Doli nga shtypi botimi i fundit i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me titull: “Tefsiri i sureve të shkurtra të Kuranit”, përmbledhur nga Këshilli Botues pranë KMSH-së.
Në këtë libër të vogël tefsiri, jemi përpjekur për të dhënë kontributin tonë modest në kuptimin e Kuranit Famëlartë, duke përmbledhur disa interpretime të dijetarëve të shquar, që fillojnë me suren Fatiha, pastaj me suren Duha dhe me radhë deri te surja Nas, pra gjithsej 23 sure.
Në interpretimin e ajeteve, përqendrimi ka qenë më tepër në tefsiret: Medarik i Nesefiut, Safhatu et-Tefasir i M. Ali Sabunit, Feja e vërtetë Gjuha e Kuranit e Elmalili M. Hamdi Yazar, si dhe Tefhimul-Kuran i Ebu’l Ala Meududit. Janë sqaruar disa fjalë të vështira për t’u kuptuar në brendësi të ajeteve, është përmendur shkaku i zbritjes së tyre aty ku ka pasur, janë cekur disa sqarime të veçanta nga dijetarët, si edhe mendimet e tyre juridike. Jemi munduar të tregojmë burimin e haditheve të transmetuara rreth shkakut të zbritjes së revelatës.
Nuk jemi zgjatur shumë në interpretimin e ajeteve, sepse qëllimi ynë është që ky tefsir të ndihmojë nxënësit e dijes dhe lexuesin, duke ia lënë atyre në dorë meditimin më të thellë rreth tyre. Kjo për arsye se, tefsiret voluminozë e trembin lexuesin që në fillim dhe e bëjnë atë të heqë dorë nga leximi. Për rrjedhojë, punën tonë jemi munduar ta bëjmë sa më shkurt, duke u fokusuar në interpretimin e sureve që këndohen më tepër në namaz.
Të interesuarit mund ta gjejnë te libraria “Miqtë e Librit” Pranë KMSH-së.