Nga: Ajet Sinan Ahmeti
Ky objekt i kultit islam gjendet në perëndim të fshatit Lajthizë të Pukës, ndërtuar në verën e vitit 1916 në vendin e quajtur Suka e Shpatit (Kodra e Xhamisë). Pra është ndërtuar në një vend disi të dukshëm nga i gjithë fshati dhe që dielli e shndrit gjatë gjithë ditës.
Objekti është i ndërtuar me mure prej guri dhe balte me përmasa shumë të vogla, përkatësisht 8 x 10 x 2.8 m, me një sipërfaqe prej 80 m2, pa minare, por thjesht godina e vogël me dy dritare si frëngji, brenda bosh, e pashtruar. Në krye të kësaj është një kibël e vogël prej dërrase që ngjason me tri këmbë shkallë. Këtu kryejnë ritet fetare dy fshatra: Lajthiza dhe Dedajt.
Me kalimin e kohës, amortizimit të plotë dhe kërkesave në rritje për arsye të shtimit të popullsisë, doli si e pamjaftueshme që të përdorej. Mbi këtë bazë pleqësitë e të dy fshatrave vendosën të ndërtojnë një xhami të re me dimensione më të mëdha sa kjo që ishte që të plotësonte nevojat e kohës. Projektuesi, zbatuesi dhe ndërtuesi i saj ka qenë Sulejman Mehmet Tafili nga Lajthiza. Xhamia e re filloi dhe përfundoi së ndërtuari brenda verës së vitit 1958. Ndërtimi u bë krejt mbi baza vullnetare dhe fonde të vetë besimtarëve. Ajo u ndërtua në të njëjtin vend ku ka qenë e para, por me dimensione të tjera:13 x 10 x 3 m, pra me një sipërfaqe prej 130 m2. Ndërtimi i ri u bë me mure guri të lidhur me rërë e gëlqere e jo si e para që ishte me baltë. Dyshemeja ishte e shtruar me dërrasa, por jo e gjitha, vetëm 90 m2. Sheshi para xhamisë (oborri) dhe pjesa e majtë e tij ishte e sistemuar dhe e rrafshuar që përdorej për varreza të fshatit, që kishte një sipërfaqe rreth 220 m2.
Objekti përsëri nuk kishte pamjen e një xhamie klasike, pasi mungonte minarja, ndërtimi i së cilës nuk qe i mundur për disa arsye si: paaftësia e specialistit dhe mungesa e materialeve të duhura. Duke e krahasuar me të mëparshmen, kjo ishte më e mirë. Xhamia u ka shërbyer besimtarëve myslimanë deri në dhjetorin e vitit 1967. Pastaj, si gjithë të tjerat në vendin tonë, mbyllet nga shteti duke mbetur në mëshirën e fatit.
Me qenë se fshatrat në fjalë u kolektivizuan, Lajthiza e përdori si magazinë bujqësore që nga vjeshta e vitit 1970 deri më 1984. Vazhdon të ekzistojë si godinë, por krejt e amortizuar, dmth jashtë përdorimit.
Lidhur me shërbimin e hoxhëllekut, në këtë objekt ka shërbyer Murat Musa nga Qerreti i Epër, duke filluar nga muaji janar i vitit 1917 deri në dhjetor 1942, për rreth 25 vjet. Ndërsa nga janari 1943 kur largohet Murat Musa, caktohet Bajram Cenë Dema, po nga Qerreti i Epër, që vazhdoi të punojë deri në dhjetor të vitit 1945. Shkaku i largimit të tij ishte se emërohet si hoxhë në Mëdhojë të rrethit të Shkodrës.
Në Lajthizë caktohet një i ri, i ardhur spontanisht nga Kosova e që quhej Nail Hoxha, i cili u nda nga turma e kosovarëve që po i çonin në Tivar. Naili ishte strehuar tek shtëpia e Sahit Islamit.
Kjo ka qenë edhe arsyeja e njohjes së tyre. Duke qenë se Naili kishte mbaruar shkollën e mesme për hoxhë, i ndihmuar nga Sahiti, i ngarkojnë detyrën e shërbimit si hoxhë në këtë xhami duke filluar nga dhjetori i vitit 1945 deri në dhjetor të vitit 1947. Megjithëse i ri në moshë, ai ka shërbyer me devotshmëri për dy vjet, ndaj dhe fshati ka treguar një dashamirësi të sinqertë ndaj tij.
Në janarin e vitit 1948 deri në dhjetor 1967 në detyrën e haxhillëkut në këtë fshat ishte caktuar Shaban Rexhë Arifi, kohë, që siç e përmendëm më lart, u mbyllën të gjitha xhamitë e Shqipërisë.
Autor: Ajet Sinan Ahmeti
viti: 2000
Publikuar me: 02.12.2013
/Myftinia Puke/