Viti i ri Hixhri

Përkujtimi i hixhretit në fillimin e çdo viti, na bën më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm për rëndësinë e përpjekjes në rrugën e Zotit, në rrugën e përcjelljes së mesazhit Islam, në rrugën e paqes dhe tolerancës, dashurisë dhe respektit të thellë ndaj çdo njeriu. Besimtarët e ndershëm duhet ta jetojnë hixhretin, duke ruajtur me kujdesin më të madh mesazhin e tij, duke bërë hixhret të vazhdueshëm nga e keqja në të mirë, nga e shtrembra tek e vërteta, nga ngushtësia në zemërgjerësi, nga tradhtia në besnikëri, nga dyfaqësia në sinqeritet dhe çiltërsi shpirtërore.

Hixhreti i Profetit Muhamed (a.s.) dhe i myslimanëve nuk ishte ikje nga frika për jetën e tyre, por një sakrificë e madhe realizuar vetëm për hir të Allahut dhe në shërbim të besimit. Ata lanë pas pjesëtarë të familjes jobesimtarë, shtëpi, kopshte, mall, pasuri e tregti. Pa dyshim, emigrimi i myslimanëve nuk është as i pari dhe as i fundit emigrim në historinë e popujve. Emigrime janë bërë edhe para, edhh1440e pas tij. Por duhet theksuar që, ato emigrime janë bërë për shkaqe materiale, fatkeqësi natyrore, raste lufte, paniku etj. Ndërsa hixhreti në esencë ishte shpërngulje nga dobësia në fuqi dhe nga pesimizmi në shpresë për një të ardhme më të lumtur e më të ndritshme të Islamit. Për këtë arsye Allahu i madhëruar ia lejoi hixhretin të dërguarit të Tij.

Revolucioni i pashembullt, që nisi me hixhretin, mbajti në dorë dy ura: atë të shpirtit dhe atë të mendjes për të trokitur në çdo derë. Ky revolucion tronditi nga themelet, monumentin e shoqërisë që ishte ngritur me sistemet brutale të asaj kohe dhe nxori nga gjiri i tij një rend shoqëror të ri: sistemin shoqëror islam sipas të cilit do të veprojnë besnikët. Bota e pranoi këtë institucion të ri fetaro-shoqëror, pasi vetëm me anë të tij njeriu kuptoi ç’ishte ai si individ, ç’ishte shoqëria dhe ç’ishin marrëdhëniet e individit me shoqërinë.

Kur reflekton në kohët e sotme mbi hixhretin e para 1440 viteve, kupton se hixhret nuk është vetëm kalimi nga një vend në një tjetër, por edhe hixhreti nga të këqijat drejt punëve dhe veprave të mira, drejt përmirësimit së të brendshmes dhe të jashtmes sonë. E për ta arritur diçka të tillë dhe për ta bërë më të lehtë, duhet të zgjedhim shokët më besnikë të rrugës së drejtë, ashtu siç zgjodhi edhe profeti Muhamed (a.s.) më të sinqertin e shokëve, Ebu Bekrin, për ta shoqëruar në hixhretin e tij. Hixhreti na mëson se e gjithë jeta jonë është një hixhret i vogël dhe se kalimi për në botën tjetër është hixhreti ynë i madh, nga i cili s’ka kthim. Gjatë hixhretit të kësaj bote mund të hasim shumë pengesa e mund të përballemi me shumë shigjeta, por mbështetja tek Zoti, është ajo që na sjell siguri dhe mbrojtje, ashtu siç profeti ynë e qetësoi Ebu Bekrin kur zullumqarët e Mekës i ishin afruar shpellës duke i thënë: “Mos u frikëso, Zoti është me ne”.

Njëherë, pyetjes së dikujt se në ç’mënyrë mund ta fitonte shkallën e lartë të muhaxhirëve (emigrantëve), Profeti (a.s.) u përgjigj: “Muhaxhir është ai që braktis çdo gjë që e ka ndaluar Allahu dhe përqafon atë që ka urdhëruar Ai”. Me këtë Pejgamberi i Zotit e zgjeroi nocionin dhe kuptimin e hixhretit edhe nga ana shpirtërore e njeriut. Të ikësh nga mëkatet e të trokasësh në portën e Zotit e të mos largohesh nga ajo portë gjersa të vijë prej Tij fermani i faljes, është gjithashtu hixhret, emigrim. Një njeri, i cili, pasi të ketë braktisur mëkatet e kryera më parë, rikthimin te të njëjtat mëkate e quan më të dhimbshëm sesa hyrjen në zjarr, është vazhdimisht në rrugën e hixhretit, në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Njeriu që i sheh si një arë e minuar gurët e kufirit të gjërave të ndaluara që u themi “haram” dhe që nuk afrohet gjer atje, që u kushton kujdes dorës, këmbës, syrit, veshit, gojës dhe buzëve të veta, do të thotë se bën hixhret gjatë gjithë jetës. Edhe sikur të rrijë mes njerëzve, edhe sikur të tërhiqet në vetmi, emigrimi i shenjtë do t’i jetë bashkudhëtar besnik në thellësitë e botës së tij ndjesore. Kjo është rruga e formimit të figurës morale njerëzore, e denjë për dashurinë hyjnore e botërore.

Hixhreti na mëson se për të ruajtur besimin tonë në Zot, duhet të sakrifikojmë edhe gjërat më të dashura për ne, ashtu siç profeti (a.s.) braktisi Mekën, vendlindjen e tij, të cilën aq shumë e deshi, sa për të pat thënë: “Oj Mekë! Nëse nuk do të më kishin detyruar, nuk do të isha larguar prej teje kurrë”, mirëpo kauza për të cilën largohej ishte shumë herë më e madhe.

Një tjetër vit kaloi e një tjetër filloi; koha vrapoi e askush s’e ndaloi, prandaj le t’i bëjmë një analizë kritike vetes tonë, në mënyrë që përgjatë këtij viti të ri 1440, të tregohemi më të kujdesshëm ndaj detyrimeve tona ndaj Zotit, vetes dhe të tjerëve; të synojmë qëllime sublime e të punojmë fort për realizimin e tyre.

Edhe në këtë fillim-vit të hixhrit, lusim Zotin e Plotfuqishëm që të mbjellë paqe e dashuri në zemrat e njerëzve dhe të largojë urrejtjen e smirën. Lusim Zotin që të mbrojë nga fatkeqësitë bashkimin dhe unitetin kombëtar, botën islame dhe gjithë njerëzimin. www.kmsh.al

Leave a Reply

Viti i ri Hixhri

Përkujtimi i hixhretit në fillimin e çdo viti, na bën më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm për rëndësinë e përpjekjes në rrugën e Zotit, në rrugën e përcjelljes së mesazhit Islam, në rrugën e paqes dhe tolerancës, dashurisë dhe respektit të thellë ndaj çdo njeriu. Besimtarët e ndershëm duhet ta jetojnë hixhretin, duke ruajtur […]