Kryetari i Komunitetit Mysliman të Austrisë Dr. Phil. Fuat Sanaç, zhvilloi një vizitë miqësore në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku u prit nga dy nënkryetarët e KMSH-së z. Bujar Spahiu dhe z. Gazmend Aga si dhe nga Kancelari i KMSH-së, z. Ali Zaimi.
Përfaqësuesit e KMSH-së e njohën z. Sanaç, me institucionin, veprimtarinë dhe funksionin e tij. Kancelari i Komunitetit Mysliman e njohu z. Sanaç edhe me botimet periodike të KMSH-së, me revistën fetare e social-kulturore “Drita Islame”, revistën fetaro-shkencore, Zani i Naltë, si dhe me librat e botuar kohët e fundit nga Komuniteti Mysliman.
Ndërsa Dr. Phil. Fuat Sanaç, nga ana e tij i falënderoi përfaqësuesit e KMSH-së për mikpritjen si dhe i njohu ata me funksionimin e Komunitetit Mysliman Austriak.
Gjithashtu në takim u diskutua për plane të përbashkëta në të ardhmen, ku të dy palët shprehën gatishmëri të plotë për të punuar sëbashku.
Z. Sanaç ndodhej në Tiranë në kuadër të pjesëmarrjes në konferencën “Edukimi qytetar dhe islami”, e cila u organizua nga Universiteti Hëna e Plotë Bedër, në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe Universitetin e Tiranës.
4 Nëntor 2013
/Drita Islame/