Nisur nga fakti se format e adhurimit që i bëjmë Allahut, janë të llojllojshme dhe me përmbajtje gjithëpërfshirëse si nga aspekti shpirtëror, fizik, shëndetësor, social etj., rrjedh se Allahu mund të adhurohet edhe me të përkujtuar e të përmendur, pasi Ai thotë: “Pra ju më kujtoni Mua (me adhurim) Unë ju kujtoj juve (me shpërblim). Më falënderoni e mos më mohoni” (Bekare, 152), që përfshin një lloj adhurimi që i bëhet Allahut vetëm me gjuhë e që është më i lehti nga format e adhurimit, që nuk kërkon kohë dhe vend të caktuar.
Formë tjetër me të cilën i bëhet adhurim Allahut është të përmendurit me gjuhë, por shoqëruar me lëvizjet trupore në kohë të caktuar brenda 24 orëve, ku bëjnë pjesë pesë kohët e namazit.
Pastaj kemi adhurimin tjetër që nuk kërkon shqiptim me gjuhë dhe as lëvizje, por vetëm ndalon nga ushqimet, pijet, marrëdhëniet bashkëshortore në kohë të caktuar. Ky lloj adhurimi është agjërimi gjatë një muaji në vit.
Po ashtu kemi një lloj krejtësisht tjetër adhurimi që obligon dhënien e një pjese të caktuar nga pasuria vjetore, që do të thotë se nuk ke nevojë për shqiptim as për falje dhe as agjërim, por vetëm të japësh nga pasuria që posedon duke falënderuar Allahun. Kjo formë adhurimi njihet me termin zekat.
Adhurim tjetër që është gjithashtu gjithëpërfshirës, ku Allahu në të njëjtën kohë përmendet, i kërkohet falje, dhe që kërkon mjete materiale por për këtë adhurim kërkohet edhe diçka më tepër – që të shkohet në një vend dhe në një kohë të caktuar, – është Haxhi.
Nga gjithë sa u tha më lart kuptohet se këto forma të adhurimit kanë për qëllim ngritjen e myslimanit në një shkallë sa më të lartë. Nisur nga aspekti shpirtëror, fizik, ekonomik, social, etj., për të cilat njeriu ka nevojë, aq më tepër në kohën që jetojmë, kur ana shpirtërore, fizike, ekonomike dhe sociale është mjaft e rrezikuar dhe vazhdimisht në shkatërrim e sipër në mbarë shoqëritë pa dallim, adhurimet marrin një dimension të ri.
Kur flasim për namazin dhe e shohim si mbrojtës e dallues kryesor mes myslimanit dhe jomyslimanit, del se prandaj është i përhershëm brenda ditës, ngase myslimani ka nevojë për prehje shpirtërore dhe mbështetje tek Allahu në çdo kohë, sidomos pas zhgënjimeve për aspirata, dëshira dhe qëllime në këtë botë.
E vetmja siguri për ngarkesat që i bëhen njeriut në shoqëri, është namazi, i cili e mbron nga e keqja dhe e shëmtuara. Kur besimtari falet, përkujton shumë ajete që e këshillojnë atë për jetën, që i japin shpresë dhe kurajë për punë dhe angazhim si dhe e mbrojnë nga sprovat dhe vështirësitë e jetës.
Për të gjetur prehje edhe më të madhe shpirtërore, myslimani shton falënderimin dhe kërkon kënaqësinë prej Zotit, që do ta gjejë edhe në namazet nafile (suplementare), që bëhen gjatë netëve të Ramazanit.
Kështu veproi i Dërguari i Allahut (a.s.), i cili është shembull për ne dhe që prej nesh kërkoi që gjatë këtij muaji të bëjmë sa më shumë adhurime, duke thënë: “Kush e lartëson Ramazanin me falje duke besuar dhe duke llogaritur atë, do t’i falen të gjitha mëkatet e kaluara.”
Nga namazet që Muhamedi (a.s.) falte në këtë muaj, është edhe namazi i teravive. Ky namaz bëhet vetëm gjatë Ramazanit. Namazi i teravive nuk është diçka tjetër përpos dallim dhe respekt ndaj muajit Ramazan, në të cilin kanë ndodhur shumë mrekulli, më e rëndësishmja prej të cilave ishte zbritja e Kuranit, ku edhe lavdërohen ata që e lexojnë dhe nëpërmjet faljes përkujtojnë këtë dhuratë që na e dha Allahu, duke na graduar që të jemi pjesëtarë të denjë të këtij Libri të Shenjtë, i cili sqaroi gjithçka për njerëzimin.
Namazi i teravive është për bashkimin e radhëve tona dhe kjo vërehet shumë qartë gjatë këtij muaji të begatë, i cili është këshilluesi dhe institucioni më i mirë gjatë tërë kohës. Ky namaz bashkon radhët, zbut zemrat, lartëson mendjet, dhe të gjitha këto çojnë në bashkimin e mbarë myslimanëve kudo që janë në botë.
Ne jemi të bindur se të gjitha obligimet që vijnë nga Allahu dhe profeti Muhamed (a.s.), nuk kanë për qëllim diçka tjetër përpos unitetin dhe bashkimin e radhëve tona rreth çështjeve më parësore – bindjen se Allahu është Një dhe Ai meriton adhurimin; ta dëshmojmë Atë me gjuhë. Namazi dhe të gjitha adhurimet e tjera të detyruara, nuk janë diçka tjetër përveçse forcim për radhët tona dhe tolerancë ndërnjerëzore.
Këtu vërejmë mëshirën e Allahut, sepse gjatë këtij muaji teravitë nuk janë ngarkesë, por vetëm pushim dhe qetësim shpirtëror.
/Drita Islame/