Eksploatimi sistematik i grave përmes mohimit të të drejtave të tyre për jetë, arsimim, trashëgimi, liri të shprehjes dhe lëvizjes, pastaj mohimi i të drejtave të tyre politike dhe arritjes së shanseve ekonomike, ngufatja e tyre intelektuale dhe shpirtërore, si dhe ajo më e rënda – infanticidi femëror, ishin vetëm disa nga mënyrat e jetesës në shoqërinë arabe, para islamit, në të cilën edhe lindi i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s.
Ishte kjo shoqëri e cila funksiononte në bazë të sistemit të traditave, dokeve dhe zakoneve fisnore, e zhytur në idhujtari dhe besëtytni. Të tilla ishin të gjitha shoqëritë e asaj kohë dhe para saj, si ajo greke, romake, persiane, hinduse etj.
Gratë ishin në gjendje të mjerueshme, pa qenë asnjëherë në pozitë të protestojnë apo edhe të kundërshtojnë. Gratë (që kishin fatin të mos jenë të varrosura që në lindje, vetëm pse kishin lindur vajza) nuk kishin të drejtë arsimimi, martese/shkurorëzimi me pëlqimin e saj, nuk trashëgonin, nuk gëzonin fitimet e punës së tyre, nuk pyeteshin për fëmijët e tyre, rriheshin dhe vriteshin pa dhënë askush llogari për to, jepeshin, shiteshin dhe shkëmbeheshin varësisht nga teket e të tjerëve. Nuk kishte asnjë njeri që të bënte diç për to, e po ashtu nuk kishte asnjë zhvillim në shoqëri që do të zbuste sadopak dhimbjet dhe vuajtjet e tyre.
Pastaj erdhi Muhamedi!
Shfaqja e Muhamedit a.s. në këtë shoqëri, respektivisht shpallja hyjnore me të cilën u obligua, shënon një kthesë esenciale, një ndryshim historik në pozitën e grave. Muhamedi a.s. filloi thirrjen për barazi mes burrave dhe grave, për ndjeshmëri dhe respekt ndaj tyre. Po apelonte te njerëzit që të kenë frikë Zotin për punët që bënin, apo për ato që nuk bënin ndaj grave.
Përmes shpalljes hyjnore të islamit, Muhamedi a.s. vendosi dhe sistemoi të gjitha të drejtat, obligimet dhe përgjegjësit që do ta ngrenë gruan në statusin fisnik të saj, të cilin ajo e meritonte. Në një status të tillë, që nuk u arrit në asnjë sistem tjetër më parë apo edhe më pas.
Muhamedi a.s. i mësoi prindërit e vajzave se, nëse kujdesen mirë për to dhe i edukojnë siç duhet, do të jenë në xhenet, e nëse u flasin mirë atyre, ato do të flasin mirë për ta në Ditën e Gjykimit. Muhamedi a.s. i mësoi njerëzit se xheneti është nën këmbët e nënave të tyre. Ai i mësoi njerëzit që të mos bëjnë dallime mes fëmijëve të tyre, as edhe sa një hurmë. Ai i mësoi etërit t’u japin vajzave të tyre nga pasuria e tyre dhe që të mos u marrin nga pasuria që u japin burrat e tyre. Ai i mësoi burrat se si të sillen mirë dhe drejt me gratë e tyre në martesë, e gjithashtu edhe në rast të prishjes së martesave të tyre. Ishte Muhamedi a.s., ai që i mësoi njerëzit se si të sillen me bijat e tyre të martuara. I mësoi ata se si të konsultohen me gratë dhe bijat e tyre. Nga Muhamedi a.s. mësohet më së miri se si të bisedohet, se si zhvillohen mendimet e pavarura, se si legjitimohen mendimet e grave në shoqëri. Nga Muhamedi a.s. mësohet se si ndihmohen gratë në punët e shtëpisë, në nxënien e dijes, në shoqëri etj. Ai ua ilustroi njerëzve mësimin më të mirë për pasojat, në rast të ndërhyrjes në personalitetin e grave pa vullnetin e tyre. Ai a.s. tha se gratë i ngjajnë bririt, nëse mundohesh ta drejtosh, ai do të thyhet. Te gratë e kësaj bote, Muhamedi a.s. shënon ndikimin më pozitiv dhe më të madh të të gjitha kohërave deri në Ditën e Gjykimit.
Konkretisht, i Dërguari i Allahut, ka proklamuar barazinë në status dhe rëndësi të të dy gjinive në katër shtylla kryesore të ekzistencës dhe interaksionit njerëzor:
- Në çështjet fetare, (Kurani demanton tregimet në Dhiatën e Vjetër, të cilat denigrojnë gruan. Nuk gjendet asnjë argument që tregon se gruaja është krijesë me më pak vlerë se burri, apo se është fajtore për mëkatin e Ademit a.s.);
- Në obligimet fetare dhe shpërblimet për kryerjen e tyre (33:35), në obligimet etike dhe në shpërblimet për to në mënyrë shumë eksplicite (4:124), (16:97);
- Në arsimim (të gjithë jemi të obliguar të marrim mësim, qoftë edhe deri në Kinë. Kurani vazhdimisht urdhëron të lexojmë, të mësojmë, të mendojmë e të meditojmë. Ligjëratat e Muhamedit a.s. dëgjoheshin edhe si nga burrat ashtu edhe nga gratë);
- Në të drejtat ligjore të garantuar që nga lindja e deri në vdekje. Gruaja trashëgon (4:7-11); njerëzit do të sanksionohen nëse u mohojnë këtë të drejtë (4:19); specifikohet qartë se dhurata e para martesës i takon asaj (2:229), (4:19-21-25); në rast të kryerjes së çfarëdo vepre penale, dënimi për gruan nuk është as më i vogël e as më i madh sesa për burrin në rastin e njëjtë (5:41), (24:2); edhe ajo kompensohet, dëmshpërblehet njësoj sikurse burri.
Shoqëria që proklamoi Muhamedi a.s., është një shoqëri dy gjinore, në të cilën secila palë bart përgjegjësi të caktuara, nuk jetojnë as në pavarësi e as në varësi nga njëri-tjetri, por secila palë ka rol të barabartë dhe të kompletuara. Prandaj, edhe kjo formë e ndarjes së punëve në Kuran, obligon burrin që të punojë, fitojë dhe të jetë përgjegjës për furnizim (2:233). Vetëm duke qenë në ndërvarësi me njëri-tjetrin, mund të ketë prosperitet në një shoqëri dhe të shmangen dukuritë destruktive, ku individi jeton, mendon, fiton, shpenzon, ushqehet vet dhe vetëm për vete.
Tek i Dërguari i Allahut a.s. gjendet argumenti më i mirë se, fuqizimi i grave në shoqëri fuqizon edhe shoqërinë në tërësi dhe anasjelltas. Nuk shënohet në histori asnjë shembull i ngjashëm me atë të historisë së shkencave islame, ku gruaja luan rol aq aktiv dhe të rëndësishëm. Shkenca e hadithit (jeta dhe vepra e Muhamedit a.s.) shënon numrin më madh të dijetareve të dalluara, dëshmia dhe gjykimi i së cilave përbën numrin më të madh të argumenteve mbi të cilat bazohet islami.
Muhamedi a.s. rekomandonte që në mungesë të tij, për çështjet fetare njerëzit ta pyesnin gruan e tij, Aishen r.a. Pas vdekjes së sij, Aisheja r.a. ishte burimi kryesor i informatave për Muhamedin a.s. Ajo shquhej për mendjemprehtësi dhe gjykim, ishte e zonja në medicinë dhe në poezi.
Vajzat e Muhamedit a.s., në veçanti Fatimeja r.a. kishin një ndikim në jetën e tij dhe në vetë përhapjen e islamit. Muhamedi a.s. u lind bonjak, u rritë pranë nënës pa babanë, u fuqizua pranë Hatixhes, e u ndihmua deri në vdekje nga gratë dhe bijat e tij.
Imagjinoni se si do të ishte jeta e tij pa këtë “krah” të shoqërisë, në jetën që ai bënte? Apo thënë më ndryshe, imagjinoni se si do të jetonin ato (nëse veç do të jetonin) pa shpalljen e Islamit përmes Muhamedit a.s.?
Në kohën kur historia e njerëzimit shënoi kthesën nga errësira në dritë, aty u shkruan edhe emrat e Ebu Bekrit, Omerit, Aliut e Othmanit, së bashku me emrat e Sumejës (dëshmores së parë), Hatixhes (besimtares së parë), Aishes, Umu Selemes, Emsasë, Umu Habibes, Hafsës, Atijes, Sehlasë, Reudasë etj.
Asnjë histori, e asnjë civilizim tjetër nuk përmban më shumë emrat grash meritore sesa civilizimi islam.
Prandaj edhe ekzistojnë faktet e sotme se, islami shënon rritje prej 237%, vetëm në SHBA 100.000 njerëz kanë pranuar islamin brenda një viti, prej tyre shumica gra. Nga katër të konvertuar, tri prej tyre janë gra. A thua pse?
Islami ofron dinjitet, drejtësi, paqe, vetëvlerësim, respekt për të gjithë. Por, përkundër të gjitha të vërtetave, akoma ka njerëz që besojnë se Muhamedi a.s. dhe Islami në të cilin ai ftoi njerëzimin, është kobzi për gratë. Qartazi shihet se gratë mendojnë ndryshe. Mbase të tillët akoma mendojnë që gratë nuk munden të dinë, të mendojnë dhe të gjykojnë drejt për veten e tyre. Nga mendimet e tilla raciste dhe johumane dalin edhe paragjykimet, nën petkun e patriotizmave, që kushdo që nga gratë në Kosovë përcjellë me zemër dhe përpikëri mësimet e Kuranit dhe të Islamit, si dhe shëmbëlltyrën e Muhamedit a.s., nuk bëjnë tjetër veçse kopjojnë shoqërinë arabe. Prej nga edhe rrjedh mohimi për të drejtën për arsimim, punësim, liri për përcaktim dhe vendimmarrje për jetët e tyre.
Nga synimi i secilit besimtar dhe besimtare myslimane është që të përcjellë, zbatojë dhe adoptojë praktikat më të mira të zhvillimit njerëzor që ndonjëherë i ka njohur historia e njerëzimit, të mishëruara në personalitetin e Muhamedit a.s.
Ata po mundohen të prapësohen nga njerëzit e caktuar, nga klubet e caktuara, mendësia e të cilëve nuk dallon fare nga mendësia e shoqërisë para islame e arabëve, te të cilët Allahu e dërgoi Muhamedin a.s., tek i cili gjenden virtytet më të mira. (El Kalem, 4) Edhe në hytben e tij lamtumirëse, Muhamedi a.s. porositi për drejtësi ndaj grave dhe ndalim të dhunës ndaj vetvetes, të respektohet dhe të ruhet amaneti i Allahut, – tha Muhamedi a.s., duke aluduar në gratë.
Nga: Besa Ismaili-Ahmeti
Marr nga: https://dituriaislame.com/artikuj/784