
Të dashur besimtarë dhe besimtare,
Me mëshirën e Allahut të Madhëruar, kemi hyrë në një periudhë kohe të veçantë, të zgjedhur nga Zoti i Gjithësisë, një periudhë që hap dyert e pendimit, të shpresës dhe të afrimit të sinqertë me Krijuesin. Janë ditë që na ftojnë të ndalemi, të reflektojmë dhe të rigjejmë lidhjen tonë shpirtërore me Allahun.
Kanë filluar Tre Muajt e Bekuar – një udhëtim shpirtëror që na përgatit zemrën dhe shpirtin për takimin me muajin e Ramazanit.
— Muaji Rexheb është muaji i faljes dhe i amnistisë hyjnore. Është muaji kur besimtari i drejtohet Allahut me pendim të sinqertë, duke shpresuar në mëshirën e Tij të pafundme. Ne tashmë ndodhemi në këtë muaj të bekuar, ku çdo vepër e mirë ka peshë të veçantë dhe ku zemrat garojnë për të fituar kënaqësinë e Allahut.
— Muaji Shaban është muaji i shefaatit, i ndërmjetësimit për falje. Është muaji i pastrimit të brendshëm, i përgatitjes shpirtërore dhe i forcimit të lidhjes me adhurimin, për t’u afruar sa më të përgatitur drejt Ramazanit.
— Muaji Ramazan, muaji i Kuranit, i mëshirës dhe i faljes, është kulmi i kësaj rruge shpirtërore. Është muaji i shtimit të mirësive, i durimit, i solidaritetit dhe i afrimit të sinqertë me Allahun. Urtësia hyjnore që para këtij muaji vijnë dy muaj të tjerë të bekuar është një dhuratë e madhe për besimtarët, që zemra dhe shpirti të përgatiten për të përjetuar plotësisht madhështinë e Ramazanit.
(Për secilin prej këtyre muajve, me lejen e Allahut, do të flasim më gjerësisht në ditët në vijim.)
Profeti ynë i dashur, në fillim të muajit Rexheb, lutej me këto fjalë të mbushura me shpresë dhe përulësi:
“Allahu im! Na i bëj të bekuara Rexhebin dhe Shabanin dhe na bashko me Ramazanin.” (Ahmed, I, 259)
Po ashtu, i Dërguari i Allahut ka thënë:
“Muaji Rexheb është i Allahut të Lartësuar, muaji Shaban është i imi, ndërsa muaji Ramazan është i ymetit tim.”
E lusim Zotin e Gjithësisë që këta muaj të jenë për ne muaj pendimi të sinqertë, afrimi me Krijuesin, paqeje në zemra dhe bereqeti në jetët tona.
Allahu na bëftë prej atyre që përfitojnë nga mirësitë e këtyre ditëve të bekuara dhe na bashkoftë me Ramazanin me zemra të pastra dhe vepra të pranuara.
Bujar Spahiu
(Kryetar i Komunitetit Mysliman te Shqiperise)