Kush lindi sot?

Muhammed

KUSH LINDI SOT?

L I N D I

Mëshira e Gjithësisë-
Mëshira e Njerëzisë.

Në çastet më të errëta të historisë,
Në Hixhaz, në qytetin Meke t’Arabisë,
Lindi Mëshira e Gjithësisë –
Lindi Mëshira e Njerëzisë.

Kush lindi sot?

Lindi sot
krijesa më e dashur
E t’Madhit Zot.
Lindi më i madhëruari,
Më i merituari,
Lindi më i lavdëruari.

Kush lindi sot?

Lindi ai që e stolisi
Jetën tokësore
Me Frymën Hyjnore.
Lindi udhërrëfyesi më i madh
I jetës njerëzore.

Kush lindi sot?

Lindi i dërguari më i fundit,
por ai ishte i pari…
Lindi më bujari,
Më i përkryeri,
Më i vyeri.

Kush lindi sot?

Lindi më i besuari,
Më i çmuari,
Më i dalluari.
Ai nuk ishte hyjni,
Ai ishte njeri.
Sikur unë e ti.
Ai ishte sikur ne,
Por i veçant
Nga të gjithë njerëzit
mbi këtë dhe.
“Ai ishte njeri ndër njerëz porsi
xhevahiri midis gurëve.”
Po, sikur thuhet
Në një Fjalë Hyjnore,
Hadith Kudsi,
Që ndritë më shumë se Dielli,
Po të mos ishte ai,
Nuk do të ishte krijuar
Ademi as edhe Toka e Qielli.
Poeti, Busajriu, shprehet kështu:
“Njerëzit e përgjumur,
Që jetojnë në ëndërra e qetësi,
Si mund ta kuptojnë të Vërtetën e Tij…?”

SHPALLJA HYJNORE

Kush lindi sot?
Lindi sot ai që i Madhi Zot,
Që është Krijues, Furnizues, Shpëtues,
Burim i Mirësisë, i Bukurisë, i Madhështisë
E zgjodhi shembull të shkëlqyeshmërisë,
Të përsoshmërisë, vulë e pejgamberisë.

Kush lindi sot?

Sot lindi ai, që në moshën 40-të vjeçare,
Në shpellën Hira në “Malin e Dritës”
(Xhebel un-Nur), filloi t’i zbulohet,
Ppër krijesat njerëzore, Shpallja Hyjnore.

Kush lindi sot?

Sot lindi ai,
Që fjalët e para, që iu zbuluan,
kishin të bënin me diturinë –
Për ta udhëzuar njerëzinë.

Kush lindi sot?

Sot lindi ai që tha:
“Kërkoni diturinë edhe
nëse është në Kinë”

Kush lindi sot?

Sot lindi ai që e përjetoi
Natën e Miraxhit – Miraxhin ruhani,
Por edhe Miraxhin xhismani,
Ngritjen shpirtërore dhe Ngritjen trupore.
Kjo është rruga që sjellë fitore…

Kush lindi sot?

Sot lindi ai që tërë jetën meditoi,
Veproi dhe luftoi.
Por, luftërat (përpjekjet) i quajti:
El-xhihad ul-esger dhe el- xhihad ul-ekber,
Lufta e vogël me armikun,
Për të Vërtetën,
Kurse lufta e madhe me epshin,
Me egon, me vetveten.

Kush lindi sot?

Sot lindi ai i cili tha:
Më më e vlefshme është
penda e dijetarit sesa gjaku i luftëtarit…
Sa të veçanta janë këto fjalë
Këto fjalë, e shumë fjalë të tjera,
Kanë diçka nga ajo Dritë,
Që ende nuk është zbehë
A që ka për t’u zbehë
por, mjerisht, bota pak e njeh.
Sot, bota ka shumë nevojë
Që zemrën ta zgjerojë.
Ta zgjerojë zemrën
Në masën e kësaj zemre.
Vetëm në masën e kësaj zemre
Ne do të kemi jetë.
Jetë e tillë është e vërtetë,
Sepse është jetë e ndriçuar
Prej Dritës së Pashuar…

Kush lindi sot?

Sot lindi ai që ishte i paralajmëruar
Në të gjitha Shpalljet Hyjnore,
Ai që do t’i sjellë njerëzimit
Të Vërtetën Madhështore, Paqën Botërore.

Kush lindi sot?

Sot lindi dëshmuesi, përgëzuesi,
Qortuesi, paralajmëruesi…
Sot lindi ai që ishte
Aq i vendosur, i pësosur, i përkryer,
Ai që ishte si një pasqyrë,
Ai i cili tha:
“Unë jam si pasqyrë,
Pasqyroi jo atë që unë dua,
por ashtu çfarë je ti,
Atë e sheh në mua”.
Çfarë je ti? Çfarë jam unë? Çfarë jemi ne?
Kjo ka shumë rëndësi,
Në veçanti, për ne, në këtë Atdhe!
Kur e pyetën Rumiun
Kush je ti? Ai tha:
“Unë jam shërbëtor i të Madhërueshmit Kur’an,
Derisa shpirt kam,
Unë jam pluhur nën këmbët
E Muhammedit alejhi selam…”

Në Kur’an e Madhëruar,
Për këtë lindje të bekuar,
Kështu është shkruar:
“Vërtetë! All-llahu dhe engjëjt e Tij
E bekojnë Pejgamberin.
O besimtarë! Bekojeni dhe përshëndeteni
me një përshëndetje të denjë!”
(Kur’an, 33:56)
Amin! Amin! Amin!

Mexhid YVEJSI, Gjakovë

Leave a Reply