Shkolla e Lartë “Hëna e Plotë” (Bedër) përfundon procesin e akreditimit. Pas një pune të gjatë, të nisur rreth një vit më parë, me firmosjen e urdhrit nr.223. datë 4.6.2013 nga ana e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, në përputhje me vendimin nr.469, datë 3.5.2013 të Këshillit të Akreditimit, universiteti ka marrë akreditimin institucional dhe të 15 programeve të studimit në nivelin bachelor dhe master.
Procesi nisi me ngritjen e grupit të vetëvlerësimit të brendshëm, i cili udhëhoqi të gjithë procesin e akreditimit. Pas përgatitjes dhe dorëzimit të raporteve të vetëvlerësimit institucional dhe raporteve për çdo program studimi, Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë ngriti grupin e ekspertëve të jashtëm. Ekspertët e jashtëm vlerësuan informacionin e paraqitur nga raportet e vlerësimit të brendshëm dhe më pas i dorëzuan APAAL-it konkluzionet e tyre, në lidhje me përmbushjen e standardeve të kërkuara për procesin e akreditimit. Më pas Këshilli i Akreditimit pranë agjencisë mori vendimin për akreditimin institucional dhe të 15 programeve të studimit që ofrohen në universitet.
Ky është një hap i rëndësishëm në konsolidimin e këtij institucioni të arsimit të lartë, si edhe certifikimi i standardeve të larta që ofron.
Çfarë është procesi i akreditimit?
Procesi i akreditimit është një proces, nëpërmjet të cilit një organ qeveritar, joqeveritar ose privat vlerëson cilësinë e një institucioni të arsimit të lartë në tërësi ose të një programi të veçantë studimi, në mënyrë që të njohë zyrtarisht plotësimin minimal të standardeve të cilësisë. Rezultati i këtij procesi zakonisht është dhënia e një statusi (një vendim po, jo ose me kusht) të njohjes ose dhënia e licencës për të ushtruar aktivitet brenda një afati kohor.