Të shumta janë iftaret e organizuar nga Komuniteti Mysliman dhe Medreseja e Tiranës, të kthyera tashmë në një traditë të bukur, me një pjesëmarrje mjaft të gjerë në to.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Medresenë e Tiranës shtruan mbrëmë një iftar për 500 veta në sheshin përpara medresesë.
Kanë qenë besimtarët myslimanë, si pjesë e xhemateve të xhamive të ndryshme të qytetit dhe rrethinave, të cilët kanë gëzuar gjithë së bashku në sofrën tradicionale të iftarit. Ata shprehën kënaqësinë e madhe që u bënë pjesë e kësaj sofre vëllazërore e të begatë.
Sofra e iftarit u shoqërua edhe nga një program artistik organizuar nga nxënësit e medresesë, ku u kënduan ilahi dhe u recituan poezi, kushtuar muajit të begatë të Ramazanit.
Besimtarët myslimanë e presin mjaft gëzueshëm muajin e begatë të Ramazanit, muaj i cili këtë vit erdhi në mesin e temperaturave të larta që solli stina e nxehtë e verës. E me gjithë këto temperatura të larta, besimtarët myslimanë u bënë edhe më të guximshëm dhe më të durueshëm duke e çuar në vend këtë obligim të shenjtë të agjërimit dedikuar Zotit.
Një nga qëllimet kryesore të agjërimit të këtij muaji është edhe forcimi i unitetit, vëllazërisë dhe harmonisë mes njerëzve, e cila dukshëm shfaqet në shtrimin e sofrave të iftareve. Këtij qëllimi i shërben edhe tradita e bukur që ka vijuar prej vitesh në ambientet e Medresesë së Tiranës, ku çdo natë njerëz të shtresave të ndryshme të popullsisë mblidhen në sofrën e iftarit duke shënuar kështu një nga kulminacionet e këtij muaji të bekuar.
Përveç besimtarëve të shumtë në këto iftare kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të qeverisjes qendrore e vendore, drejtues të arsimit, mësues të shkollave të Tiranës, nxënës e prindër, etj, të cilët kanë n
darë së bashku gëzimin dhe kënaqësinë që të jep përfundimi i një sakrifice sublime dedikuar Zotit.
Ditët në vijim do ua lënë vendin të tjera iftareve për të tjera shtresa dhe institucione si: besimtarët e xhamive të ndryshme të Tiranës, Shtëpia e Fëmijës, etj. Dyert e Medresesë do të jenë hapura , për të pritur të tjerë agjërues dhe miq në sofrën e begatë të iftarit.
“Le të jetë kjo sofër tradicionale një shtysë më tepër për të gjithë ata që kanë mundësi ekonomike të ofrojnë një atmosferë të tillë ku harmonia, vëllazëria, paqja dhe solidariteti bëhen emërues të përbashkët të kësaj tradite të mrekullueshme.”, u shpreh imami i xhamisë së Medresesë Lauren Luli.
/Drita Islame/