Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Gazmend Aga i dënoi thirrjet për pjesëmarrje në konfliktin sirian, si predikime që dëmtojnë
imazhin e fesë islame. Në një intervistë për televizionin Klan, ai tregon se imamët Genci Balla dhe Bujar Hysa nuk janë funksionarë të Komunitetit, ndërsa inkurajoi organet e drejtësisë për një proces sa më të drejtë.
Si i gjykoni predikimet për t’u bërë pjesë e luftës në Siri?
Shqiptarët duhet të qëndrojnë larg konfliktit, që ende nuk dihet nëse është fetar, politik apo le të themi një konflikt që ka interesa të tjera. Kemi një aspiratë që është integrimi në Bashkimin Europian dhe thirrjen për luftë nuk mund ta bëjë asnjë grup i caktuar njerëzish, asnjë komunitet fetar, por e bën shteti. Çdolloj thirrjeje tjetër që bëhet në emër të fesë, jo vetëm që nuk është legjitime, por dëmton rëndë vetë imazhin e fesë islame.
A ka një luftë botërore për islamin sot?
Nuk mendoj se ka një luftë të tillë, siç nuk mund të mohojmë se ka edhe raste islamofobie, dhe për ironi të fatit, besimtarët myslimanë jetojnë më të lirë dhe më të qetë në vende që nuk i përkasin besimit mysliman.
Në varësi të kujt janë emërimet e imamëve?
Në rastin konkret bëhet fjalë për disa persona që nuk njihen nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë si funksionarë të Komunitetit Mysliman. Nuk është se ka pasur ndonjë bashkëpunim institucional mes KMSH-së dhe personave në fjalë dhe ne si komunitet inkurajojmë organet përkatëse për një proces sa më të drejtë. Përpara drejtësisë nuk ka as fe, as racë, as ngjyrë. Nëse ka fakte, prova që tregojnë fajësinë e një personi, gjykata vendos. Nëse jo, të akuzuarit prezumohen si të tillë deri në momentin e vendimit të gjykatës.
A ka dy rryma që përplasen në Komunitetin Mysliman?
Nëse bëjnë fjalë për teologë që mbarojnë shkollat në vende të ndryshme, është e drejtë. Por nuk mund të flasim për ndryshim apo përplasje rrymash.
Disa besimtarë myslimanë i kanë cilësuar arrestimet e fundit si një luftë kundër Islamit. Ju si i cilësoni ato?
Ajo që lutemi është që, raste të tilla të mos ndodhin. Shpresojmë që të mos kenë ndodhur. Që fëmijë, të rinj e të reja shqiptare të mos kenë marrë pjesë në konfliktin sirian, apo të mos kenë humbur jetën bijtë dhe bijat tona në një konflikt që nuk ka lidhje me fenë. Asnjë grup nuk mund të bëjë thirrje për luftë apo të njollosë fenë.
A ka xhami të panjohura nga Komuniteti Mysliman?
Xhami të palegalizuara ka shumë, që janë nën juridiksionin e KMSH-së, por kanë probleme me truallin apo të tjera. Sa i përket xhamive që nuk janë nën juridiksion, do të thosha që janë shumë të pakta.