Kryetari i KMSH Haxhi Selim Muça: Islami në trojet shqiptare daton që në shekullin e VIII


Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça mori pjesë në simpoziumin ndërkombëtar “Kuvendi Ballkanik i Sari Salltikut”, të organizuar në Tiranë më 11 shtator 2013. Simpoziumi u organizua nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane me rastin e 750 vjetorit të ardhjes së misionarit të parë islam në Shqipëri, Sari Salltik.

Në fjalën e tij, kreu i KMSH-së, nënvizoi se gjurmët e islamit në trojet shqiptare janë shumë të hershme, që në shekullin e VIII, ku misionarë dhe grupe myslimanësh sollën fenë Islame në trojet tona para ardhjes së osmanëve.

Fjala e plotë e Kryetarit të KMSH-së Haxhi Selim Muça

Islami dhe gjurmët e tij në Ballkan dhe në trojet shqiptare janë shumë të hershme. Faktet dëshmojnë për praninë e Islamit, që me kontaktet arabo-islame me Ballkanin, zbuluar këto nga studiues dhe historianë të huaj.

Kulturën islame e kemi të pranishme në Adriatik dhe viset bregdetare qysh në shekullin e VIII (tetë), e që me ndërprerje të shkurtra do ta hasim deri në fillim të shekullit XI, apo në vitin 1023, kur nga Sicilia myslimane u ndërmor mësymja e fundit në bregun lindor të Adriatikut. Nga këto kontakte intensive tregtare, ushtarake, diplomatike dhe fetare prej tre shekujsh, kemi ndikime të mëdha reciproke, e sidomos të atyre islame mbi ato ballkanike, pra edhe iliro-shqiptare.

Prandaj, duke u nisur edhe nga hershmëria e tyre, këto lidhje kanë lënë gjurmë të thella në trevat ballkanike e më gjerë.

Kështu mund të përmendim se në disa fshatra të Mostarit janë zbuluar monedha argjendi të periudhës së Mervanit II, (viti 744-750), që dëshmojnë se myslimanët e atëhershëm kanë zhvilluar një jetë aktive me ilirët. Monedhat e gjetura nga njëra anë kanë të shkruar suren “El-Ihlas” të Kur’anit, në mes “La ilahe il-lall-llah”, ndërsa nga ana tjetër ajetin 33 të surës “Et-Teube”.

Historianët dhe studiuesit janë të mendimit se ndikimet i sheh se janë zhvilluar në disa drejtime: 1) nëpërmjet Bizantit, nga kufiri me vendet arabe, 2) nëpërmjet Spanjës, pra Andaluzisë, Egjiptit dhe Siçilisë, në të cilat qytetërimi islam kishte arritur zhvillim të madh, 3) nëpërmjet Hungarisë dhe 4) nëpërmjet turqve të Vardarit.

Sipas historianit të hershëm mysliman Idrisi dhe komentuesit të tij Ibni Kalkali ka shumë mundësi që në zhvillimin e bujqësisë në qytetet bregdetare me histori që nga kohët antike si Vlora, Durrësi dhe Himara të ketë pasur ndikim prania e myslimanëve.

Ndërsa përsa i përket figura kryesore të misionarëve myslimanë, që përmenden në historikun e islamit në viset tona, është figura e Sari Salltëkut.

Sipas burimeve të shkruara ai ka qenë i pari misionar mysliman që ka ardhur në Shqipëri.

Këto misionarë dhe këto grupe myslimanësh e sollën fenë Islame në trojet tona para ardhjes së osmanëve.

Kështu ka shumë tregues se, tregtarët, udhëpërshkruesit, teologët mistik ose jo, të cilët kanë luajtur rolin e misionarit, predikuesit të besimit Islam, i kanë vizituar vendet tona bregdetare, pastaj luginat e lumenjve dhe qendrat tregtare-qytetet shumë herët. Mandej ka të dhëna se kjo ka ndodhur shumë para ardhjes së osmanëve në trojet tona dhe në Ballkan.

Hyrja e popujve të Ballkanit në islam dhe sidomos ajo e shqiptarëve, nuk ka ndodhur me dhunë siç e ka përshkruar komunizmi, por me paqe dhe gradualisht gjatë një periudhe disa shekullore. Nga ana tjetër del se shqiptarët e kanë parë islamin si një besim më bindës dhe më demokratik. Kuptohet islamizimi më i madh i popullsisë ndodhi gjatë sundimit osman, shtrirë në një hapësirë kohore prej disa shekujsh dhe për shumë arsye.

Kështu së bashku me osmanët në Shqipëri hyri dhe koncepti i Vakëfit dhe në sajë të tij u hapën shumë shkolla, medrese e kurse të ndryshme.

Këto medrese në të cilat krahas shkencave fetare studioheshin dhe shkencat natyrore patën një ndikim të rëndësishëm në formimin e një shtrese të intelektualëve myslimanë në Shqipëri.

Mirëkuptimi dhe toleranca ndërmjet qytetërimeve e përjetuar në Ballkan gjatë një periudhe disa shekullore nuk është gjë tjetër veçse jetesë sipas parimeve islame. Një nga veçoritë, që e dallon qytetërimin Islam nga Mesjeta e pjesës tjetër të Evropës është bashkëjetesa e pjesëtarëve të feve dhe popujve të ndryshëm.

Një diçka tjetër që tërheq vëmendjen tek ne është edhe prania e tarikateve të ndryshme, që ky popull i vogël dhe ndër më të vjetrit nga të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit dhe Europës mbajti brenda këtë larmi besimesh dhe kulturash. Tarikati Bektashi, siç thotë edhe Piri Bektash Veli, si dhe Dede Reshati (Zoti i mëshiroftë), është një pjesë e pandarë e Islamit, është një frymëzim mistik, që me frytet e veta ushqeu zemrat e etura të besimtarëve.

Tashmë është detyrë e studiuesve dhe historianëve shqiptarë dhe të huaj, që këto gjurmë të hershme të islamit në trojet iliro-shqiptare, edhe pse të pakta në fillim, të zbulohen dhe të studiohen, në mënyrë që opinioni publik të jetë më i mirinformuar për përhapjen e islamit në trojet tona.

Leave a Reply