Natyra njerëzore baraspeshohet sipas normave të realitetit. Ehe pse bashkëjeton me të gjitha mundësitë civilizuese të jetës materiale, me të gjitha prurjes e saj shfrenuese, përsëri njeriu ndjehet i hutuar dhe i tronditur. Ai është i goditur nga shqetësimi, pasiguria dhe konfuzioni. Sot njeriu nuk po gjen dot vetveten, për shkak se nuk po gjen dot qëllimin e ekzistencës së vet. Ka mendime se njerëzimi nuk do të mund të jetë në gjendje që për një kohë të t gjatë të qëndrojë me një sistem sepse shumë prej tyre e mbyllin jetën njerëzore brenda nevojave trupore, duke e barazuar njeriun me kafshën. Kështu njeriu do të mesë masa e të gjitha çështjeve të ndërtimit të sistemeve, e të gjitha ngritjeve dhe uljeve shoqërore.
Në kohën e sotme fatkeqësia nga e cila vuan njerëzimi, është diferenca midis diturisë dhe praktikës në zhvillimet jetësore. Lëshimi i pa përmbajtur drejt idesë për të zëvendësuar vitet e varfërisë me përpjekje dhe rrugë që prishin emrin dhe personalitetin e njeriut, nuk është gjë tjetër veçse humbje e ndërgjegjes qytetare në favor të interesave të ngushta e meskine për të patur në pak muaj atë që atë bota ku ne duam të shkojmë, e ka arritur me vite. Duke ecur në këto rrugë pa ndërgjegje e herë, edhe pa mëshirë njerëzore, u pasqyrua imazhi se sot ndodhemi nën ndikimin e drejtpërdrejtë të asaj që lëviz midis politikës dhe biznesit, papunësisë dhe krimit. Ajo që e quajmë progres material nuk u harmonizua me zhvillimin tonë njerëzor. Bota materiale nuk kuptoi dhe nuk deshi të kuptojë se qenia njerëzore nuk përbëhet vetëm prej rupit se ajo ka nevojë për jetën, por që para së gjithash ajo mendon, ndjen, vuan në anën shpirtërore.
Qytetërimi i njëanshëm, qoftë edhe në stadet e lartë, kurrë nuk do të jetë motivi kryesor në zhvillimet njerëzore. Sado që të jemi të pasur, paqen shpirtërore, kurrë nuk do të mund ta blejmë me të holla. Ajo nuk është mall që shitet e blihet. Vetëm kur intelekti njerëzor të arrijë të lumturojë njeriun si qenie, si krijesë, si trupi dhe shpirt, nevojat dhe interesat e tyre dhe kur këto interesa t’i baraspeshojë në një ekuilibër, atëherë kualiteti dhe personaliteti i tij do të bëhet dominues. Atëherë njeriu do të gëzojë lirinë e tij brenda doktrinës së tij. Pikërisht në kohën e sotme, në botën e shfaqur, kjo ditur, ky intelekt është mënjanuar, për të mos i lënë kohë njeriut të merret me shpirtin e tij.
Dihet se njeriut ekziston natyrshëm si qenie fizike, por ai ekziston po aq natyrshëm edhe hyjnisht, si qenie shpirtërore. Të dy këta elemente ushqehen në realitetin jetësor. Por njeriu është i krijuar ai nuk mund ta krijojë vetveten. Gjithçka në botë i shërben njeriut, ndërsa njeriu vetë duhet t’i shërbejë vetëm Krijuesit të Tij. Kjo është skema e krijimit hyjnor në domethënien qiellore. Prandaj qenia njerëzore është e nevojshme ndaj asaj Qenie Supreme me të cilën është e lidhur ngushtë gjithë jeta e tij, nga i Cili merr udhëzimet për mendimin, synimin e veprimin nëpërmjet normave jetësore dhe ritualeve adhuruese. Kjo është esenca e thellë njerëzore, e brendshmja e tij, përbërja e tij. Është përfaqësimi i tij dhe kur ai nuk do të ekzistojë si qenie fizike.
Ky udhëzim është feja. “Ky udhëzim është një sqarim për njerëzit, është udhëzim dhe këshillë për të devotshmit” (Kurani, 3:138).
Feja është një përmbledhje e parimeve hyjnore që i prin njerëzimit drejt së mirës, drejt sigurimit dhe përparimit shpirtëror e material. Është përmbledhje e parimeve fisnike që udhëheqin sjelljet njerëzore dhe që e kanë burimin e në botën e tij shpirtërore.
Feja është shkolla më e mirë, institucioni më i bekuar, i themeluar për të ngulitur tek njerëzit cilësitë morale më të bukura. Ajo është e hapur për të gjithë, pavarësisht nga ngjyra, raca, mosha, pozita apo gjendja shoqërore. Vetëm ata që e ndjekin atë arrijnë paqen, lirinë dhe kënaqësinë.
Islami nuk është, as nuk paraqet thjesht një detyrë rituale. Në përbërje të tij qëndrojnë një grup ligjesh e normash që menaxhojnë gjithë jetën njerëzore në aktivitete fisnike, mendore, trupore, shpirtërore, individuale e shoqërore, për të inspiruar koncepte të drejta e humane për botën dhe jetën si dhe të relacionit midis njeriut dhe Krijuesit të tij. Ajo është nevojë për të mbrojtur qëllimet të cilat janë më të larta se realiteti i tij, më të lartë e më të qëndrueshme se realiteti njerëzor.
Edhe pse feja islame është udhëzim hyjnor në favor të njeriut për jetën dhe mënyrën e të jetuarit, ajo nuk supozon që t’i sigurojë atij vetëm mirëqenie, famë apo pozitë. Ajo nuk merr përsipër dhe as premton se do t’u japë anëtarëve të saj nga një pulë për çdo tenxhere dhe as që çdo njeri ta bëjë mbret. Ajo merr përsipër të drejtojë aktivitete jetësore në dobi të mbajtjes së ekuilibrit midis detyrës dhe interesit, trupit dhe shpirtit, tokës dhe qiellit. Ajo synon njeriun në aktivitete jetësore të paraqesë të vërtetën dhe qëllimin e krijimit të tij.
Njeriu është krijesë shumë madhore, shumë domethënëse dhe me një krijim shumëplanësh. Ai nuk është kafshë, por as engjëll. Ai është në mes të këtyre dhe feja islame është ai udhëzim ajo dije hyjnore, ajo mençuri qiellore, e cila baraspeshon këtë pozicion të njeriu në botë. “Thuaj (o Muhamed) unë nuk ju them juve se kam thesaret e Allahut, as nuk e di të padukshmen… dhe as nuk them se jam engjëll.” (Kur’ani 6:50).
Njeriu është i krijuar, i lindshëm, por është dhe i vdekshëm, pra është një krijesë kohore, ku brena një limit kohe atij i duhet të jetojë, të qeshë, të qajë, të gëzohet, të hidhërohet, të kënaqet dhe të vuajë. Kështu njeriut i duhet të provojë e të sprovohet brenda të mirës e të keqes. Tek feja njeriu nuk do të gjejë konceptin për të përmbushur çdo dëshirë të tij, apo të eliminojë fatet e tij, por tek feja, nëse ai do të besojë bindshëm dhe sinqerisht, do të gjejë tek e mira e tij, nevojën për të falënderuar Atë që atij ia dha dhe tek e keqja e tij mënyrën për t’u penduar dhe larguar nga ajo e keqe.
Në këtë mes feja është nevojë dhe domosdoshmëri, sepse ajo është dija dhe mençuria për t’i dhënë njërit të kuptojë se ai është i pafuqishëm të qëndrojë larg Zotit dhe të jetojë pa Zot. Kjo sepse vetë njeriu është qenie dhe pjesë e dëshirës së Zotit, e mëshirës së Tij dhe nuk mund të qëndrojë asnjanës dhe as të polemizojë rreth detyrave tët ij karshi krijuesit të tij. Ata nuk diskutohen, por vetëm zbatohen. Sinqeriteti dhe bindja janë masa e shpërblimit, përndryshe ata që i përbuzin udhëzimet hyjnore, që neglizhojnë apo qeshin me to, guximin e gjejnë tek iniciativat ambicioze për të jetuar pa dinjitet, si qenie që vënë në dyshim natyrën e krijimit të tyre. Ata e kanë të qartë se janë gjallë dhe s’duhet jetuar, por nuk dinë si duhet jetuar dhe atë që është dhënë udhëzues në këtë drejtim nuk e përvetësojnë; duhet ta dinë mirë se atë që e humbasin duke qeshur, kurrë nuk mund ta fitojnë duke qarë.
Jeta nuk është periudha e vetme e kësaj bote, bile as ka lindur në këtë botë.
Zoti nuk planifikoi krijimin e njeriut nga dëshira për ta parë si shitës e si blerës, as si prodhues apo si konsumator. Jeta nuk është fenomen. Ajo është mrekulli hyjnore. Njeriu krijohet nga dheu dhe përsëri bëhet dhe. Pjesa lëvizëse e tij është shpirti, i cili është formuar para lindjes së trupit. Ai nuk është i lindur e as i vdekshëm. Ai jeton dhe bashkëpunon me trupin në fazën e parë të jetës së njeriut në këtë tokë, që për njeriun nuk është gjë tjetër vetëm se periudha e sprovës së qëllimit të krijimit të tij.
Tek njeriu shpirti synon, trupi vepron. Shpirtin synon që e sotmja të jetohet e të fitohet pa lënë peng të nesërmen, pe e shitur shpirtin për të blerë trupin, pa e shitur qëllimin për të vlerë nevojë, pa e shitur detyrën për të blerë interesin.
Feja si përfaqësuese e synimeve të shpirtit, kërkon nga njeriu që jeta e tij të kanalizohet me ballafaqimin e vlerave hyjnore, të besimit e të zbatimit të tyre, në përputhje me qëndrimin pozitiv, të brendshëm, të asaj që fle në zemër. Këtu qëndron realiteti njerëzor, i parë hyjnisht. “…dhe ta dini se Allahut ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij…” (Kur’ani, 8: 24).
Problemi njerëzor bashkëkohor qëndron tek zgjidhja e dilemës së tij. A është domosdoshmëri ballafaqimi me fenë, besimi në dhe zbatimi i normave të saj?
Ndërsa feja parashtron pyetjen cituar në kohë: A do të vendosin njerëzit ta ndjekin këtë sistem hyjnor të jetës në tërësi dhe me të t’i nënshtrohen rregullit natyror? Pra, a ndjehet nevoja për fenë dhe a kuptohen qëllimet e saj?
Këto përgjigje i takon t’i japë njeriu. Dhe do t’i japë vetëm atëherë kur ai të kërkojë ndryshimin e brendshëm të tij. Ai ndryshim, ai zgjim i brendshëm, do të kacafytet dhe do të fitojë mbi njëanshmërinë jetësore, sepse vetë natyra njerëzore është më e lartë dhe më e thellë se stadet civilizuese kalimtare dhe nuk e ka rrjedhur nga burimi origjinal hyjnor.
Në mënyrë të bindur, njerëzimi dhe e vërteta që ai përfaqëson do të triumfojnë mbi injorancën dhe padrejtësinë kur ai të ndërgjegjësohet se: Një popull mund të jetojë e të përparojë me pak faje, por kurrë nuk mund të jetojë e të përparojë pa Zot, me pak fe, me pak dashuri, humanizëm dhe ndjenjë kombëtare. Kur njerëzimi të ndërgjegjësohet e të kuptojë se feja është për njeriun vetë vetja e tij, se ajo nuk mund të braktiset, e, nëse mohohet do të thotë se ke mohuar vetveten.
Feja është nevojë dhe domosdoshmëri për njeriun, është mençuri dhe ai që e mohon nevojën për të i mungon mençuria.
E ardhmja i takon dominimit të fesë mbi njeriun. I gjithë njerëzimi bashkëkohor po e ndjen dhe po e kërkon edhe pse mohon.
Shpirtmirësia, bukuria, humanizmi, dashuria njerëzore, toleranca, mirëkuptim, virtyti dhe morali – puna – paqja dashuria për kombin e atdheun përbëjnë thelbin e fesë, si udhëzim për botën njerëzore.
Çfarëdo që të ndodhë, njerëzimi një ditë do ta arrijë ta kuptojë se feja është në natyrën e tij dhe nevojë jetësore e tij dhe në këtë moment asgjë nuk do të jetë e aftë për ta penguar atë.
“Në fe nuk ka dhunë, rruga e vërtetë dallohet nga e gabuara…” (Kur’ani, 2:256).
H. Ali Hoti /dritaislame.al/