Një grup përfaqësues të NATO-s për çështjet fetare, zhvilluan sot një vizitë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku u pritën nga kryetari i KMSH-së, Haxhi Selim Muça si dhe anëtarë të tjerë të kryesisë.
Grupi përfaqësohej nga: Lejtnant Kolonel Michael KLEIN – Zëvendës Komandant Kapelan i Shteteve te Bashkuara për Evropën, Kapiten Shawn FOUND – Zëvendës Drejtor për Programet Familjare në Gardën Kombëtare New Jersey dhe Assistente Kapelane, Rreshtere Xochi RISCO.
Kreu i KMSH u uroi atyre mirëseardhjen dhe i njohu me strukturën dhe funksionimin e institucionit që ai drejton.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e NATO-s e njohën kryetarin Muça me funksionimin e asistencës fetarë që u jepet trupave të NATO-s. Ata u shprehën se çdo shtet anëtar i kësaj aleance, ka punonjësit e vet fetar të cilët, trajnojnë forcat e NATO-s sipas besimit përkatës të secilit, duke i edukuar e duke i ushqyer ato me informacion dhe njohuri rreth besimit.
Kryetari i KMSH-së z. Muça e përshëndeti këtë nismë dhe i bëri të ditur miqve, praktikat që KMSH në bashkëpunim me Ambasadën Amerikanë në Tiranë, ka ndjekur me grupe të ndryshme të NATO-s, të cilët kanë shkuar në misionet përkatëse në Irak, Afganistan, etj.
“Përfaqësues të KMSH-së, teologë, kanë organizuar seminare trajnimi me këto grupe, në mënyrë që ata të jenë të informuar sa më shumë rreth besimit të tyre, në rastin konkret të atij mysliman”, tha z. Muça.
Gjithashtu kryetari i KMSH-së shprehu gatishmërinë e tij për të kontribuuar dhe për të ofruar asistencë fetarë për këto grupe edhe më tej.
27 Shtator 2013
/Drita Islame/