Mejtepi i fshatit Qerret

Nga:Gëzim Kopani  (Myfti i Pukës)

 

Rëndësia e Mejtepit të Xhamisë së fshatit Qerret Pukë (1892)

Abstratkt

Në Myftininë e Pukës një ndër Mejtepet më të njohura ka qenë ai i fshatit Qerret. Sipas të dhënave të besimtarëve mysliman të fshatit Qerret del se;“Mejtepi i fshatit Qerret është hapur në shekullin e XVIII.” Në këtë Mejtep janë dhënë mësime mbi Kur’anin, ilmihalin, historin islae madje edhe këndim e lëxim në  gjuhën shqipe. Me miratim të Myftinisë Pukë Mejtepi i fshatit Qerret sherbeu për katër vite si shkollë duke u regjistruar kështu e para shkollë shqipe në fshatin Qerret e njohur nga ministria e arsimit e asaj kohe. Në këtë shkollë njëkohësisht edhe mejtep kanë dhënë mësim; Imam Qazim Nushi, Nik Draga, Idriz Qanga etj.”

 

Mejtepi i xhamisë Qerret Pukë është një ndër Mejtepet më të njohura të Myftinisë Pukë. Sipas të dhënave Mejtepi i xhamisë Qerret-Pukë ka filluar që në shek. XVIII-të . Ndërsa banorët arrin të shkojne saktesisht deri në vitin 1892 duke rradhitur brazat që kanë marrë mësim në këtë mejtep.

Në fillim mësimet e Mejtepit zhvilloheshin brenda ambjenteve të xhamisë së fshatit Qerret. Më vonë u ndërtua përball xhamisë një godinë vetem për mejtepin. Sipas Elez Tafilakut  “Xhamia e fshatit Qerret dhe mejtepi janë ndërtuar në një tokë të dhuruar nga vetë banorët e fshatit Qerret. Xhamia ka pas minare me gurë të gdhendur.Unë kam bërë Mejtep në xhamin e fshatit Qerret. Në kohen time mbaj mend se kemi qenë rreth 30 fëmijë. Përveç mësimit të Kur’anit (duke mësuar sure) kena pas mësuar sallavate, tekbire, dua të ndryshme si dhe Mevlud. Në fakt në kohën time kena pas mësuar edhe gjuhën shqipe. Kena pas një hoxhë që quhej Qazim Nushi i cili ishte shumë i dashur. Na merrte me vete nëpër fshat. Në muajin e Ramazanit shkonim sëbashku në Xhamin e Qerretit. U bënin rreth 20 burra. Disa shtëpi të fshatit e thirrnin hoxhen për iftarë. Kishte raste që shkonte për shërbime në xhamin e Kabashit, Kodër Hanit në Pukë etj. Me sa di unë, në xhamin e fshatit Qerret përveç Qazim Nushit kan pas shërbyer  edhe hoxhallarë nga Shkodra dhe Kosova.” [1]

Ndërsa Ahmet Dunga [2] tregon: “…Xhami ma të bukur pas Shkodrës në zonën tonë nuk ka pas. Minarja e xhamis Qerret ka qen shumë e bukur. Ka pas do gur të kuq të gdhëndur shumë bukur; gdhëndur tamam në formen e harkut të rrubullaket siç e do një minare.” E njejta gjë thuhet edhe nga Elez Dunga (vëlla me Ahmet Dungen) i cili thotë: “Mejtepin e kena pas ba në katin e dytë të xhamisë”. Ndërsa Ahmet Dunga shton: “Mesimet islame na bante imam Qazim Nushi. Mbi 4 vjet ,unë kam marr mesime prej tij. Në kohen time mësimin e banim pasdite pasi Myftinia Pukë lejoi përdorimin e Mejtepit si shkollë në shërbim të shtetit. Pra mejtepi jonë shërbeu edhe për shkollë shqipe. Ashtu vazhdoi për rreth 4 vite. Meqenësë paradite Mejtepi u përdor për shkolle imami vendosi dy orare paradite për shkollë pasdite për mejtep.”

Datën e saktë se kur është hapur mejtepi i xhamisë Qerretit-Pukë nuk është e përcaktuar,  por sipas të moshuarve të këti fshati thonë se kan marr mësime në Mejtepin e xhamisë së Qerretit që në vitin 1892. Njëri nga nxënësit e Mejtepit thotë: “Mejtepi i xhamisë së fshatit Qerret ka qenë i hapur që në vitin 1892” [3] Ndërsa sipas të dhënave të tjera del që është i shekullit të XVIII -të.

Xhamia e fshatit Qerret Pukë ishte dy kateshe. Në zonen e Pukës mësohet se vetem Xhamia e fshatit Qerret dhe Kodër Hani kan pas minare.[4] Në fillimet e veta mejtepi  i xhamisë Qerret ka filluar në katin e dytë të xhamisë së fshatit Qerret. Tek vendi që populli i thotë “Hajat“[5] qëndronte mësuesi (hoxha) dhe nga aty zhvillonte mësimet islame nxënësve.

Sipas të dhënave në Mejtepin e fshatit Qerret merrnin mësime shumë fëmijë të fshatit dhe se ishte Mejtepi që kishte më shumë nxënës.[6]

Hoxha ose thënë ndryshe imami me i njohur i këtij fshati ka qenë imam Qazim Nushi i cili ka shërbyer si imam për rreth 33 vjet. Me mall dhe nostalgji nxënesi i tij Elez Tafilaku thotë: “Hoxhë Qazimi ishte njeri i mirë. Ka shërbyer shpi në shpi në të gjithë fshatin. Ai ishte shumë i varfer. Dha kontribute të mëdha për xhamin dhe mejtepin e fshatit tonë. Ai u qëndronte pranë çdo kujt dhe ishte i ashper ku bëhej fjalë për parimet islame. Në mejtepin tonë kan marr mesime islame edhe vajzat. Mbaj mend se pothuajse të gjitha grat e fshatit kan qenë me shami.“[7]

Ndërsa Ahmet Dunga tregon: “E kena pas aq për zemër imam Qazim Nushin saqë nuk i thonim Qazim Nushi por Hoxha i Qerretit. Axha im Asllan Dani i ka pas marr flokt (në shenjë familjaritetit të tre fëmijeve).”[8] Nxënësit e këtij Mejtepi si 1.Ram Neziri 2.Syl Dani 3.Xheladin Januzi 4.Rexhep Januzi 5.Ali Myftari 6.Nezir Zmali 7.Kadri Syla  8.Bajram Cena 9.Murat Musa [9] edhe sot arrin të permendin disa nga mësimet si: dhjetë suret e fundit, myezinllikun etj.

Nxënesit e vjeter që jetojnë edhe sot unanimisht përmendin disa nga shokët e tyre të Mejtepit si dhe hoxhen e tyre Imam Qazim Nushin ku përmendin; 1.Elez Tafilaku, 2. Ahmet Dunga, 3 Xhemal Tafilaku, 4. Elez Dunga, 5.Xhemal Toska, 6.Musa Bytyçi, 7.Islam Bytyçi, 8.Beqir Adem Cena, 9. Mustaf Adem Cena,10.Uk Dunga, 11.Muharret Qarri,12. Xhemal Dialoshi.

Kishte edhe nga ato që nuk shkonin rregullisht por që kan marr mesime islame si: 1.Jah Tafilaku, 2.Rexhep Neziri, 3.Selim Neziri, 4.Mustaf Ademi etj.

Imam Qazim Nushi ka qenë koleg me mësuesit e tjerë si: Nik Draga[10] dhe Idriz Qanga [11]. Nxënësi i Mejtepit Xhemal Ahmet Tafilaku[12] thotë: “Edhe mësues Idriz Qanga ka dhënë mësim në Mejtepin e xhamisë Qerret krahas mësimeve të shtetit, pasi ai kishte muhabet me hoxhën e Qerretit.”

Nxënesit që kanë marr mësime islame nga imam Qazim Nushi kanë arritur të bëjnë imam, myezin etj. Nostalgjia për hoxhën bën që nxënesit që jetojnë aktualisht arrin ti thonë përmëndësh duat dhe suret. Njëri fillon nga “Rabbi jesir (dhe vijon), tjetri fillon “Amentubilahin (dhe vijon) ndërsa tjeteri fillon “Elif , Be , Te,The.. (dhe vijon deri ne fund), si dhe dhjetë suret e fundit të Kur’anit.[13]

Jo vetem nxënësit e imam Qazim Nushit por i gjithë fshati Qerret edhe sot respekton vlerat kulturore dhe islame që kan marr nga Mejtepi i Xhamisë së fshatit Qerret.

Sipas të dhënave nga Mejtepi i Xhamisë Qerret kan dale figura si: Bajram Cena i cili ka shërbyer në xhamin e Qerretit por edhe në xhamin e fshatit Mllojë[14]. Figura të tjera që kan dal nga ky mejtep janë edhe: Syl Dani [15], Ram Neziri[16], Murat Musa [17] etj.

Mejtepi i xhamisë Qerret u mbyll me ardhjen e komunizmit në Shqipëri.

Shënim: Ky material u përgatit në kuadër të seminarit “Vlerat Kulturore nën Ndriçimin e Dijes Islame” I  zhvilluar më datë; 23 maj 2015 në qytetin e Pukës.

______________

[1] Elez Tafilaku; nxënës i imam Qazim Nushit, ndihmës myezin i Xhamisë së fshatit Qerret.I pari telegrafist pukjan në rrethin e Pukës. Fotografi e vitit 2012.

[2] Ahmet Dunga; nxënës i Mejtepit të fshatit Qerret.I datëlindjes 5 janar 1931.Nga viti 1956-1988 ka punuar në zyrat e Postes në qytetin e Pukës. Po ashtu telegrafist.

[3] Ahmet Dunga; i cili thotë : “Që i vogel babai ime Syl Dani ka shku në xhami si dhe në mesimet e Mejtepit të Xhamisë Qerret dhe babai im është i datëlinjdes së vitit 1892. Pra e ka gjet të ngritur Mejtepin e xhamisë së Qarretit. ”

[4] Pa përfshirë këtu xhamitë e Malit të Zi (Dukagjin)

[5] Hajat, vendin ku qëndronte myezini.

[6] Elez Tafilaku, viti 2012

[7] Elez Tafilaku, viti 2012

[8] Syl Dani është vëlla me Asllan Danin dhe kan qënë nxënës në mejtep.Në atë kohë mësohet që hoxh ka qenë një imam nga Shkodra.

[9] Emra të përmendur nga Ahmet Dunga (viti 2015)

[10] Nik Draga, Mësues nga Shkodra emruar mësues në shkollen e re të fshatit Qerret. Për të dhënë kontribut në arsimimin e qytetarëve Myftinia Pukë lejoi që mejtepi i xhamis Qerret të bëhet shkollë. Dhe ashtu vijoi për disa vite.

[11] Idriz Qanga, Po ashtu mësues në shkollen e fshatit Qerret.

[12] Xhemal Tafilaku; Nxënës i Mejteptit të xhamisë se fshatit Qerret.

[13] Sinkronë me njeri tjetrin edhe sot ish nxënësit e imam Qazim Nushi si: Elez Tafilaku (viti 2012), Elez Dunga dhe Ahmet Dunga përmendin me nostalgji suret dhe duat e mësuara.

[14] Shpjegim i autorit; Gezim Kopani: “Në atë kohë edhe fshati Mllojë mbulohej fetarisht nga Myftinia Pukë. Sipas Ahmet Dungës kemi se: “Bajram Cena perveç xhamisë së Qerretit ka shërbyer si imam edhe në xhamin e fshatit Mllojë“.

[15] Syl Dani, Myezin i xhamisë Qerret-Pukë.

[16] Ram Neziri, Myezin i xhamisë Qerret-Pukë.

[17] Murat Musa, imam në xhamin e fshatit Lajthizë-Pukë.