Xhamia e vjetër Kodërhani Pukë

Xhamia e vjeter “Koderhani” Puke

Xhamia e vjeter "Koderhani" Puke
Xhamia e vjeter “Koderhani” Puke

– Pozita gjeohistorike mbi 2000-vjeçare, që prej kohës Romake;
– Kështjella rindërtohet më 1457 prej Sanxhakbeut të Prizrenit ;
-Dizdar i kështjellës caktohet prej familjes fisnike të Pukës ZIU;
– Në shekuj e vizitojnë personalitete të shquara historike:

– E. Çelebi e quan “ JENIKALA “ ( Kala e Re );-
– Që në sh.XVII Qytezën e banonin të krishterë e myslimanë;
– Harmonia mes dy besimeve gjithmonë qe shembullore;
– Në “ DUKAGJINE”, u ndërtua Xhamia e parë e Pukës;
– Në anën veriore të Xhamisë u ndërtua Tyrbja;

– Në xhaminë e Pukës kanë shërbyer imamë teologë të shquar:
– Hoxhë Puka, teolog, mbrojtës i Ymer Prizrenit, kryetari i LSHP;
– Zenel Hoxha, teolog, i vendosur për Pavarësi;”Qytetar Nderi”;

– Elez Hoxha, përkrahës i reformave dhe i LANF, “Qytetar Nderi”;
– Në Xhaminë e Pukës kanë falë namaz kalimtar të shquar:
– Korrik 1910 aty është lutur Shefqet Turgut Pasha me oficerët e tij;
– Mars 1912 është lutur Ministri i Brendshëm Turk Adil Beu;
– Verën e 1912-ës në atë Xhami është lutur Hasan Riza Pasha;
– Pushtuesit serb nëntor 1912 nuk guxuan ta preknin Xhaminë;
– Garnizoni Austro-Hungarez më 1916 vendoset larg Xhamisë;
– Më 1939 pushtuesit fashist kërkuan ta rindërtonin si” dhuratë”;

Vendndodhja historike e Xhamisë së Pukës

Rëndësia historike e kësaj Xhamie është e lidhur me rëndësinë e vetë Kodërgjytets. Më vonë, më 1916 e në vazhdim, u quajt Kodërhani, prej se aty mbetën hanet, kurse administrata shtetërore me garnizonin ushtarak austro-hungarez, që e ndjenin vetën ngusht mes xhamisë dhe tyrbes, zbriti në rrafshin e Qarrit t’ Bajrakut( sot Shtëpia e Kulturës “E. Çabej” e Nënprefekti). Që prej asaj kohe pak nga pak qyteza u shperngul në këtë rrafsh ku u formua qyteti i sotëm i Pukës.
Me hulumtimet e kësaj qytezefortesë janë marrë studiues të ndryshëm: Frang Bardhi, Evlija Çelebi ( Muhamet Dhil-li Ibni Dervishi), Hekard ( Hecquard, konsulli Francës,1858), Theodor Ippen, konsull i Austro-Hungarisë, Shkodër (1896 -1903), dr. Fr. B. Nopça, Lovro Mihaqeviq (1911), dr. Milan Shuflai ( Sufflay), si edhe prof. Eqrem Çabej i cili shkruan se me Pukën janë marrë studiues të mirënjohur, që hedhin dritë mbi prejardhjen e emrit Pukë, emër të cilin e lidhin me Epicaria etj. Gjithashtu janë marrë me Pukën prof. dr. Selami Pulaha, prof. Injac Zamputi, prof. Kolë Luka etj.

Prof. E. Çabej thekson se: “ Emrin e Pukës ,( është fjala për qytezën Koderhani, Xh. Meçi ), dijetari i njohur J. G. Hahn, dikur konsulli Austro-Hungarisë në Janinë, në një prej veprave të tij, e barazon gjeografikisht e gjuhësisht me emrin e vendit Epicaria ose Ad Picaria (në Pezhkve) të kohës antike, shënuar kështu te K.Peutingeri në hartën e tij, më parë te gjeografi e astronomi Klaud Ptolomeu i Aleksandrisë së Egjiptit, Epikaria: një stacion në rrugën, që në kohë romake prej Lezhe (Lissus) të çonte në Municipium Ulpianum në Dardani, sot Lipjan midis Shtimjes dhe Prishtinës në Kosovë. Këtë rrugë rrihnin më vonë edhe udhëtarët, që shkonin prej Shkodre për në Prizren.
Shuflai ( Sufflay)… vuri re me të drejtë se…në shek. VI të erës sonë te historiani i Perandorit Justinian,Prokopi i Cezaresë, në veprën e tij mbi “Ndërtimet” (VI)…në vend të emrit Epicarias të epokës antike shfaqet emri Pakua… në vend të një forme të drejtë Pukae (Pukë).” (PUKA DHE SHKOLLA. Shkodër, 1977, f. 6-7).
Për lashtësinë afro dymijë-vjeçare dhe vazhdimësinë e saj na dëshmon edhe studiuesi Jaho Braha, ish përgjegjës i Muzeut Historik të Pukës: “ Me gërmimet që kemi kryer kohët e fundit në Kodërhani, aty edhe tani duken linjat e drejtimit të fortifikimit. Aty- këtu kanë dalë në dritë edhe pjesë nga faqja e murit rrethues të qytezës antike, mur i cili ka qenë ndërtuar me gurë, të lidhur me llaç gëlqereje.
Brenda këtij fortifikimi kam zbuluar edhe copa të shumta tjegullash solene e kaliptere me trashësi rreth 3 cm ashtu si edhe copa tullash rreth 4 cm trashësi, të datuara (Qendra e Kërkimeve Akeologjike Tiranë) të shek. II – IV të erës së re.” (J. Brahaj, Gjurmime arkeologjike rreth qytetit të sotëm të Pukës, kumtesë, mbajtur në Pukë, më 10. X. 1978; dorëshkrim në Muzeun Historik të Pukës).

Myftiu i Pukes Gezim Kopani me Prof.Xhemal Meçi
Myftiu i Pukes Gezim Kopani me Prof.Xhemal Meçi

Lidhur me familjen Ziu/Zeza J. Braha jo çdo here është i saktë, sidomos: kur thot se Laçajt e Pukës janë “një degëzim i hershëm i Zezajve. Laçajt janë “degëzim” me Preçajt e Kabashit , Lushaj. Gjithashtu, ky autor, bazuar në të dhëna të pamjaftueshme, konkludon mendimin e gabuar e konfliktual, kur jep shënimin : “ Xhamia e Pukës është e ndërtuar…mbi themelet e kishës së Pal e Boç Ziut.”( J. Brahaj, KRONIKË E DERËS SË GJON BUZUKUT, f.19.Tiranë,2005.) Simbas kësaj sajese del se myslimanët e Pukës kanë dhunuar trojet e një kishe të krishterë mbi të cilën paskan ndërtuar një xhami.(!)
E para, në Kodergjytet (Koderhani) nuk ka pasë kishë, siç e dëshmon kujtesa historike dhe vetë Fr. Bardhi, që e viziton këtë qytezë më 1637, më se një shekull para se të ndërtohej xhamia.
E dyta, mjaft studiues, kur flasin për një kishë në Pukë e kanë fjalën për Pukën vis (rrethinë) dhe jo vendbanim fshati a qyteze. Ndërsa, për disa studiues të tjerë Puka antike dhe mesjetare së është Kabashi. (Sqarime më të plota te botimi :Kabashi, Puka që në lashtësi -2, f. 35-64.Tiranë, 2008, me autor Xh. Meçi).
E treta,ka qenë traditë në krahinën e Pukës që asnjë godinë e re të mos ndërtohet mbi një truall mbetë shkret. Kështu edhe me kishat. Asnjë xhami si edhe as kishë në Pukë nuk është ndërtuar mbi troje kishash.
E katërta, Ziu-n tradita e njeh në trajtën Mziu: Pal Mziu e Boç Mziu për selinë e të cilëve ka mendime të ndryshme: Zezët e Pukës thonë për në Zezë. Në fshatin Mëzi, mbi Dri, thonë se Pal Mziu e Boç Mziu i kishin gurët ku uleshin e pushonin në livadhin e Kolë Bibë Dodës, . Më 1967 këto gurë me vlerë etnologjike u hodhën si “bestytni, mbeturina të së kaluemës.”(!)
Në Kabash Boçen e lidhnin me toponimet Beçmet: Beçme e Eper dhe Beçme e Poshtme, një vend i bukur në afërsi të kështjellës, ku shtrihej sundimi i Boçes. Ka edhe një kujtesë tjetër: vëllezërit Pal e Boç Mziu ishin vendosë në Fushblinisht, afër Sarajeve të Lekë Dukagjinit. Por, asnjë legjendë nuk i lidhë me qytezën Kodergjytet; aq më pak me një kishë, që e kanë pasë në Kabash.(!) Kurse, për një kishë në Kodërqytezë, me sa duket, kemi të bëjmë me një sajesë të natyrës romantike. (!) Megjithatë, botimi i J. Brahës, KRONIKË E DERËS SË GJON BUZUKUT, ka vlera me rëndësi për historinë e Shqipërisë.
Toponimet (emërvendi) , mbledhë në lagjen Laçaj: Kodergjytet, Mbasgjytetja (ana veriore e shpatit të kësaj kodre), Gryk- Gjytets dhe Fusha e Gjytets ( Fusha e Pukës), ruajtë deri nga messhek. XX, shpjegojnë se kjo kodër ka pasë vazhdimësi dhe rëndësi historike përreth dymijë vjet.
Në periudhën Romake kjo qytezë e Kodergjytets, ose diku afër saj, si në Fushëkuq apo në afërsi të Pezhkves, lagje e fshatit Pukë, në hartat romake shënohet Picaria apo Epicaria. Prof. Injac Zamputi shpjegonte se Picaria dhe Epicaria lidhen me një përkthim të toponimit vendas Pezhkve në Picaria latine nga administrata romake. Pra, lashtësia e kësaj qyteze vjen që prej kohëve romake apo pararomake, Ilire, dhe deri nga fund i shek. XIX që vazhdon të njihet me emrin Gjytet dhe jo Pukë.
Kodergjytet lartësohet afro 30-40 m mbi Prrugjytets nga ana veriore me një pjerrësi të theksuar. Nga ana jugore pjerrësia është me një kënd më të hapur, derisa nga ana juglindore formon lidhje me Koderlaçaj, por që nga ana lindore fillon e zbret përsëri deri në 30 m përbri Prrumehaj.
Pozita zotëruese me një këndpamje shumë të gjerë e kësaj kodrine është mjaft e gjetur. Për më tepër, me burime të ftohta e të shëndetshme.
Rrafshi i kësaj kodrine shkon deri në më se pesëmijë m2, duke krijuar mundësinë edhe për ndërtime banesore, por me vështirësinë për ruajtjen e murit të gjatë rrethues në gjendje të mirë, siç e kanë vënë re edhe Fr. Bardhi dhe E. Çelebi.
Simbas prof. I. Zamputit ndërtimi i kësaj qyteze duhet të jetë pas kryengritjes 1515 dhe pas luftërave që bëri Turqia kundër fuqive perëndimore, d.m.th. pas vitit 1540. ( Relacione II… shënime, f. 456).
Më, pas prof. K. Luka bënë sqarime plotësues : “Shkatërrimin e kësaj kështjelle prof. I. Zamputi e lidh me vitet 1570-1574, kur kryengritësit me në krye Bartolome Dukagjinin çliruan edhe Lezhën. Rindërtimi i saj u bë rreth vitit 1608, kur rimerren në shkallë të gjerë veprime ushtarake nga turqit për ta ripushtuar edhe një herë vendin.”(K. Luka, Topografia e shek. XVI-XVII. Etnografia Shqiptare 11/1980, f. 170. Tiranë, 1981).
Prof. dr. Selami Pulaha jep të dhëna të reja për juridiksionin e shtrirjes në prona e të veprimeve në ruajtjen e rendit të Qytezës së Re në Dukagjin, që dalin nëpërmjet shpërblimeve, dhënë Dizdarit dhe të rojave të kështjellës. ”…fshati Plakza e Poshtme (Ashaga), lagje e Koderspaçit (Mirditë) ishte timar i Hysenit, i biri i Iljasit një nga ruajtësit e kalasë së Dukagjinit…” Kështu edhe për “timarin e Sulejmanit, i biri i Ilhanit, ruajtës i kalasë së Dukagjinit, në truallishtën Koman e Dobra (fshatra të bregut të Drinit, në afërsi të hidrocentralit të Komanit). Më 1591 gjejmë dy timare. Timarin e Hasanit në fshatin Blishta dhe truallishten Karma dhe timarin e Aliut, i biri i Mustafajt, dizdar i kalasë së Dukagjinit, në truallishtën Koman e Dobra.” ( Prof. dr. S. Pulaha, Krahinat e Sanxhakut të Dukagjinit gjatë shek. XVI. Studime Historike 3/1973, f. 7. Tiranë 1973).
Për sa i takon Dizdarit të kësaj kështjelle, që më 1591 del me emrin Mustafa, kujtesa historike i bien të ardhur prej Kabashi, kushërinj me zotnitë Kryeziu, degë e familjes fisnike Ziu.
Ziu është familje fisnike mbi njëmijë-vjeçare në: Kabash, Zadrimë, Kosovë, Maqedoni, Itali, ( Negri ). Princat Dukagjin i kanë gjetë në Kabash me prona deri në Mëzi, verilindje të Iballës, Pukë, Doç (Gomsiqe) etj. Dizdari i Pukës ka qenë derë e parë në agët e Zotnitë e Pukës deri me Bushatlinjtë e Shkodrës, të cilët ia kufizuan pushtetin dhe pronat, të cilat i shiti përfundimisht Musa Dizdari, i njohur me emrin Hoxhë Puka. Nga fundi i shek. XVIII e fillimshek. XIX fituan pushtet agët Kryeziu (fshati Kryezi) kushërinj me Dizdarin e Qytezës, Dukagjine ( Pukë).
Për familjen Ziu me origjinë fisnike na dëshmon edhe Hekard, konsull i Francës në Shkodër, mesi i shek. XIX: “Pak larg nga Puka gjinden rrënojat e një kështjelle të vjetër të banueme. Gojdhana thot se ishte e një princit shqiptar të quajtun Pal Zenta. Disa familje përreth ( kështjellës ) e mbajnë vedin të rrjedhun nga kjo familje. Barleti,- thekson Hekard,- përmend një Pal Zenta, i fisit të Lekë Dukagjinit.” H. Hecquard, Shqipëria e Veriut. Arkivi i Institutit të Historisë, A –III, Nr. i inventarit 132-158,f.6 ).
Prej këtyre të dhënave dalin fakte që dëshmojnë për një familje fisnike ZIU e cila i ka pasë trojet e hershme në lindje të Abacisë së Shën Palit të Kabashit ( Pukës), rreth treqind metra larg saj, ku kanë qenë, gështenjat me mbiemrin Ziu/Zezë: Kshtejat e Pre’ Zezve.
Toponime me Zezë kemi edhe perreth qytetit të sotëm të Pukës: Zezë, lagje nga veriu deri në lindje, Boka e Zezve në veriperëndim Kujazez dhe Balli Kujtzi, në jugperëndim. Simbas shtrirjes së toponimeve Zezë del se krejt fshati Pukë të ketë pasë emrin Zezë, pronë e familjes Ziu; por, kur u formuan dhe u rritën lagjet Laçaj dhe Mehaj në jug dhe juglindje, atëhere u ngushtua emri Zezë deri në kufijtë e sotëm të një lagjeje, sado e shtrirë.
Emri i fshatit Zezë u zëvendësua me fshatin Pukë , po me një farë problemi, se me Pukë emërtohej tani: krahina, qyteti dhe fshati përreth qytetit. Edhe krahina e Pukës në dokumentat osmane, shek. XVI-XVII del Nahija Mali i Zi që te vona u quajt Nahija e Pukës, si edhe fshati i Pukës.
Emri Pukë, merr shtrirje të tillë se agët e Kabashit mbanin mbiemrin e lashtë Puka, si edhe fshati Kabash. Kur dolën në Dukagjine , Kodergjytet (Koderhani ) nga fundi i shek. XVII me mbiemrin Puka, Agt e Puks, mjaft të pasur, pak nga pak nga Te Agt e Puks i mbet emri Pukë edhe vendit.
Rëndësi merr fakti se në Kodërgjytet tani kemi dy familje fisnike: Dizdari në rënie dhe Aga i Puks në ngritje. Nevoja e tyre për një xhami bëhet më e nevojshme, prandaj nuk vonon e ndërtohet aty nga mesi i shek. XVIII. (Xh. Meçi , Kabashi, Puka që në lashtësi 2, f. 47-123. Tiranë , 2008.)

Leave a Reply