Myftinia Pukë

myf

Myftinia Pukë është ndër Myftinitë e vjetra të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Pa përmendur prejudhen Osmane, Myftinia Pukë vijoi funksionimin e ri në vitin 1923 me Themelimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në këtë vit Myftinia Pukë u përfaqësua në Kuvendin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë nga Hafiz Haxhi Xhemal Naipi . Në vitin 1936 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e pajis zyrtarisht me vulë Myftinin e Pukës. (Sot, ajo ndodhet në muzeun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ). Aktualisht Myftinia Pukë mbulon me shërbim fetarë këto vende: Pukë , Kabash , Qerret , Dedaj , Meçe , Rrape , Hadroj , Rrap , Fushë Arrëz , Micoj , Vilë , Kryezi , Iballe , Flet , Xathë , Blerim , Trun. Ndërsa para këti viti sidomos para vitit 1850 Myftinia Pukë mbulonte me shërbim fetarë edhe këto vende: Shumri , PetkajDukagjin ( Malzi ), Gdhështë , Spaç Pistë Kalimash Shikaj dhe Mgullë ,  të cilat sot janë pjesë e Myftinisë së Kukësit si dhe xhamia e fshatit Mllojë. Sot fshati Mllojë është pjesë e Bashkisë Vau Dejës.
Sipas arkivit të Myftinisë Pukë & KMSH-së, por edhe të arkivit Shtetërore të Shqipërisë të vitit 1923 Myftinia Pukë ka pasur në shërbim fetarë 17 imam (hoxhallarë). 
Myftinia Pukë ushtron veprimtarin e saj sipas këti organizimi: Myfti, Këshilli i Myftinisë , Sekretar i Këshillit , Këshilli i xhamive, Administrator, Arkëtar, Hafiz, Imam, Vaiz, Myezin , Anëtar, Aktivistë/e etj.

Funksionimi aktual i Myftinisë së rrethit Pukë 

1.  Myfti
2.  Imam 
3.  Këshilli i Myftinisë
4.  Sekretari i Këshillit të Myftinisë
5.  Antar i KP-së
6.  Muezin
7.  Përgjegjësia e Zyrës së Gruas
8.  Kujdestar xhamie
9.  Aktivist/e vullnetar

Xhamia e vjeter e Koder Hanit , Puke . Fotografi e vitit 1916

Njihuni shkurtimisht me historinë e besimit mysliman në rrethin e Pukës (1523-1990)

Përgatitur nga:  Gëzim Kopani (Myftiu i rrethit Pukë)

 Abstrakt

Përhapja e fesë islame në rrethin e Pukës pas vitit 1523. Familjet fisnike të bajrakut të Kabashit bëhen mysliman duke u ndjekur nga Puka, RrapjaKryeziu etj. Familja e njohur pukjane “Dizdarë” përqafojnë besimin mysliman duke dhënë kontribut të drejtëpërdrejtë në përhapjen e fesë islame në rrethin e Pukës. Pas shek. XVII në fshatin Kabash feja islame u hap me shpejtësi të madhe. Sipas të dhënave, i pari që pranoi fenë islame në fshatin Kabash ishte Hadër Leka. Nopça shkruan se; Kabashi ka qenë i pari fis i Shqiperisë së Veriut që kaloi në Muhamedanizem. Pas vitit 1900 Kazaja e Pukës numeronte mbi 700 mysliman.”

Gur varri ne Rrype,Puke
Gurë varri i varrezave të vjetra myslimane në fshatin Rrypë

Simbas dokumentave osmane të shek.XVI dhe të historisë sonë princi Progon Dukagjini me1502 hyri në bisedime me qeveritaret osmane në Shkodër, ku u arrit marrëveshja. Progonit i njihej sundimi mbi Zadrimë. Pas vdekjes së tij, Zadrima do të ishte autonome, hasë e SulltanitProgoni do të njihte vaselitetin e Sulltanit. [1]

Më 1523 pasardhësi i tij u bë mysliman. Nga Sulltani mori graden e pashait, duke u shpallur Mustafa Pasha. Nën shembullin e tij, familje fisnike të Kabashit Pukës , të Pal Mziut e Boçë Mziut , pinjollë të tyre, përqafuan islamizmin dhe e përhapen në varësi të tyre e në popullin e thjeshtë me të cilet kishin lidhje fisnore e shoqërore. [2]
Dihet historikisht se në shek.XVI u formuan sanxhaqe më në krye sanxhakbeun me qellim që ta kontrollonin më mirë situaten politike në Shqipëri Pukë Iballe e Spasi u shpall  “Nahi” [3] të sanxhakut të Dukagjinit [4] me qender në Peje. Në krye të ketyre krahinave sundonin “zotni“, aga vendas. Agët e Pukës, Kryeziut e të Iballes e quajnë veten prej Kabashi.

Defteret apo regjistrat osmane të shek.XVI janë një pasqyre e gjendjes së popullatës së regjistruar më 1523, 1571 1591, ku shënohen edhe simbas besimit që kanë. Në regjistrimet e para nuk shënohen familje myslimane. Megjithatë, me 1571 “timarli” [5] del një fare Sulejmani, i biri i Ilhanit.
Ilhani ishte rojtare në keshtjellen e Dukagjinit (Pukë), ndërsa Sulejman Ilhani kishte për shfrytezim (timare)Komanin e Dobranin. [6]
Pas 20 vjetes, 1591, na jepen dy breza emrat e Dizdarëve të Pukës. Konkretish emri i Ali Mustafe Dizdari Mustaf Dizdari. Këto funksione në administraten osmane nuk janë në radhen e fshatrave të Qytezës së Re të Dukagjinit.
Sipas regjistrimit të vitit 1591 në nahijen e Pukës kishte 23 fshatra që kishin 355 zjarre (shtepi), 11familje kishin hyre në islam, ishin bërë myslimane. Prej këtyre 11 familjeve, tri ishin prej Qerretit të Eper, dy në Qerretin e Poshtem, një në Koman dy në Shenkolle (Delmace), një në Shinpal (Kabash), dy në Rrape, si dhe dy familje me nga një beqar. Por duhet të kemi parasysh faktin së këto të dhëna faktojne vetem ato familje të krishtera e myslimane me toke në ngarkim mbi bazen e së cilës u janë vënë detyrimet.

Varrez ne Kabas.Foto e vitit 1939
Gurë varri. Fotografi e bërë në vitin 1977 tek varrezat e vjetra myslimane të fshatit Kabash-Pukë 

Në Kabash më 1637 kishte tri familje agajsh, gjithsej nga 24 familje. Nga këto 12 të besimit mysliman. Në fillim të shekullit XVII besimi mysliman kishte ecur shumë më shpejt se në fund të shekullit të XVI.[7] Kryesorja në dokumentat osmane, si edhe të relatoreve të shek.XVII është fakti se familjet që hynin në besimin e ri mysliman nuk detyroheshin. Nuk del gjekundi perdorimi i dhunës. Kjo duket sidomos në ato familje, ku bashkëjetonin të krishtere e myslimanë pa asnjë problem. Në lidhje me këtë ja se si e shpjegon Frang Bardhi [8]: “Agai (Dizdari i kështjelles së Dukagjinit) ka tre vellezen të krishtere të martuem dhe një turk, që asht bamë ma vonë. Gruaja e ages asht një e krishtere e urtë dhe e mirë.”[9]

Për rreth 40 vjet, fundin e shek. XVI dhe fillimin e shek.X VII pati një kalim të madh nga besimi i krishterë në atë mysliman. Kjo faktohet nga relacionet e Ipeshkvit të Sapës Frang Bardhi që shkruan: “Ky i mbrapshti (Magaroli), shqiptar prej qytetit të Prizrenit , sanxhakbeu i Dukagjinit , pasi ndërtoi qytetezen [10], shumë të krishtere i bani aso kohe turq (mysliman), disa prej frikës disa me dhurata e disa për tituj. Sidomos në Pukë bani me shumë, kështu aga i siperthanun meqenëse mori premtimin se do ta banin Agë të asaj qytetëzeje, katolik (fisnik) tue qenë, u ba turk (mysliman) aso kohe.” [11]

Sipas traditës së përhapjes së besimit mysliman në Kabash, kemi se myslimani i parë të këtë qenë Hadër Leka [12]. Për arsye se u ba mysliman, edhe për arsye të revoltes se vëllaut Koka, Hadër Leka u largua për në Kosovë. Teksa po udhëtonte për në Kosovë, vëllau i zuri pritë Hadër Lekes pikërisht teksa po kalonte Uren e Vezirit mbi Dri. Ata shtin mbi të, dhe Hadri ra i vdekur. Fisi i Kabashit e priti keq këtë vrasje. U mblodh kuvendi dhe e la fajtor Kokën duke argumentuar: “Nuk virtet vëllau pse ndrron fenë.
Ndersa Nopça shkruan: “Kabashi ka qenë i pari fis i Shqipërisë së Veriut që kaloi në Muhamedanizem.” Përhapjen e besimit mysliman në rrethin  e Pukës e faktojnë edhe varrezat mbi 300  vjeçare. Kemi varreza të vjetra në fshatin Kabash,Grykë Hadroj,Rryp (Rrape), KryeziFlet.[13]
Gjatë shek.XVI dhe pse vitit 1900  Bajraku i Pukës numeronte 700 mysliman. Ne kazanë e Pukës – e quajtur edhe Dukagjin bëjnë pjesë kater fise: Kabashi,Dukagjini, Thaçi e Mali i Zi. Në vitin 1900 kemi 6.300 banore mysliman dhe 10.000katolik. Mirëpo pas një viti kemi shifra krejt të tjera, të cilat e përmbysin këtë situate. 

Xhamia e fshatit Kabash. Viti 1960
Xhamia e fshatit Kabash – Pukë. Viti 1977

Pra më 1901 kemi 6.130 banorë mysliman dhe 4.300 katolik [14]. Fisi i Kabashit ndahet në dy bajraqe a). Puka, b). Kabashi (Qelza). Bajraku i Pukës në vitin 1900 kishte 940 banorë mysliman dhe po aq katolik, pra 50% me 50%, ndërsa në vitin 1916 shifra e banorëve mysliman u rrit me 52%.[15]. Po ashtu edhe Kabashi ka qënë një fis i përzier në mënyrë të barabarte. [16]
Në vitin 1923 Myftinia e rrethit Pukë përfaqsohet zyrtarisht me një delegatë që mori pjesë në Kongresin e 24 shkurtit të vitit 1923. Puka perfaqsohej nga Xhemal Naipi.[17]
Pasqyra mbi gjendjen e popullsisë myslimane në fillim të viteteve 1990 në qytetin e Pukës është 70% mysliman.[18] Fshati kishte 40% myslimane. Konkretisht dy qytet kishin 6077 banorë, fshati kishte 44209 banorë. Nga kjo kemi: Qytetit kishte 2734mysliman ndërsa fshati kishte 17604 mysliman.[19]

Shenim: Ky material është publikuar për herë të parë në revisten shkencore të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë “Zani i Nalt, nr.7, viti 2014

 

Referenca
____________
[1]
Prof.Xhemal Meçi “Kabashi që në lashtësi 2”

[2] Prof.Xhemal Meçi Kabashi që në lashtësi 2
[3] Nahi: Zonë, rreth.
[4] Dukagjin: Qyteza e Pukës.
[5] Tirmali: Pronë në fshrytezim, të dhëna me dekret.
[6] Dobra: Fshat krahas Komanit.
[7] Prof.Xhemal MeçiKabashi që në lashtesi 2“, fq.93
[8] Frang Bardhi: Lindi në Kallmet të Zadrimes më 1606. Më von u bë prift. Në vitin 1653 ai u emërua Ipeshkv i Dioqezës së Sapës.
[9] Prof.Xhemal MeçiKabashi që në lashtësi 2“, fq.94
[10] Rindërtimi i qytezës u bë më 1608.
[11] Prof.Xhemal MeçiKabashi që në lashtësi 2“, fq.95.
[12] Vëllai i katër i vëllezerve të fisit.
[13] Shënimet e Myftiut Gëzim Kopani, viti 2006.
[14] Baldaci, Studime, fq.100,101. Po aty.
[15] Seiner, fq.109, Po aty.
[16] Ali Basha, “Nëpër gjurmet e Islamit“, fq.504,505.
[17] Ali Basha, “Islami në Shqipëri gjatë shekujve” fq.127
[18] Perfshihen dy qytetet.
[19] Ali Basha, “Islami në Shqipëri gjatë  shekujve” fq.216

Leave a Reply