Përhapja e besimit mysliman në rrethin e Pukës ndër vite (1523-1990)

nga Gëzim Kopani

Myfti i rrethit Pukë

Abstrakt

Përhapja e fesë islame në rrethin e Pukës daton pas vitit 1523. Familjet fisnike të bajrakut të Kabashit bëhen mysliman duke u ndjekur nga Puka, Rrapja, Kryeziu etj. Familja e njohur pukjane “Dizdarë” përqafojnë besimin mysliman duke dhënë kontribut të drejtpërdrejte në përhapjen e fesë islame në rrethin e Pukës. Pas shek. XVII në fshatin Kabash feja islame u hap me shpejtësi të madhe. Sipas të dhënave, i pari që pranoi fenë islame në fshatin Kabash ishte Hadër Leka. Nopça shkruan se; Kabashi ka qenë i pari fis i Shqipërisë së Veriut që kaloi në Muhamedanizëm. Pas  vitit 1900 Kazaja e Pukës numëronte mbi 700 mysliman.

Sipas dokumenteve osmane të shek. XVI dhe të historisë sonë princi Progon Dukagjini më 1502 hyri në bisedime me qeveritarët osmanë në Shkodër, ku u arrit marrëveshja. Progonit i njihej sundimi mbi Zadrimë. Pas vdekjes së tij, Zadrima do të ishte autonome, hase e Sulltanit. Progoni do të njihte vasalitetin e Sulltanit.[1]

Më 1523 pasardhësi i tij u bë mysliman. Nga Sulltani mori gradën e pashait, duke u shpallur Mustafa Pasha. Nën shembullin e tij, familje fisnike të Kabashit, Pukës, të Pal Mziut e Boçë Mziut, pinjollë të tyre, përqafuan islamin dhe e përhapen te vartësit e tyre e në popullin e thjeshtë me të cilët kishin lidhje fisnore e shoqërore.[2]

Dihet historikisht se turqit në shek. XVI formuan sanxhaqe me në krye sanxhakbeun me qëllim që ta kontrollonin më mirë situatën politike në Shqipëri. Puka, Iballa e Spasi u shpallen “Nahi”[3] të sanxhakut të Dukagjinit[4] me qendër në Pejë. Në krye të këtyre krahinave sundonin “zotni”, agallarë vendas. Agallarët e Pukës, Kryeziut e të Iballës e quajnë veten prej Kabashi.

Defterët apo regjistrat osmane të shek. XVI janë një pasqyrë e gjendjes së popullatës së regjistruar më 1529, 1571 e 1591, ku shënohen edhe sipas besimit që kanë. Në regjistrimet e para nuk shënohen familje myslimane. Megjithatë, më 1571 “timarli”[5] del një farë Sulejmani, i biri i Ilhanit.

Ilhani ishte rojtar në kështjellën e Dukagjinit (Pukë), ndërsa Sulejman Ilhani kishte për shfrytëzim (timare) Komanin e Dobranin.[6]

Pas 20 vjetësh, 1591, na jepen dy breza me emrat e Dizdarëve të Pukës. Konkretisht emri i Ali Mustafë Dizdarit e Mustafë Dizdarit. Këto funksione në administratën osmane nuk janë në radhën e fshatrave të Qytezës së Re të Dukagjinit.

Sipas regjistrimit të vitit 1591 në nahijen e Pukës kishte 23 fshatra që kishin 355 zjarre (shtëpi), 11 familje kishin hyrë në Islam, ishin bërë myslimanë. Prej këtyre 11 familjeve, tre ishin prej Qerretit te Epërm, dy në Qerretin e Poshtëm, një në Koman dy në Shënkollë (Delmace), një në Shinpal(Kabash), dy në Rrape, si edhe dy familje me nga një beqar. Por duhet të kemi parasysh faktin së këto të dhëna faktojnë vetëm ato familje të krishtera e myslimane me tokë në ngarkim mbi bazën e së cilës u janë vënë detyrimet.

Në Kabash më 1637 kishte tre familje agallarësh, gjithsej nga 24 familje. Nga këto 12 të besimit mysliman. Në fillim të shekullit XVII besimi mysliman kishte ecur shumë më shpejt se në fund të shekullit XVI.[7]

Kryesorja në dokumentet osmane, si edhe të relatorëve të shek. XVII është fakti se familjet që hynin në besimin e ri mysliman nuk ishin të detyruara të pranonin këtë fe të re. Nuk del gjëkundi përdorimi i dhunës. Kjo duket sidomos në ato familje ku bashkëjetonin të krishterë e myslimanë pa asnjë problem. Në lidhje me këtë ja se si e shpjegon Frang Bardhi[8]: “Agai (Dizdari i kështjellës së Dukagjinit) ka tre vllazën të krishterë të martuem dhe një turk, që asht bamë ma vonë. Gruaja e agës asht një e krishtenë e urtë dhe e mirë.”[9]

Për rreth 40 vjet, fundin e shek. XVI dhe fillimin e shek. XVII pati një kalim të shumtë nga besimi i krishterë në atë mysliman. Kjo faktohet nga relacionet e Ipeshkvit F. Bardhi që shkruan: “Ky i mbrapshti (Magaroli), shqiptar prej qytetit të Prizrenit, sanxhakbeu i Dukagjinit, pasi e ndërtoi qytetëzën[10], shumë të krishterë i bani aso kohe turq, disa për frikëm disa me dhurata e disa për tituj. Sidomos në Pukë bani më shumë, kështu aga i sipërthanun meqenëse mori premtimin se do ta banin agë të asaj qytezeje, katolik (fisnik) tua qenë, u ba turk (mysliman) aso kohe.”[11]

Sipas traditës së përhapjes së besimit mysliman në Kabash, del që myslimani i parë të ketë qenë Hadër Leka[12]. Për arsye se u bë mysliman, dhe  për arsye të revoltës së vëllait Koka, Hadër Leka u largua për në Kosovë. Teksa po udhëtonte për në Kosovë, vëllezërit i zunë pritë Hadër Lekës pikërisht teksa po kalonte Urën e Vezirit mbi Dri. Ata shtinë mbi të, dhe Hadri ra i vdekur. Fisi i Kabashit e priti keq këtë vrasje. U mblodh kuvendi dhe e la fajtor Kokën duke argumentuar: “Nuk vritet vllai pse ndrron fenë”.

Kuvendi gjithashtu vendosi që t’ia hiqte prijën e fisit të Kabashit. Shumë shpejt Kabashi bëhet në shumicë mysliman. Këtë e nënvizon edhe Durham ku Kabashin e quan “Kabashi mysliman”.

Ndërsa Nopça shkruan: “Kabashi ka qenë i pari fis i Shqipërisë së Veriut që kaloi në Muhamedanizëm.” Përhapjen e besimit mysliman në rrethin e Pukës e faktojnë edhe varrezat mbi 300 vjeçare. Kemi varreza të vjetra në fshatin Kabash, Grykë Hadroj, Rrype (Rrape), Kryezi, Flet etj.[13]

Gjatë shek. XVI dhe pas vitit 1900 Bajraku i Pukës numëronte 700 mysliman. Në Kazanë e Pukës – e quajtur edhe Dukagjin – bëjnë pjesë katër fise: Kabashi, Dukagjini, Thaçi e Mali i Zi. Në vitin 1900 kemi 6.300 banorë myslimanë dhe 10.000 katolik. Mirëpo pas një viti kemi shifra krejt të tjera, të cilat e përmbysin këtë situatë. Pra, më 1901 kemi 6.130 banorë myslimanë dhe 4.300 katolikë[14]. Fisi i Kabashit ndahet në dy bajraqe Puka – Kabashi (Qelza). Bajraku i Pukës në vitin 1900 numëronte 700 myslimanë – rreth 44% dhe 910 katolikë. Kabashi (Qelza) në vitin 1900 kishte 940 banorë myslimanë dhe po aq katolikë, pra 50% me 50%, ndërsa në vitin 1916 shifra e banorëve mysliman u rrit në 52%.[15] Po ashtu edhe Kabashi ka qenë një fis i përzier në mënyrë të barabartë.[16]

Në vitin 1923, Myftinia e rrethit Pukë përfaqësohet zyrtarisht me një delegat që mori pjesë në Kongresin e 24 shkurtit te vitit 1923. Puka përfaqësohej nga Xhemal Naipi.[17]

Pasqyra mbi gjendjen e popullsisë myslimane në fillim të viteve 1990 në qytetin e Pukës është 70% mysliman.[18] Fshati kishte 40 % myslimanë. Konkretisht dy qytete kishin 6077 banorë, fshati kishte 44209 banorë. Nga kjo kemi: Qyteti kishte 2734 mysliman ndërsa fshati kishte 17604 mysliman.[19]

Literatura:

Prof. Xhemal Meçi “Kabashi që në lashtësi 2”.

Baldaci, Studime.

Ali Basha, “Nëpër gjurmët e Islamit”.

Ali Basha, “Islami në Shqipëri gjatë shekujve”.

[1]Prof. Xhemal Meçi “Kabashi që në lashtësi 2”.

[2]Po aty.

[3] Nahi: Zonë, rreth.

[4] Dukagjin: Qyteza e Pukës.

[5] Tirmali: Pronë në shfrytëzim, të dhëna me dekret.

[6] Dobra: Fshat krahas Komanit.

[7] Kabashi që në lashtësi 2, fq. 93.

[8] Frang Bardhi: Lindi në Kallmet të Zadrimës më 1606. Më vonë u bë prift. Në vitin 1653 ai u emërua Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës.

[9] Kabashi që në lashtësi 2, fq. 94.

[10] Rindërtimi i qytetezës u bë më 1608.

[11]Kabashi që në lashtësi 2, fq. 95.

[12] Vëllai i katër vëllezërve të fisit.

[13] Shënimet e Gëzim Kopani, viti 2006.

[14] Baldaci, Studime, fq. 100,101.

[15] Seiner, fq. 109.

[16] Ali Basha, “Nëpër gjurmët e Islamit”, fq. 504-505.

[17] Ali Basha, “Islami në Shqipëri gjatë shekujve” fq. 127.

[18] Përfshihen dy qytete.

[19] Ali Basha, “Islami në Shqipëri gjatë shekujve” fq. 216.

Leave a Reply