Rikthim në vendin e kullave të larta

nga: Ferit Lika

Shkurti i reshjeve ishte treguar i ashpër me këto zona, ku nuk mund të shkoje as nga toka e as nga ajri. Ngujim total, ndoshta më i ashpër se sa ai ngujim që jemi mësuar të dëgjojmë, por natyrisht jo më i frikshëm e më i dhimbshëm.

Mëngjesi i 22 shkurtit na gjeti sërish në rrugë në përballje me dëborën dhe të ftohtin, por në një tjetër terren që e kishim shkelur edhe ditë më parë. Kamioni me sloganin “Në ndihmë të banorëve të izoluar” kishte marrë drejtimin drejt vendit të kullave të larta, Pukës. “Rruga e Kombit” ishte e kalueshme në të dy krahët, por pllakat tinëzare të akullit shpesh ishin të padukshme. Në anë të rrugës së vjetër Rrëshen-Kukës ku na duhej të kalonim, dëbora na kish zënë pritë, kryelartë dhe krenare sikur nuk kishte aspak dëshirë të na lejonte të shkelnim në kufijtë e mbretërisë së saj. Mësojmë se në fshatrat përreth ka me mijëra banorë që jetojnë që prej dy muajsh krejt të izoluar. Askush nuk ka menduar t’ua hapë rrugën. Vetëm rrinë me sytë nga qielli duke pritur të përmirësohet moti. “Atje ka fëmijë, pleq, gra shtatzëna, si do t’u vejë halli? Edhe pak ditë bukë kanë, mos me thanë që ndonjë shtëpi që tani është krejt pa bukë,” – na thotë i shqetësuar një kalimtar i rastit.

Dy kulla të larta atje tej, që mezi dukeshin, ngjasonin me dy viganë që po bënin roje në periferi të qytetit malor. Kjo ishte hera e tretë që mbërrinim në Pukë në kuadër të sensibilizimit human në ndihmë të të izoluarve, e po na dukej sikur “barrikadat” e bardha ishin mësuar me ne e na lejonin të kalonim pa shumë vështirësi. Temperaturat, që para disa ditësh kishin shkuar deri në 25 gradë nën zero, tashmë kishin rënë edhe pse ende bënte shumë ftohtë. Pas një ndalese në qytetin e veshur me mantelin e bardhë nisemi drejt periferive të thella…

Sipas banorëve ka edhe shumë fshatra të tjerë ku depërtimi bëhet i pamundur. “Të gjithë komunat e thella të zonës, që nuk janë braktisur prej vitesh janë krejt të izoluara”, – na thotë një zotëri sapo mbërrijmë në qytet. Udhëtojmë për pak minuta brenda një peizazhi krejt të bardhë.

Diku tej tymi i një oxhaku ngrihej lart sikur donte të na lajmëronte se aty kishte jetë. Gjendeshim në fshatin Iballë. Aty shtëpitë ishin të rralla dhe larg njëra-tjetrës saqë komunikimi mes fqinjëve në kushtet e motit të përkeqësuar bëhej edhe më i vështirë. Tymi i zi që dilte nga oxhaku i kësaj kulle na bënte të mos humbisnim drejtimin në atë bardhësi që kishte “pushtuar” gjithçka…

Zjarri në oxhak po jepte frymën e fundit. Shkarpat e druve të hedhura grumbull në një cep të dhomës përdoreshin me kursim, aty ishte shpresa e fundit për ca çaste të ngrohta përkundruall të ftohtit që “priste” jashtë. Kishim trokitur në familjen Ndreu.

“Kena dit që jem t’izolum. –thotë Pjerini, i zoti i votrës. –Shyqyr Zotit na u gjinden q’ato pak dru që patëm grumbullue, përndryshe kena pas me ngri”.

Pjerini rrinte pranë oxhakut duke zgjatur duart e “ngrira” qysh se ishte ftohur moti, për të marrë sadopak ngrohtë. Flaka gjysmë e ftohtë ravijëzonte rrudhat mbi ballin e plakut 80 vjeçar, rrudha me siguri të shtuara nga mundimet e shumta që jeta mes maleve i kish servirur. Gruaja e shtëpisë, e kërrusur nga pesha e viteve, nxiton të na ofrojë çdo send. “Mysafirin s’ban me e përcjellë pa i qit nojsen”, – thotë plaka kur dikush nga ne nuk dëshiron ta vërë në siklet. Ata jetonin vetëm, fëmijët prej vitesh ishin larguar në emigrim. “Vijn, vijn e na takojn, na shofin e i shofim, çmallemi e ikin prap”, – tregon e moshuara.

Çatia e shkalafitur e kullës shekullore mezi qëndronte. Në monotoninë e thellë të këtij dimri të madh, dëgjohej kërcitja e trarëve në çatinë e rënduar nga pesha e d%borës. Dëbora është shtuar frikshëm mbi çatinë e kullës, nga dritarja duket shtresa e trashë e dëborës që ka mbuluar pemët deri në gjysmë të trungut. Jashtë, dielli i zbehtë është zhdukur me kohë dhe temperatura ka nisur të ulet edhe më.

Teksa largohemi Pjerini e nënë Mrika, edhe pse të moshuar nuk ngurojnë të ngrihen e të na përcjellin ashtu siç e do zakoni. “Besa po ndihem i turpnuem bre burr që s’po muj me ju qit ma tutje, se zakoni i ksaj malsie nuk e don me ju lan n’prag t’shpisë”, – na thotë burri fisnik.

Largohemi nga kulla e lartë me shpresën se ia kemi ngrohur sadopak votrën, me ato pak ndihma që kishim mundur të grumbullonin nga besimtarët në “Tiranën e largët” dhe në qytete të tjera të vendit.

Ndërsa muzgu po shtrinte krahët kah malet e thepisura, nxitojmë për të shkuar në të tjera familje.

(Fund Shkurti 2012)

(marrë nga revista Drita Islame)
http://www.dritaislame.al/nen-ngujimin-e-debores/

Leave a Reply