Qysh në 622 pas Krishtit, në ditën e parë të Hixhretit ose të epokës islame – ditë në të cilën Profeti Muhamed emigroi nga Meka në Medine – umeti i Islamit u themelua si një komunitet, si një shtet dhe si një rend botëror. Ishte një lëvizje që shkonte përtej fisit, kombit dhe sundimit, për të kërkuar një ridimensionim për identitetin njerëzor; një lloj i ri ndërveprimi njerëzor; një lloj marrëdhënieje e re ndërmjet grupimeve njerëzore. Nuk ishte një ëndërr utopike, por një lëvizje shoqëroro-ekonomike dhe ushtarake, e rrënjosur me vendosmëri në tokë, duke u paraqitur si një porosi për të rregulluar çdo aspekt të jetës njerëzore. Ai u mundua të mobilizonte mbarë njerëzimin me anë të përpjekjeve të bashkërenduara për të rindërtuar kulturën dhe qytetërimin mbi baza të reja.
Epistemologjia e vizionit islam
Vizioni i islamit, të cilin Profeti (paqja qoftë mbi të!) ua komunikoi me qindra shoqëruesve, ishte dhënë nga Zoti si një zbulim që ishte i vërtetë sipas llojit semit. Sidoqoftë, zbulimi islam i tejkaloi të gjithë shembujt e mëparshëm të profecisë semite, në qartësi dhe saktësi, në kuptueshmëri dhe qëndrueshmëri. Si një ipsissima verbae Zotit, ai shpalli të gjitha parimet e para (ose aksiomat) e legjislacionit dhe deklaroi vlefshmëri për të gjithë kohërat dhe hapësirat. Ai imunizoi veten nga të gjitha problemet hermeneutike duke ngrirë gjuhën e shpalljes, fjalorin e saj, leksiokografinë, gramatikën, sintaksën, format literale, standardet më të larta letrare dhe kritike, duke u ruajtur identike e njëjta gjuhë dhe të gjitha kategoritë e të kuptuarit që mishërohen në përdorimin e përhershëm dhe absolutisht të pandryshueshëm përgjatë katërmbëdhjetë shekujve deri më sot. Zbulesa e Zotit duhej të mbetej përgjithmonë e kulluar, aktuale dhe e kuptueshme – dhe në fakt ashtu mbeti.
Bazat autoritare të burimit hyjnor nuk ishin të vetmet. Zbulesa e islamit ishte po ashtu e bazuar në njohuri racionale. Të vërtetat e saj u deklaruan që janë të vërteta racionale. Nga njëra anë ato ishin të zbulueshme empirikisht në natyrë, si strukturë e trashëgueshme dhe e pandryshueshme. Këto janë ligjet që qeverisin veten, shoqërinë dhe botën e natyrës të studiuar nga shkencat natyrore dhe shoqërore. Nga ana tjetër, të vërtetat e Zbulesës islame janë të zbulueshme intuitivisht edhe nga kontrollet teorike dhe aksiologjike të ndërgjegjes. Këto të vërteta intuitive nuk janë subjektive, edhe pse subjekti është fokusi i tyre, por janë racionale dhe universale; nuk janë relative, por absolute. Kështu, Zbulesa islame qëndron midis metodologjisë racionale (empirike apo intuitive qoftë) dhe asaj religjioze (autoritare apo e jetuar qoftë). Premisa e saj bazë është që asnjë kontradiktë midis rezultateve të të dy metodologjive nuk mund të jetë përfundimtare apo themelore.
Përmbajtja e Zbulesës islame është jetësuar në sunnetin apo shembullin e Profetit. Thëniet dhe veprat e tij ishin konkretizim dhe ilustrim i Zbulesës. Për të ditur se çfarë është sunnet dhe çfarë nuk është, u krijua metoda historike dhe të gjithë disiplinat kritike që i përmbaheshin kësaj metode, që përbëhej nga njerëz, sende, ide, qëndrime, tradita gojore ose tekste të shkruara. Nga Kurani dhe Sunneti, si dy burimet themelore, u përçua Zbulesa në sheriat – ligji islam. Ky ligj përmbushi urdhëresat e Zbulesës po aq mirë sa e kërkonte arsyeja. Vërtet, duke vepruar mbi parimin e mëparshëm të njohjes, parimin e së vërtetës, sheriati lidhi zbulimet racionale të mirëqenies njerëzore si qëllime në vetvete të urdhëresave hyjnore. Prej këtu, nga dy burimet e Zbulesës sikurse nga burimi botëror në të mirë të njerëzimit, u zhvillua sheriati në të pesta shkollat e tij juridike, të cilat u quajtën ixhtihād, kijās, maslahah ose istihsān.[1]
Përmbajtja shoqërore e vizionit islam
Pika kyçe: etnocentrizmi
Konteksti shoqëror në të cilin lindi Islami nuk ishte shumë i ndryshëm nga ai në të cilin ne gjendemi sot. Në frontin ndërkombëtar bota ishte e ndarë mes dy gjigantëve: Perandorisë Romake dhe asaj Persiane – të dyja kërkonin dominim mbi të gjithë botën. Çdonjëra nga perandoritë rrethohej nga një numër shtetesh satelitë, që qeveriseshin nga elita të cilat kishin marrë përsipër të përqendronin botën në fuqinë e tyre; fuqi e cila pretendohej se do t’i mbronte ato. Këto shtete lodër ishin hapësira trazirash, ndërsa njëra nga perandoritë kërkonte t’i rrëmbente ato nga tjetra. Turbullimi varionte në varësi të rëndësisë (pozicioni strategjik, lënda e parë, fuqia punëtore, mirëqenia, tregtia) që prekte interesat perandorake. Shumë luftëra u kryen me urdhër të tyre, dhe forcat rrethuese mbaheshin gjithnjë në gatishmëri për të sjellë ndonjë gjendje tjetër lufte në arenë, ku planet të shpërfaqeshin sipas parashikimeve të tyre. Sa më e afërt dhe sa më e fortë të ishte lidhja mes shtetit dhe perandorisë, aq më i qëndrueshëm dhe i sigurtë do të ishte ky shtet. Ambicia për t’u fuqizuar dhe për të zgjeruar kufijtë ndër kohëra çeli një konflikt të hapur mes superfuqive.
Brenda shoqërive, si ato të superfuqive, si ato të shteteve rrethuese dhe si ato shtete të pakta që për arsye gjeografike ishin të veçuar nga lufta ndërmjet perandorive, njësia bazë ishte etnia. Sa më i madh të ishte populli, aq më i vogël ishte fisi. Që të dyja ishin instanca të gemeinschaft-it, anëtarët e të cilit ndanin të njëjtat karakteristika racore, gjuhësore, kulturore, etnike dhe fetare, dhe jetonin brenda të njejtës zonë gjeografike. Në Arabi, ashtu si në të tjera anë të botës, tipare akoma më të veçanta racore të trashëguara nga stërgjyshërit ndanë njësinë etnike në fise armiqësore, edhe pse këta i bashkonte e njëjta gjuhë, kulturë, zakon dhe besim. Qoftë fis apo popull, grupi etnik e përkufizonte natyrën e njeriut duke iu referuar natyrës së vetes. Ndarja e së mirës nga e keqja bëhej në bazë të kodit zakonor të gjithësecilit fis. Mirëqenia ishte aspirata e tyre më e lartë dhe prototipi i heroit ishte ideali më i madh. Bota ishte gjithnjë e më shumë në rritje të këtyre njësive entike, qofshin të vogla apo të mëdha. Përtej kufijve ishte një botë e huaj, e cila mund të lihej mënjanë ose të mposhtej e të gjunjëzohej, por gjithmonë duke u konsideruar si diçka e ndryshme nga vetja. Njerëzit e asaj bote janë të huaj, medoemos të rrezikshëm dhe armiqësorë, kundër të cilëve duhet luftuar; ndërsa njerëzit brendapërbrenda janë në lidhje gjaku, me të cilët ia vlen të bashkëpunosh e t’i mbrosh. Lidhja e gjakut ishte e lartësuar mbi të gjitha faktet dhe karakteristikat – dhe, në fakt, ishte bërë thelbësore për çdo njeri. Pothuajse gjithmonë njësia etnike përkonte me një entitet gjeografik dhe i përkiste asaj. Gjaku dhe prona e paluajtshme ishin mistifikuar në diçka misterioze, ndaj të cilave gjthçka dhe çdo gjë duhej t’i nënshtrohej. Vlera e gjithçkaje lexohej në pronë, racë dhe në shtetin sundues me anë të të cilit ishte ngritur dhe ndaj të cilit ishte destinuar të shërbente. Rendi fisnor në Arabi ishte i vetmi rend i njohur: njëri fis luftonte kundër tjetrit, klani kundër klanit, poeti thurte himnin e fisit dhe frymëzonte heronjtë e tyre të flijonin jetët e tyre për ta. Në Persi, ndërsa njëri fis nënshtronte tjetrin, të mundurit u bënë klasa më e ulët që shërbenin për kënaqësinë dhe rehatinë e fituesve, të cilët e shpallën veten sundimtarë, klerikë ose fisnikë. Shoqëria ishte një përzierje e këtyre klasave, të kyçur në skllavërim të njëri-tjetrit, pa asnjë mundësi e shpresë për lëvizje ndërmjet tyre. Perandoria Romake ishte një përzierje e skllevërve dhe shtetasve, ku dominonte elita fisnore: romakët. Të gjitha etnitë iu nënshtruan Romës, pronat e tyre u shpronësuan dhe u vunë nën përdorimin e romakëve. Konsujt dhe ushtria panë që ajka e çdo prodhimi shkoi në Romë.
Zgjidhja islame: heqje e etnocentrizmit
Islami e hoqi etnocentrizmin si të padobishëm për njerëzimin. Mishi dhe gjaku janë aksidente të ekzistencës njerëzore që nuk mund t’i kontrollojmë. Asnjë njeri nuk e zgjedh prejardhjen dhe vendlindjen e tij. Vendbanimin dhe lidhjen e gjakut mund t’i ndryshojë vetëm nëpërmjet operacionit radikal dhe të vështirë të vetçrrënjosjes ose emigrimit dhe konvertimit. Të dyja, gjaku dhe mishi, janë materiale, facta për t’u vlerësuar, por ato nuk janë vlera prej të cilave të dhëna të tjera mund të vlerësohen. Prej tyre, si të tilla, asgjë nuk mund të deduktohet për aksiologji ose deontologji; në vetvete ato nuk ndërtojnë asnjë meritë, dhe janë të bashkëshoqëruara me të mirën dhe të keqen. Kufijtë e tyre janë arbitrarë, ku ka pak arsye pse duhet të zgjerohen aty ku duhet, përderisa facta që karakterizon grupimet e vogla brendapërbrenda janë më të shumta dhe të forta sesa ato që karakterizojnë racën ose fisin. Ishte një arbitraritet kaq irracional, saqë bëri që arabët para-islamikë të ndaheshin jo vetëm ndërmjet fisesh, por edhe në klane armiqërorë brenda të njëjtit fis. Kur nuk ka më armiq të jashtëm për t’u luftuar, etnocentrizmi është përçarës i grupit brenda të cilëve ka një variatet fraksionesh që e kërkojnë akoma etnocentrizmin. Më tej, të përkiturit një klani, fisi, race apo vendi është një ndjenjë vetjake, gjithnjë subjektive, e veçantë, e përveçme, krejt e kundërta e universales, racionales, së domosdoshmes, njerëzores. Asnjë vlerë madhështore, absolute dhe e qëndrueshme nuk e lidh veten me një klan, fis ose racë. Vlera e vetme e etnicitetit është familja, njësia bazë e shoqërisë. Kjo nuk mund të mohohet, sepse lidhja e gjakut në të cilën etniciteti qëndron është evidente (më shumë se e dukshme) në familje. Përtej familjes, pretendimi për etnicitet, shndërrohet në shprehi. Por, familja duhet kuptuar si ‘zgjatim’, ku përfshihen të gjithë vëllezërit dhe motrat, xhaxhallarët dhe tezet/hallat, gjyshërit dhe paraardhësit e tjerë. Për të shkuar përtej këtyre, duhet të kesh ‘lidhje gjaku’ abstrakte, një lidhje faktike. Në anën tjetër të medaljes, për të mbajtur familjen nukleare si njësinë bazë është reduksioniste, sepse pranon disa pjesëtarë dhe mohon disa të tjerë. Për këto arsye, ndërsa braktisi njësinë etnike ose të fisit si kriter të së mirës dhe së keqes, Islami përkrahu ligjërisht familjen duke i mundësuar anëtarësinë për të trashëguar nga njëri tek tjetri ashtu sikurse për të qenë të besueshëm te njëri-tjetri sa herë ishte nevoja. Kjo e forcoi familjen e zgjeruar si njësi integrale socio-ekonomike.
Të qënurit një fakt i natyrës, etniciteti nuk mund të zhdukej. Ai mbeti, dhe Islami e njohu për atë që është: një realitet i natyrës, një cilësi e krijimit. Patjetër, njerëzit janë lindur në fise dhe kombe; ata janë lindur me karakteristika etnike, fizike dhe psikike; ata flasin gjuhë të ndryshme, mishërojnë karakteristika dhe mentalitete të ndryshme – edhe këto Islami i njeh si modele të krijimit të Zotit, të trashëguara jo vullnetarisht në të gjithë njerëzimin.
Por, fakti që njerëzit janë krijuar të bardhë ose të zinj, që flasin anglisht ose kinezisht dhe jetojnë në dëborë, nëpër male ose shkretëtira nuk do të thotë se ngjyra e lëkurës është një argument që çdo gjuhë ose lokalitet përbën një avantazh për superioritet mbi të tjerët. Kështu, faktet etnike nuk flasin më shumë se ato që janë: qëllimi i tyre është ndryshueshëria për hir të identifikimit. Roli i tyre nuk mund të shkojë përtej fotografisë së pasaportës. “O njerëz”, – thuhet në Kuran – “Ne të vërtetë, Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise për të njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (Kurani, 49-13)
Pra, Islami caktoi ndryshimin etnik vetëm për vlera utilitare të identifikimit dhe plotësimit. Ajo që dënohet është etnocentrizmi, prej të cilit nacionalizmi, provincializmi, klanet dhe fiset janë specie të ndryshme.
Nga: ISMAIL RAXHI EL-FARUKI
Përktheu: Nejona Kadzadej