha, si mendjemadhësia etj. Në librin “Të metat e nefsit” mund të lexojmë: Për t’u shpëtuar kthetrave të kesaj mangësie, njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm se ibadeti, sado që të jetë i bërë me bindje dhe sinqeritet, prapëseprapë nuk është i largët nga mungesat dhe të metat. Mu për këtë arsye, duhet lënë anash ndjenja e vetëpëlqimit të veprave të bëra.
Për në fund, duke mos lënë vend për një “mirë, be, hoxhë po…”, do të thoshim se mungesa e helmit të mikut me të njohur-nikotinit, sjell probleme për disa agjërues gjatë tërë ditës. Myslimani duhet të dijë se assesi nuk mund ta justifikojë fetarisht konsumimin e duhanit dhe këtë nuk e kanë arritur dot edhe të tjerët para nesh. Duhani, sipas argumenteve fetare më së paku është mekruh – vepër kryerja e se cilës urrehet, mirëpo që nuk ka argument të qartë për ta hequr qafe. Andaj, çdo mysliman në rrugën e gjatë të përmirësimit të tij duhet të këtë edhe lënien e këtij vesi. Muaji i Ramazanit është rasti ideal për këtë gjë. Shumica e myslimanëve që pinë duhan gjatë ditëve të agjërimit ndiejnë një lehtësim të dyfìshtë. Atë që nuk janë duke bërë diçka që fetarisht urrehet, kanë rastin ta bëjnë duke filluar nga ky muaj i bekuar, për shkak se atëherë do ta shohin veten të lehtësuar, lehtësim ky që në trup vjen natyrshëm pa nikotinin e konsumuar gjatë ditës. Nëse këtë lehtësi mund ta përjetojmë që ta ndiejmë edhe pas iftarit, atëherë në fund të muajit jemi më afër shpëtimit nga ky vrasës i ngadalshëm.
Gabimet tona janë ato që na kanë zënë peng dhe zvarrë na tërheqin, kurse këtij muaji të durimit nuk I duhet dhënë rolin e jetimit që do t’ia mveshim fajin, por duhet shfrytëzuar maksimalisht për përmirësimin e vetes tonë. Prandaj, ky muaj i jetësuar me aq përkushtim nga ana e besimtarëve, nuk mbetet jetim. Para disa ditësh dikush më tha se këtij keqkuptimi i kundërvihemi me sjelljen tonë shembullore prej agjëruesi dhe në vepër tregojmë se mu në këtë muaj jemi më të mirë dhe më të qetë. Mu këta besimtarë që bëjnë thirrje për punë të mira dhe largojnë nga e keqja dhe e shëmtuara, janë shembullorët. I lutemi Zotit që të na udhëzojë në rrugë të drejtë dhe të na drejtojë kah ajo që do Ai dhe me të është i kënaqur.
Kur vjen dita…
Falenderimet i takojnë Zotit, i cili i caktoi vitit dymbëdhjetë muaj. Madhërimi i takon atij që nga nata nxjerr ditën dhe nga dita natën. Në jetën e kësaj bote besimtari përjeton dhe pret afate të vogla gjatë tërë kohës. Deri në afatin e tij më të madh-exhelin. Kjo ndjenjë na mëson që ta shfrytëzojmë kohën e shkurtër që kemi në dispozicion. Zoti në suren e njëqind e trembëdhjetë të Kuranit Fisnik betohet në kohën dhe na sqaron se cilët njerëz nuk janë në humbje me kalimin e saj, duke na thënë: “Pasha Kohën. Në të vërtetë njeriu është në humbje. Përveç atyre që besojnë dhe vepra të mira bëjnë dhe ata të cilët njëri-tjetrin këshillojnë për të vërtetën dhe durimin.”
Mosshfrytëzimi i kohës për punë të mira dhe jetë nën hije të besimit, bën që përcjelljet tona të afateve të na duken të zymta, por njeriu është i obliguar që sipas mundësive të shfrytëzojë çdo moment të tijin për punë të mira dhe vepra të hajrit. Zoti nuk ngarkon askënd përtej mundësive të veta.
Në Islam ka kohë të dalluara kur shumëfishohet shpërblimi për punët e mira, por ka edhe festa të myslimanëve që ata duhet kremtuar në mënyrë të denjë dhe të ligjshme. Festa javore është Xhumaja-dita e premte, kurse dy festat e vetme vjetore janë dy Bajramet, ai i Ramazanit në fillim të muajit Shevval dhe ai i Kurbanit, dy muaj më vonë.
Netë të dalluara në Islam janë gjithë netët e Ramazanit, por në veçanti dhjetë netët e fundit të këtij muaji. Në këto net Pejgamberi ka shtuar adhurimin, kurse shpesh ka kryer edhe veprën e preferueshme që duhet të kryhet në treshin e fundit të këtij muaji-Itikafin. Ky adhurim i njohur ndër ne si Itikaf, është sunnet i pëlqyeshëm për të kërkuar të mirën dhe nuk lejohet të bëhet në vende të tjera perveç xhamisë. Njeriu që është në itikaf duhet të angazhohet me ibadete, siç është namazi, leximi i Kur’anit, lavdërimi dhe falënderimi i Allahut, madhërimi dhe kërkimi i faljes prej Tij, dërgimi salavate Pejgamberit, lutjet e ndryshme, si dhe përsëritja e diturisë.
Itikafi preferohet edhe për kërkim të natës më të madhe në Islam-natën e Kadrit e cila është në dhjetë netët e fundit të Ramazanit. Kuptimi “Kadr” është nderim ose respektim, domethënë ajo është një natë e cila nderohet për shkak të karakteristikave të saja të veçanta dhe pasi që personi i cili rri zgjuar dhe kryen adhurimin gjatë kësaj nate, bëhet njeri i nderit. për vleftën e kësaj nate, në të cilin filloi zbritja e Kuranit. Për këtë më së miri na flasin ajetet e sures Kadr: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit”
Për më tepër, Ebu Hurejre na përcjell fjalën e të Dërguarit të fundit të Zotit: Cilido që rri zgjuar gjatë Lejletul-Kadr nga besimi dhe shpresa për të fituar shpërblim, të gjitha mëkatet e tij të mëparshme do të falen”.
Kjo natë shënon afrimin e fundit të këtij muaji dhe gëzimit nga ardhja e ditës së Bajramit i paraprin zymtia nga përfundimi i muajit të agjërimit. Lusim Zotin që të na mundësojë të arrijmë sa më shumë Ramazane dhe të njëjtit t’i kalojmë duke bërë vepra të mira dhe të na i pranojë Allahu gjithë adhurimet që kemi kryer gjatë këtij muaji.
ramazan.al