Dita e Ashuras

Kur përmendim ditën e Ashuras, kemi parasysh ditën e dhjetë të muajit hënor Muharrem. Allahu i Madhëruar, nëpërmjet veprave të mira që ua ka përligjur shërbëtorëve të Tij, gjatë gjithë vitit, veç objektivit të shpërblimit hyjnor, ka si qëllim edhe forcimin e lidhjeve të myslimanëve jo vetëm me Profetin e Tij të fundit, Muhamedin (a.s.), por edhe me të gjithë profetët, për të treguar se identiteti i tyre është vijues dhe historik. Kjo shprehet qartë edhe tek agjërimi i ditës së Ashuras, ditë në të cilën Allahu i Madhëruar shpëtoi Profetin Musa (a.s.) nga armiku më i përbetuar historik ndaj së vërtetës, Faraoni.
Profeti ynë i dashur, Muhamedi e ka agjëruar këtë ditë dhe i ka porositur dhe shokët e tij që të agjërojnë. Kështu që, për myslimanët është e pëlqyer që ta shoqërojnë këtë ditë me agjërim, në shenjë mirënjohje ndaj Zotit, në përkujtim të sakrificave të Musait (a.s.) dhe në shenjë respekti e bindjeje ndaj profetit të tyre, Muhamed Mustafasë (a.s.), i cili për agjërimin e kësaj dite, është shprehur:
“Me agjërimin e ditës së Ashuras, shpresoj që Allahu të m’i falë mëkatet e vitit të kaluar.”

www.dritaislame.al

Leave a Reply